Ruzhdi Gole: Shuplaka ajri
Tregim
Gjithçka rrëmbehej nga shprazja, shkundja, shkulja. Ato i ‘epnin dorën njera – tjetrës mes rrebeshit e erës, frymonin vrap sëbashku, rrxoheshin, gjakonin, rrjep’ gjunjët, “oh, o,le, le, le…”. Shiheshin vranët sysh, qafoheshin, aty ia mbathnin tej, më poshtë, tejposhtë, tërpjetë.
Këtu lart, nga ngrehina e pyjeve po shihja me tejkqyrë dy njerëz qull, mbështjellë me mushama të gjata e të tejdukshme duke ngarë rrotakët në ngjitje. Ndalnin, zbrisnin prej tyre, i merrnin rrotakët përdore.
– Çfarë po sheh? – më pyeti Lil Pisha.
– Dy njerëz.
– Ç’njerëz? – u habit Sotir Juga.
– Moti sonte, është qamet. – foli Gjergj Mugullti.
Eh, nga këto dalldi e huqe shqyerje degësh do ketë sonte – pëshpërita unë. Në pyll mund të bjerë edhe zjarr – ngrita zërin.
Ne për zjarrin do natonim aty në këtë qamet. Nata zbraste veç shkrep’tima. Herë do flinte njeri, herë tjetri. Po të binte zjarr duhet të lajmëronim zjarrfikëset në Himarë dhe ata pak punëtorë të pyjores që jetonin gjys’ ore larg. Nga këtu, zbritja malore rrallë e ndonjë motori e kishte të lehtë ecjen e saj me kërcitje hovi.
Po ngjitja, ngjitja e paparë e këtyre dy frymorëve? Nga vinin ata? Nga rrugë e gjatë nisur me diell, mot të mirë, të trazuar? Përse ecnin këndej mes shtrëngatës? Për herë të parë, ndoshta…
Njeriu gjithë jetën ecën, – mendova. Njeriu ecën edhe kur ndalet, ecën brenda vetes me qarkullimin e gjakut, me mbibluarjet e stomakut dhe me pikën helmët verdh t’mëlçisë, flatrat e mushkërive me dhe pa njolla të mugëta.
Pastrova tejkqyrën nga avulli i ngrohtë i ngrehinës, trokita me gishtat e mi xhamin e dritares. Po vështroja përsëri jashta me tejkqyrë. Frymorët hipur mbi biçikleta ngriheshin pak nga shalët e rrotakëve për ta nxitur për më tej ecjen, picërronin sytë të shihnin përpara. Aty – aty i mbanin rrotakët përdore. Mua më dukej se ata ecnin edhe kur ndalnin pak e shiheshin sy ndër sy, (ndonëse nuk i shquaja vështrimet e tyre). Ecnin, ecnin edhe të përqafuar.
Ç’njerëz të marrë, të marrëzishëm… Nuk do munden, kurrë s’do mundet ta ngjisin malin sonte në majë as deri në mes, – mendova një çast, vetëm një çast. Megjithatë, gjersa ecin, ata ngjiten – …përsëdyta.
U nisën me diell dhe i zuri rrebeshi? U dogji keq dielli e u shkrepi guximi për t’iu afruar rrebeshit? Gjer ku jeton guximi njerëzor? Jeta është gjilpërë magnetike. Ndonjëherë gjilpërë e zakonshme. Tek vrima hollake ajo ngadalë, shpejt, vetëtimthi shkon perin e fortë, i cili endet më tej, mund të këputet më tej.
Shkundullima me vetullat e egërsuara t’erës dukej më e stolisur flokëkërleshur. Shkulja gjithë vrull po rrokullisej gropash që hapte vet duke shkul rrënjë gjer në rrënjë. Shakatë e vjeshtës dredhira plot me erëshira i njihja prej një jete qysh në pyjet e Kuzhnenit. Ato më gëzonin farepak. Njësoj edhe këtu, vranohet shpejt, shpejt plas rreziku më i bëftë kryeneç i përmbytjes. Mali duron shumë, mban gjithçka mbi vete, gënjehet nga ndonjë çast i qetë, muzgon përgjumsh. Pa prit’ e pa kujtu’ malit ia rrëmbejnë gjithçka nga kryet: erërat, retë nevrike, ftohmën, gurë e rrënjë e i zbrazin ato gjarpërisht nga shpatullat, gjoksi e kofshët, kupat e gjunjve dhe shputat e tij gjer tek rrëza e gurtë, aty ku prehen buzët e fushës së Dukatit. Fusha mbështillet me to dhe ngre sytë e mekur përpjetë sikur i qahet malit për ftohmën e saj. Mali njerin sy e njerin vesh i ngre për qiell, syrin dhe veshin tjetër i kthen nga fusha.
Poshtë jetojnë të tjerë njerëz, mendoja qetë. Janë fusharakët ngjit me brigjet e tutje tyre më poshtë akoma, asnjëherë t’poshtë, dallgëzon deti ynë, më lundruesi det fëminor e i thinjur i Mesdheut.
– A duken ata? – më pyeti Sotir Juga.
– Ata nuk janë të padukshëm, po i shoh me tejkqyrë. Po mundohen të ngjiten.
– Ç’të marrë qënkan! Po sikur t’i zerë…
– E ke fjalën për frikën, për ndonjë rrufe?
– Ndonjë rrëshqitje nga errësia e skëterrrshme?
Frymorët ecnin. Më këmbë, vetëm dy në gjithë atë hapësirë drithëruese. E pabesueshme të takonit të tjerë përpara, më e pabesueshme t’u vinin të tjerë pas. Përreth, siç duket, tani gjurmon përsëri vetëm frika, e cila duke u mbajtur e drithëruar sa në një degë pishe në tjetrën gjeti një farë guve, hyri brenda, u mbështoll mirë e mirë me qyrkun e vet, ra të flerë.
Ne tymosnim fjalë e duhan, tymoseshim duhan e fjalë brenda ngrehinës së pyjeve duke i rënë heraherës me gishta xhamave ngricë. Tek-tuk binin thonj të këputur ngricash. Ndonjëherë i vërvisnim sytë tej-tej xhamllëkut të shihnim jashtapërjashta. Ç’shihnim në atë mjegullnajë ku edhe tejkqyra, here-herë dukej e verbër.? Menjëherë sytë ktheheshin, hynin brenda zgavrave të tyre dhe nga aty shihnin retinat e hirta të njëri – tjetrit. Syve, ndonjë rreze, u mbeti jashta. Ato rreze shihnin më me ankth dhe më gjatë frymorët. Ata u përqafuan, u puthën, sikur t’ishin në një lëndinë a në një breg. Në një lëndinë e në breg ku hijeshia dhe valëzimi rrokin njera – tjetrën. Po fantazoja për njerëz, tipare brenda ngrehinës gjithë harta natyre. Sa herë i shihja këto harta ato s’më dukeshin të hirta bardh’zi por më të gjelbërta si sonte përreth një shpuze lëngjesh e fjalësh vatrës brambullitëse. Dritat e biçikletave, afërmendsh, mardhnin, rrotakët jo aq ngaqë ecnin, fërkoheshin në rrugë e ngroheshin duke kërcyer rropthi – gropthi, o, le… le… le…
…qënkan të marrë, – tha Sotir Juga.
…dhe të guximshëm, – foli Lil Pisha.
…guxim marrëzie, vet qameti – e mbylli këtë tjerrje Gjergj Mugullti.
Nisa të ligjëroja:
Ecja dhe rreziku përhera janë bashkë, o njerëz, në të njëjtin rrugë.
S’e di si më shkrepi ky mendim.
– …ecja dhe rreziku afrohen.
…ecja në këtë qamet është vet rreziku, – zëri i Lil Pishës.
…rreziku mund t’ia këpus këmbët… – zëri i Sotir Jugës.
…këmbët ecjes, – nxitoi fjalëve Gjergj Mugullti.
– Ecja është e dhembshur. Sa për rrezikun s’di ç’të them…- ua ktheva të treve.
Pamë njeri – tjetrin ballas. U tërhoqa pak mënjanë, trokita gishtat mbi xham me i plasarit njëçikëz thonjtë e ngricës. Pastrova tejkqyrën, sytë e mi. Po këqyrja prapë… Vetëtimthi shquajta dritat e një autokolone të ushtrisë, e cila dukej hijerëndë veshur me mushama të murrme nate. M’u bë sikur hapësira malore jashta trandej e gjitha mbështjellë me një kapotë të stërmadhe. Kapota qullej rrebeshëm nga shiu dhe kafshohej nga ujqërit e murlanit. (Ç’poetikë?!!).
Ushtarë, helmeta, topa, kaluan pranë ngrehinës, nuk i i hodhën as sytë. Ndoshta fare pak e panë kërcuqen tonë, ndoshta donin të ndalnin pak aty, fare pak të ngroheshin, por gjithçka e tyre po turfullonte tani fitore në të përpjetën dinake të Llogarasë.
…një jetë mbaruar ushtrinë, dyzet vite shkuar… – kujtoj Lil Pisha.
…tridhjetë vjet mbaruar fakultetin, – kujtoj Gjergj Mugullti.
…njëzet e pesë i martuar – kujtoj Sotiri.
Unë ç’të kujtoja më parë?
Po ata dy frymorë sa mote udhëtonin bashkë?
I shoh, i shoh… u përqafuan, po puthen, më duket po brohorasin, kërcejnë, po qëllojnë njeri – tjetrin me shuplaka ajri,
…shiko, shiko, i ngritën në ajër rrotat e… – fola në brofje e sipër unë.
…sa shumë u ngazëllyen… – më ndërpreu Lil Pisha.
…nga i sheh ti, o largpamës? – bëri shaka Gjerg Mugëllti.
Panë ndoshta dritën e ngrehinës sonë – e mbylli tjerrjen Sotir Juga.
Unë pa e hequr tejkqyrën nga sytë.
-…janë afër. Patjetër do rrijnë këtu sonte. Do të darkojmë bashkë me ato që kemi.
Ne që jemi brenda kësaj ngrehinë të zjarrtë i njohim paksa fytyrat e tyre. Arritën çka donin? Majën nuk mund ta arrijnë sonte, as gjysmën e Llogarasë, por ecën aq sa deshën. Nuk u rrëzuan, s’u kthyen mbrapsht… Gjersa ecin ende ata ngjiten… Ata po afrohen, u afruan.
Tani, tej nga poetika, po i shoh më kthjellët të sapo ardhurit.