Ruzhdi Gole: SPIRANCË E (pa) KËPUTUR
(poe-prozë)
– Shpejt po na e kthen… po na e kthen fjalën, (a kështu më
duket mua) shpejt po na ikën, pak nga pak, o bir!
Dhe kur? Në muajin tonë të trembëdhjetë. Muaji i
trembëdhjetë: fatlum për të lumët, për të mpakurit
fatkeq? Eh, i trembëdhjeti muaj, frymëzim me pakicë, pakicë për t’u
gëzuar.
– Zem’rak, ç’është kjo romantikë? Paska muaj të
trembëdhjetë? Në cilin kalendar, në cilën tokë? Në ndonjë
retorikë? Në ndonjë ishull me flutura e bletë?
-Lëre ishullin me bletë dhe flutura. Është larg. Atje s’ka as
bastun dhe as kukulla. Këtu, të them, përqark shpejt
rrotullohet gjembi i trembëdhjetë. Braktisja… ne vet. Motet
ndrrojnë nga sot. – Në të
trembëdhjetin mot?
– Po, moti i trembëdhjetë na e çukit e ngadaltë na e hidhëron
paksa mëlçinë.
– Mpakemi, e besoj, diç jetimë. Jetimë rreth e rreth, gërhimat,
tespiet për muajin e trembëdhjetë. Po kukullat ç’na duhen?
Luajmë kukullash ne-thinjoshët pak, shpesh?
– Bir, po na ikën shpejt?
– Eshtë tutje, udhë të tjera shkel nxitimthi, vrapshëm?
Ç’është kjo ikje… e afërt … e largët?
– Për mua: zjarrmi e ngrirë.
– Si tespiet? Si kukullat, o Zem’rak ?
– Si zemra… me gunga. Me furtuna më
shumë, me rrahje më pak.
– Po, e vërtetë. Jeta na ndan edhe dy hapa larg.
– M’u kujtua Pirro Dollani. Njeriu (tej) i oqeanit.
– Jetonte në oqean?
Jo, o Fluturak, tek shumë njerëz, ai jetonte në shpirt. Plot
valë nga dituria dhe nga mirësia plot valë. Veç në përtaci
ishte shëndetlig. Thonë se ia dogjën kurmin. Hiri i tij ende
xixon. Hiri i një të pagjumi.
– Pse t’u kujtua Dollani? Unë i kam ndi veç emrin në qytetin
tonë antik. Ti je rrit me të, e ke pasur mik?
– Mik nuk e kisha këtu. Veç kur iku në tjetër vend, vend me
tjetër gjuhë. Rrallë shiheshim, bashkë jetonim shpesh me
Libra në të dymbëdhjetë muajt. Dhe fare
pak me sëmundjen prej shprese në muajin e trembëdhjetë.
– Të besoj, Miqësia anije nuk lundron vetëm një det, s’ka
vetëm një port.
– Miqësia pushon spirancë. Kur tjetri, ah tjetri, hirnon
jetëgjatë…
– Fluturak, o udhëtar, të largëtit shpesh t’ecin përkrah, të tutë
me të keq e pa të keq, të largohen paksa..
Im bir jeton përkrah meje, përhera përkrah meje afër,
larg ndonjëherë, në vende të tjera, me tjetër spirancë.
I gjithi zemër. Asnjëherë më pak…