Arben Iliazi: “Dodona”, sipas Petro Çerkezit dhe Ismail Kadaresë
Petro Çerkezi është një poet dhe përkthyes i shquar, që dallohet për një stil thellësisht modern dhe ekzistencial. Poezia e tij trajton temat e kujtesës, brengës, peizazheve shpirtërore dhe lidhjet kulturore shqiptaro-greke, përmes konceptit të bilinguizmit, ndërmjetësimit kulturor dhe shkrirjes së miteve antike dhe moderne. Duke qenë me origjinë nga minoriteti grek i Shqipërisë (lindur në Poliçan të Pogonit, Gjirokastër) dhe duke jetuar prej vitesh në Qipro, ai mbart një identitet të dyfishtë, që reflektohet thellë në vargjet e tij. Shkruan dhe boton paralelisht në të dyja gjuhët (shqip dhe greqisht), duke bërë që bota e tij poetike të jetë një hapësirë ku përkojnë ndjesitë dhe traditat e dy popujve.
Kjo duket veçanërisht në vëllimet e tij poetike si: “Qiell barok melankolie”, “Ti më këshillon të blej një bilbil”, “Kōhē e vdekur, kohë e gjallë”, etj.
Lidhja kulturore në poezinë e tij përforcohet nga puna e tij e madhe si përkthyes. Ai ka sjellë në gjuhën shqip autorë të rëndësishëm grekë dhe qipriotë (si p.sh. antologji të poezisë greke apo vepra të Mehmet Jasin dhe Kostas Limburis), duke u kthyer në një ndërmjetës kulturor stoik që pasuron mjedisin letrar të të dyja vendeve.
Këtë mesazh transmeton edhe poezia mitologjike-antropologjike “Dodona”, një tekst me valencë të lartë poetiko-letrare, që shkrin elementet e miteve të lashta me studimin e thellë të natyrës njerëzore, origjinës, kulturës dhe kodeve ekzistenciale të njeriut. Kjo poezi nuk merret thjesht me orakujt dhe dëshirat e perëndive, por përdor mitet dhe strukturat e tyre për të shpjeguar sjelljet, psikologjinë dhe fatin e njeriut modern.
Poezia “Dodona” shfaqet si një metaforë ekzistenciale e identitetit, origjinës dhe dramës njerëzore, si një simbol i brengës njerëzore, i profecisë dhe i kujtesës së humbur. Çerkezi e integron këtë mit antik në mënyrë organike, duke e shkrirë me gjeografinë shpirtërore të vendlindjes së tij dhe me përvojën e mërgimit.
Në këtë formë, poezia e Petro Çerkezit nuk i sheh kulturat si të ndara, por si dy rrjedha shpirtërore që pasurojnë njëra-tjetrën brenda të njëjtit qiell mesdhetar. Për Çerkezin, Dodona është jo vetëm një rrënjë e përbashkët kulturore e Mesdheut dhe e Ballkanit, por edhe një nga shembujt më të pastër të kontinuitetit afatgjatë në Ballkan.
Ai nuk e ndan zanafillën e lashtë me thika të mprehta kombëtare. Në vargjet e tij, historia pellazge dhe ajo antike janë shtresa të thella ku si shqiptarët, ashtu edhe grekët, ndajnë të njëjtën trashëgimi shpirtërore.
Duket sikur Çerkezi ka vënë gjithë talentin dhe gjithë prestigjin e tij artistik në shërbim të kësaj fryme, pa këndellur ekskluzivizmin, pa pohuar dhe pa iu kundërvënë tezave të ndryshme për origjinën e tempullit. Ky, padyshim, është një kontribut i pazëvëndësueshëm, i rrallë dhe i pashembullt, i poetit dhe përkthyesit, që sheh si vlerën më të latë shumësinë e shpirtrave kolektivë, kategoritë e amshuara të humanizmit, paqes dhe bashkëjetesës mes popujve, që kanë një gjenezë dhe një kontekst të tyren. Poeti shkruan:
“Sot si ta kuptosh dëshirën e perëndive,
Dëshirën e sundimtarëve si ta kuptosh?
Për të thënë dëshirat e thjeshta njerëzore
S’ka nevojë për orakuj,
As transkiptim profecish pëllumbash pendëbardhë,
S’ka nevojë për altarë e tempuj”.
Duken si shprehje poetike të “huazuara” nga Bibla”. Gjithçka hyjnore është njerëzore, ndërsa gjithçka njerëzore, madje edhe logos-i, i përket historisë. Poeti është i sigurtë në kuptimësinë e kohës. Ai rreket ta “pushtojë” botën e historisë së Ballkanit, të dhënë pas teutonomanisë, duke e armatosur me norma universale, me gjithçka që shikohet si identike dhe e pandryshueshme te njeriu, me ngadhnjimin e shkallëshkallshëm të arsyes dhe të vlerave të miqësisë njerëzore, duke e ndarë, në njëfarë mënyre, arsyen nga historia, nga zakonet dhe paragjykimet:
“Le të pyesim zemrën, o ballkanas të vjetër,
Si ta kthejmë në pëllëmba miqësie
Gadishullin e ashpër me emrin Ballkan”.
Ky nuk është moralizim, por një thirrje e zjarrtë për t’i shndërruar principet transhedente në vlera kulturore universale, me besim të patundur te përparimi i arsyes, domethënë te ecuria ngulmuese, e vazhdueshme dhe drejtvizore e qytetërimit. Kjo filozofi e lartëson shumë poetin dhe e ngre poezinë e tij në një tempull frymëzues besimi, me fuqi të pashtershme krijuese, duke përçmuar miopinë nacionaliste, me qëllim që e ardhmja jonë ballkanike të lakohet në shumës dhe kombet të kenë një shpirt të përgjithshëm dhe një unitet moral të vërtetë.
“Në tempullin e Dodonës lëshoj një pëllumb”.
Ky padyshim është një mesazh hyjnor, pa dogma, që i flet njeriut ballkanik me një gjuhë universale, të kthjellët dhe të asyeshme, të ngrihet kundër metafizikës shkatërruese të ideologjive. Vetëm një poet iluminist, altruist dhe me talent sipëror, me frymëzim të pastër, jeton me iluzionin e shoqërisë së adhshme dhe i përulet shenjtërimit kohor. Ndaj nuk mund ta quajmë poezinë e Çekrezit një “pleonasmos”, me “tepri” ose “bollëk”. Përkundrazi ky krijim i jep dinjitet poetit dhe e rendit atë si një nga “predikuesit” më të urtë dhe të talentuar të urtësisë dhe përparimit bashkëkohor. Poezia e plotë e Petro Çekrezit:
PËLLUMBI I TEMPULLIT TË DODONËS
Në tempullin e Dodonës lëshoj një pëllumb.
Mblidhuni orakuj, mblidhuni fatthëna
Profetizoni kurbën e fluturimit.
Tremijë vjet të shkuara Uliksi u këshillua me orakujt
Për të gjetur rrugën e kthimit për në Itakë.
Në trajektoren e pëllumbit
Pëndëpërzhitur nga flakët e Trojës
Eneu shplekste fijet e fatit mes zhgënjimeve
Në gracka peripecish të pafundme.
Në tempullin e Dodonës lëshoj një pëllumb.
Sa pëllumba lëshohen nga podiume të larta
E stadiume olimpike,
Sa pëllumba pëndepërzhitur llangosur e nxirë
Si korba biblikë!
Sot si ta kuptosh dëshirën e perëndive,
Dëshirën e sundimtarëve si ta kuptosh?
Për të thënë dëshirat e thjeshta njerëzore
S’ka nevojë për orakuj,
As transkiptim profecish pëllumbash pendëbardhë,
S’ka nevojë për altarë e tempuj.
Le të pyesim zemrën, o ballkanas të vjetër,
Si ta kthejmë në pëllëmbë miqësie
Gadishullin e ashpër me emrin Ballkan.
Në tempullin e Dodonës lëshoj një pëllumb
Flatron e humbet nën qiellin e kuq.
***
Në një nivel krejtësisht ndryshe e ka trajtuar miku i tij, Ismail Kadare, mitin e Dodonës Pellazgjike. Kadare është fokusuar te përmasa kombëtare, mbrojtja e autoktonisë iliro-shqiptare dhe analiza politike e tiranisë. Kadareja e integron Dodonën në korpusin e tij si një shtyllë të fortë të identitetit etnik dhe si një alegori të pushtetit absolut. Në veprat e tij eseistike dhe letrare (si në esetë për identitetin shqiptar apo në librin “Dosja H”), Kadareja i rikthehet shpesh periudhës parahomerike. Ai e përdor mitin e Dodonës Pellazgjike si provë të lashtësisë së shqiptarëve (përmes trashëgimisë ilire) në Ballkan. Kadare argumenton se shqiptarët nuk janë “të ardhur” të vonë, por pasardhës të një shtrese kulturore shumë të vjetër që bashkëndau me Greqinë antike themelet e qytetërimit evropian.
Në mendimin kadarean, zërat që vinin nga fëshfëritja e lisit të shenjtë apo profecitë e koduara, ngjasojnë me mënyrën se si funksionojnë regjimet totalitare (si p.sh. te romani “Pallati i ëndrrave”.)
Orakulli bëhet simbol i institucionit që interpreton të vërtetën sipas interesave të pushtetit, duke ngjallur frikë dhe nënshtrim te njerëzit.
Në përputhje me traditën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare (veçanërisht të Naim Frashërit), Kadareja e ruan në sfond idenë e transferimit të shenjtërisë mitike. Ai e sheh Malin e Tomorrit në Shqipëri si një vazhdimësi shpirtërore të Dodonës së vjetër, ku kulti i natyrës, i lartësive dhe i shenjtërisë ka mbijetuar përmes shekujve në kujtesën kolektive të popullit shqiptar.
Përmbledhtazi, ndërsa Çerkezi e përdor Dodonën për të treguar se ku bëhen bashkë dy kulturat në një pikë mitike, Kadareja e përdor atë për të treguar kush jemi ne dhe si historia jonë e lashtë ndriçon tragjeditë tona moderne.
***
Për shqiptarët, Dodona konsiderohet një tempull shpirtëror i zanafillës sonë, sepse lidhet me trashëgiminë e Epirit dhe të ilirëve. Ndërsa për shkencën ndërkombëtare, ajo mbetet një monument universal i qytetërimit antik në Ballkan, i ngritur nga popullsitë parahelene (pellazgët) dhe i integruar më pas në botën greko-romake.
Në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar (FESH), botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (botimi i vitit 1985 dhe ai i riu 2008-2009), zëri për Dodonën (i hartuar nga Prof. Dr. Faik Drini, 4 prill 1943 – maj 2019, arkeolog, epigrafist dhe studiues i shquar shqiptar, i vlerësuar si një nga specialistët më të rëndësishëm të epigrafisë greke dhe latine në Shqipëri),
për Dodonën thuhet:
1. Përkufizimi dhe Vendndodhja Gjeografike
Qytet dhe qendër kulti: Dodona cilësohet si një qytet antik dhe një qendër shumë e rëndësishme kulti në Epirin antik.
Pozicioni: Rrënojat e saj lokalizohen zyrtarisht 18 km në jugperëndim të Janinës, në luginën e Carakovistës, rrëzë malit Tomaros (Uliçka).
2. Përkatësia Etnike dhe Ndryshimet Territoriale
Lidhja me Pellazgët: Fjalori nënvizon se lashtësia e orakullit të Dodonës lidhet historikisht me pellazgët. Ajo pranohet si një periudhë shumë më e hershme sesa vendosja e helenëve në Gadishullin Ballkanik apo themelimi i orakullit të tyre në Delf.
Fisat Epirote: Gjatë antikitetit, Dodona emërtohet herë si thesprote dhe herë si molose. Ky ndryshim erdhi si pasojë e zhvendosjes së kufijve dhe kalimit të epërsisë politike e territoriale brenda bashkësisë së fiseve epirote, nga thesprotët te molosët.