Presidenti serb Vuçiç jep dorëheqjen
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka dhënë dorëheqjen nga posti i presidentit, në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, ku ai pritet të kandidojë si kandidat i Partisë Progresive Serbe (SNS) për postin e kryeministrit, sipas euractiv.com.
Dorëheqja vjen gjatë mandatit të dytë presidencial të Vuçiçit. Sipas Kushtetutës serbe, ai nuk mund të kandidojë për një mandat të tretë presidencial.
Në periudhën e tranzicionit, detyrën e presidentit do ta ushtrojë përkohësisht kryetarja në largim e Kuvendit dhe një prej drejtuesve të lartë të SNS-së, Ana Brnabiç.
Vuçiç kishte paralajmëruar më herët dorëheqjen e tij, ndërsa vendimi formal u bë i ditur të dielën. Sipas ligjit serb, pas dorëheqjes së presidentit duhet të zhvillohen zgjedhje të reja presidenciale brenda tre muajve.
Kjo nënkupton se Serbia pritet të zhvillojë dy procese zgjedhore gjatë këtij viti: zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të planifikuara për 25 tetor, dhe më pas zgjedhjet e parakohshme presidenciale.
Para dorëheqjes, Vuçiç deklaroi për transmetuesin publik RTS se zgjedhjet presidenciale do të thirreshin më shumë se një muaj pas zgjedhjeve parlamentare.
“Fokusi i plotë dhe përqendrimi absolut duhet të jetë te zgjedhjet parlamentare dhe fitorja, sepse zgjedhjet parlamentare do të përcaktojnë rrugën e Serbisë”, tha Vuçiç.
Ndërkohë, lëvizja studentore serbe, e cila garon përmes të ashtuquajturës “Lista e Studentëve”, po sfidon SNS-në në zgjedhjet e ardhshme. RTS kishte ftuar Vuçiçin dhe Ilija Srdanoviçin, kandidatin e parë të listës studentore, në një debat televiziv.
Përfaqësuesit e lëvizjes studentore kanë kërkuar më shumë detaje mbi formatin, temat, kohëzgjatjen dhe pjesëmarrësit në debat, si dhe mbulim të barabartë dhe të drejtë të të gjithë pjesëmarrësve në fushatë.
Sipas sondazheve të cituara në raportime, SNS dhe Lista e Studentëve përbëjnë aktualisht dy nga forcat kryesore politike në garën parlamentare, megjithëse sondazhet ndryshojnë në vlerësimet e tyre për rezultatin e mundshëm.
Ndërkohë, gara presidenciale mbetet ende e paqartë, pasi kandidatët nuk janë shpallur zyrtarisht dhe fushata për zgjedhjet presidenciale nuk ka marrë ende të njëjtin vëmendje publike./atsh