Albspirit

Media/News/Publishing

Arben Iliazi: Poezia e Fatos Arapit, një dhuratë hyjnore për brezat

Më 10 tetor 2018, në moshën 89-vjeçare, shkrimtari i njohur Fatos Arapi iku në amshim. Por na ka lënë, si dhuratë hyjnore, një mori të madhe poezish të pavdekshme, sa universale, aq edhe filozofike dhe ekzistenciale, të cilat edhe sot e kësaj dite rrëzëllejnë me një shkëlqim engjëllor, me një forcë të jashtëzakonshme, magjiplotë, me një shqiptim metaforik e ekspresiv. Poezia e tij, e përkundur në habitatin poetik të Jonit, është një bashkëbisedim intim me botën. Në përjetimet e tij të fuqishme shpërfaqet fati i individit shqiptar, dhimbja dhe gëzimi, jeta dhe vdekja, koha dhe shoqëria. Dashuria për njerëzit, historia dhe humanizmi, e veshin poezinë e tij me një petk të ndritshëm dhe një lirizëm brilant.

Krijimin e parë e botoi në vitin 1949, ndërsa një muaj përpara se të mbyllte sytë vazhdonte të shkruante dhe lexonte duke patur në këtë mënyrë një karrierë letrare 69 – vjeçare.

I përballur me një jetë të stuhishme Arapi synoi krijimin e një poezie që zë fill te njeriu, duke refuzuar objektivizmin e mermertë e të akullt të realizmit socialist.

Në vitet 1962 e 1966 botoi vëllimet “Shtigje poetike” dhe “Poezi e vjersha”. Që në hapat e parë ai paralajmëroi një zë të veçantë në artikulimin gjuhësor të botës dhe të njeriut, një vizion të vetin mbi realitetin. Poezia e tij, për gjatë gjysmë shekulli, arriti ta ruajë tërësinë e qëndrueshme estetike dhe etike, me thellësí dhe hapësira universale përfytyrimi, duke e vendosur objektivin poetik brenda konteksteve ekzistenciale, ku shquhet mprehtësia e mendimit dhe figuracioni i freskët, e ngarkuar me përmbajtje dhe ndjeshmëri të papërsëritshme. Më 1971 i botohet në Prishtinë vëllimi “Kaltërsira”. Vëllimin “Më jepni një emër” ia ndaloi diktatura. Pas tij ai shkroi vëllimet: “Drejt qindra shekujsh shkojmë” (1977), “Fatet” (i botuar në Prishtinë më 1979), “Duke dalë prej ëndrrës” (1989). Në anën tjetër pas rënies së diktaturës botoi vëllimet: “Ku shkoni ju statuja”, Tiranë 1990, “Dafina nën shi”, Tiranë 1991, “Ne, pikëllimi i dritave”, Tiranë 1993, “Unë vdiqa në brigjet e Jonit”, Shkup, 1993, “Më vjen keq për jagon”, Tiranë 1994, “In tenebris”, Tiranë 1996, Urna e vogël (1997-2003), Një buzëqeshje e pabesueshme (2005-2010), “Më jepni një emër”: poezi të zgjedhura, 1962-1989 (Tiranë, Neraida, 2014).

Disa herë ka fituar çmime kombëtare e ndërkombëtare për poezi. Në vitin 2008 Fatos Arapi fitoi “Kurorën e artë” në manifestimin poetik “Mbrëmjet e poezisë strugane” dhe është i pari poet shqiptar që e ka fituar këtë shpërblim.

***

Vepra e Fatos Arapit është e pasur në llojet e zhanret e ndryshme që ai lëvroi. Përveç poezisë, ku ai qëndron në rreshtat e parë dhe ku u kritikua disa here për hermetizëm dhe modernizëm , Fatos Arapi ka shkruar edhe disa novela: Patat e egra, 1969; Cipa e borës, 1985; Gjeniu pa kokë, 1999 etj; disa romane: Dhjetori i shqetësuar,1970; Shokët,1977; Deti në mes,1986; ka bërë disa përkthime: Këngë për njeriun, Nikolla Vapcarov, 1981; Poezi, Pablo Neruda, 1989; Safo, 1990; Antologji e poezisë turke etj; si dhe ka shkruar një numër të madh artikujsh e studimesh të ndryshme.

Fatos Arapi ka dhënë ndihmesë edhe në lëvrimin e dramaturgjisë, duke shkruar disa drama si: “Drama e një Partizani pa emër”,1962; “Qezari dhe ushtari i mirë Shvejk, në front diku”,1995, etj.

“Drama e një Partizani pa emër” u vu në fokus të goditjeve apokaliptike në Plenumin e XV të KQ të PPSH, për letërsinë dhe artin (25 qershor 1965).

Pasuan privacione të shumta. Autori u godit dhe, si rrjedhojë, Fatos Arapin e hoqën nga puna si pedagog dhe e degdisën në një nga shkollat tetëvjeçare të qytetit të Vlorës. Por megjithë largësinë e pakapërcyeshme që ndante talentin e tij të rrallë me nivelin e ulët të kohës që jetoi, Fatos Arapi mbeti gjithmonë i frymëzuar, i papërmbajtshëm, me një temperament të etshëm e plot tallaze.

_____

Marrë nga “Revista Letrare” (Vjeshtë 2025).

Rubrika “Kujtesë” në nder të shkrimtarit Fatos Arapi, u përgatit nga Arben Iliazi.