Albspirit

Media/News/Publishing

Ismet Hajrullahu: RTK-ja dhe dështimi i saj profesional e kombëtar

Me shkas të zhvillimeve dhe krizës së fundit që po kalon transmetuesi publik, po e ri-publikoj këtë artikull editorial, i cili për herë të parë është botuar në periudhën 2007–2008.

Shumëkush shtron pyetjet se kujt i shërben Radio Televizioni i Kosovës (RTK), nga kush paguhet, dhe cili është qëllimi i këtij mediumi? Nhiều do të thonin se fjala është për një televizion të OSBE-së, ku ndërthuren interesa të shumta të etnive të tjera dhe më pak ato shqiptare. Por, në industrinë e mediave ekziston një ligj i pashkruar: kush jep paratë, ai bën politikën. Këtu paratë i jep populli i Kosovës, dhe ato jo pak.
Çdo familjeje në Kosovën e varfër i merren në muaj nga dhjetë bukë, para të dedikuara për RTK-në, të cilat ende vazhdojnë të mblidhen nëpërmjet faturave të KEK-ut. Kjo nënkupton se ky televizion, i cili paguhet edhe nga familjet e varfra të Kosovës, duhet të ndjekë interesin e popullatës që e financon. Por për ironi të ligjit të pashkruar, ky televizion nuk mbron interesat e përgjithshme, por mjerisht mbron disa interesa të ngushta grupore e klanore.
Kohët e fundit, në RTK disa u ngjirën duke bërtitur për të ruajtur pavarësinë. Kjo do të ishte shumë normale nëse kjo “pavarësi” do mbrohej nga ndërhyrja e politikave të njëanshme, brenda radiotelevizionit publik. Por, me sa duket halli nuk është te mosndërhyrja e politikës institucionale, por te frika se stafi menaxhues mund të kalojë në sistemin e pagave të buxhetorëve.
Dihet që rroga mesatare e buxhetorëve të Kosovës është vetëm 206 EUR, ndërsa e atyre në RTK kalon vlerën prej 500 EUR, këtu duke mos marrë parasysh pagat e menaxherëve apo drejtorëve, të cilat janë shumë herë më të larta. Kur shohim këtë disproporcion në mes të rrogave mesatare buxhetore dhe atyre të këtij mediumi, çdokush do të thoshte se nuk kanë faj që ngjiren ata që bërtasin sepse i mbrojnë fitimet e tyre.
Çfarë është shqetësuese në këtë medium, është fakti se çfarë nënkuptojnë drejtuesit e këtij televizioni me stërpërsëritjet se janë medium i pavarur. Por, nga e kanë fituar këtë pavarësi – nga Kosova!? Është më se e drejtë që pavarësia e radiotelevizionit publik të mbrohet nga ndikimet e partive politike, si dhe me çdo mënyrë dhe mjet nga ndikimet e individëve dhe shërbimeve sekrete të huaja, por në asnjë mënyrë nuk do duhej t’i shmangej mbrojtjes së interesave madhore të vendit. Tani parashtrohet pyetja se a pasqyrohen dhe mbrohen interesat e qytetarëve të Kosovës? Sigurisht që jo! Këtë e themi mbi bazën e argumentit se opinioni i Kosovës është injoruar pikërisht në kohët kur ky televizion vërtet do të duhej të pozicionohej qartë në mbështetje të interesave të vendit.
Ndërsa qytetarët e Kosovës rropaten dhe gjakosen që më shumë se një shekull, për të fituar mëvetësinë nga shteti serb, RTK-ja injoron të ardhmen e Kosovës dhe qytetarëve të saj, duke mos transmetuar ngjarje me rëndësi të veçantë historike. Kjo gjë mund të faktohet thjesht me tri ngjarje. Ngjarje të cilave nuk u është dhënë rëndësia dhe pesha e duhur profesionale e aq më pak ajo kombëtare.
Fakti i parë është vizita historike e presidentit Bush në Tiranë, ku për herë të parë, fuqimisht shqiptarët morën premtimin më domethënës në histori: Kosova do të jetë e pavarur! Kushdo që e ka dëgjuar këtë injorim që i ka bërë RTK-ja presidentit të SHBA-ve, do të mund të vlerësonte pa shumë vështirësi se ky televizion nuk është në shërbim të interesave madhore të qytetarëve, si dhe nuk është i pavarur nga ata të cilët dikur i kanë shërbyer një pushteti antishqiptar dhe antiamerikan.
Fakti i dytë i cili tregon se ky medium nuk është i pavarur, është mungesa e interesimit të plotë për procesin ndaj ish-kryeministrit Haradinaj në Hagë. Por edhe kur incizimi transmetohej, ai transmetohej pas orës 24 kur Kosova praktikisht flinte. Arsyetimi i stafit menaxhues për mos transmetim të drejtpërdrejtë, sa është banal, është po aq edhe provokues. Është provokues sepse në vend që t’i krijojë hapësirë procesit Haradinaj, ajo transmeton emisione antishqiptare, siç është ai i “beretave të kuqe”. Përveç këtij absurditeti, për ironi, drejtuesit e këtij televizioni “100% të pavarur” kishin kohë dhe hapësirë për të transmetuar drejtpërdrejt procesin e Millosheviqit, kasapit të qindra mijëra shqiptarëve, boshnjakëve dhe kroatëve.
Fakti i tretë që është shumë revoltues, dhe që do të duhej të shqetësonte jo vetëm Kuvendin e Kosovës por edhe opinionin e gjerë, është injorimi që i është bërë debatit të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara nga RTK-ja për çështjen e Kosovës. Dhe kjo në debatin ku kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, jo vetëm që mbrojti para të gjithë përfaqësuesve të shteteve të botës pavarësinë e Kosovës, por edhe për herë të parë në historinë e një kryeministri shqiptar, me një zë të fuqishëm deklaroi se Kosova kurrë nuk ka qenë pjesë e Serbisë para vitit 1912.
Të gjitha këto fakte dhe shumë fakte të papërmendura, tregojnë se stafi menaxhues dhe ai i politikës redaktuese të RTK-së ka dështuar si në aspektin profesional ashtu edhe në atë kombëtar.
Kështu që, e vetmja shpresë që mbetet në mënyrë që RTK-ja t’i rikthehet profesionalizmit dhe interesave të vendit dhe qytetarëve të saj, është që Kuvendi i Kosovës të shtyjë bordin drejtues, të zgjedhur nga vetë ai, të ndryshojë politikën redaktuese të këtij mediumi publik.