Bardhosh Gaçe: Ata që shpallën pavarësinë kombëtare, Myfid Libohova

Myfid Libohova ka lindur në Libohovë të Gjirokastrës në vitin 1867. Mësimet e shkollës së mesme i vijoi në Janinë dhe studimet e larta në degën e Drejtësisë në Universitetin e Stambollit. Disa vite punoi si Sekretar i Parë i ambasadës turke në Belgjikë dhe Konsull i Përgjithshëm në Larisa të Thesalisë. Në vitin 1908 u zgjodh deputet i Gjirokastrës në parlamentin xhonturk.
Në fjalën e tij në këtë parlament ai mbrojti çështjen kombëtare dhe alfabetin e gjuhës shqipe. Botoi mjaft artikuj në shtypin e kohës e veçanërisht në revistën “Shqiptari” që dilte në Stamboll. Janë të njohura protestat e tij në parlamentin turk në mbrojtje të kryengritjeve antiosmane në Kosovë në vitet 1908-1912. Demaskoi ashpër pranë Portës së Lartë masakrat e ushtrisë turke që komandohej nga Xhavit Turgut Pasha në viset shqiptare.
Në nëntor të vitit 1912 u zgjodh delegat i Gjirokastrës dhe Tepelenës në Kuvendin Historik të Vlorës, për Shpalljen e Pavarësisë Kombëtare. Në Qeverinë e Vlorës u zgjodh Ministër i Punëve të Brendshme.
(Gazeta “Përlindja e Shqypnies”, nr. 8-9, datë 7-11 shkurt 1914).
Eqerem Vlora në kujtimet e tij shkruan:
“Mufit bej Libohova – Arsllan Pashalli, ishte me të vërtetë një nga personalitetet e Shqipërisë, nga më të çuditshmit në atë kohë. Për kulturën e tij evropiane të theksuar dëshmonte arsimi i tij i lartë që e shquante nga të gjithë burrat e tjerë. Ai ishte doktor në Jurisprudencë i Universitetit të Brukselit, shumë i pasur shkrimtar i njohur në Turqi dhe kishte përpara tij në perandorinë e Osmanllinjve një karrike të shkëlqyer.
Si djalë i një shtëpie të madhe e të pasur ay kishte të gjitha vetitë e posaçme, por edhe të gjitha veset që duket të kishte një pinjuell i një familjeje me rëndësi që të mund të pëlqehej në Shqipëri”.
(Eqerem bej Vlora, “Kujtime nga jeta”, vol. II, fq. 7, Munih 1968).
Ismail Qemali dhe qeveria e Vlorës e dërguan në Europë për t’u takuar me diplomacinë e saj për çështjen e kufijve të Shqipërisë. Zhvilloi një veprimtari të gjerë diplomatike, e cila pasqyrohet në shtypin e kohës në Itali, Austri dhe Francë. Gazeta “Përlindja e Shqypnies” vë në dukje se “në Vjenë e pyetën z. Myfid bej Gjirokastra mbi organizimin e Shqipërisë. Zotëria e tij u përgjigj se ushtria do të organizohet pas tipit dhe mënyrës së helveties, normat administrative do të bëhen pas normave europiane”.
(Gazeta “Përlindja e Shqypnies”, nr. 3, datë 28 gusht 1913).
Edhe sipas gazetës “Corriere della Sera”, në misionin e tij në Romë njoftonte se “Komisia shqiptare që kishte dalë në Europë për punën e kufinjve të Jugës me në krye z. Myfid bej, pasi bëri fjalë me Ministrin e Jashtëm të Austrisë dhe të Italisë, u kthye me të shpejtë në Shqipëri”.
(Gazeta “Përlindja e Shqypnies”, datë 11, vjeshtë e I-rë 1913).
Dha ndihmesën e tij për organizimin e frontit të luftës kundër shovinistëve grekë në Llogara, Himarë dhe Kurvelesh. Në telegramin që Ismail Qemali i dërgon komandantit të forcave shqiptare dhe nënprefektit të Himarës në Kuç, më 16 janar 1913, shkruan: “Telegrami juaj dërguar Myfid bej Efendiut u pa. Në këtë telegram thuhet se jeni duke forcuar pozitën tuaj mbrojtëse dhe kërkohen të dërgohen ushqime”.
(AQSH, Fondi 71, dosja 2, dok. Nr. 11104).
Në vjeshtën e vitit 1913, me ndërhyrjne e Vjenës dhe të Romës, iu deklarua Ismail Qemalit dhe qeverisë së Vlorës se ishte i ngutshëm caktimi i Myfid bej Libohovës “si anëtar i këtij organi”, që thërritej Këshilli Ndërkombëtar i Kufijve (KNK).
Më 10 tetor Ismail Qemali i dha këtë përgjigje Vjenës: “Të gjithë ministrat, me përjashtim të Ministritt ë Drejtësisë, janë patjetër kundër emërimit të Myfidit, mbasi ai ka humbur besimin jo vetëm të kabinetit, por edhe të popullit”.
(Letër e Krajevskit në KNK, datë 18 tetor 1913, në Vlorë).
Në mbledhjen e 30 tetorit 1913, KNK-ja pranoi emërimin e Myfid bej Libohovës si anëtar, pa marrë miratimin e Qeverisë së Vlorës. Në qeverinë e Princ Vidit në Durrës, mars 1914, ai u zgjodh Ministër i Drejtësisë dhe më vonë Ministër Fuqiplotë në Romë.
Në dhjetor të vitit 1918 ishte delegat i Kongresit të Durrësit, ku u zgjodh Ministër i Punëve të Jashtme. Në këtë kongres ai deklaroi: “Bolshevikët nxuarrën në shesh një traktat të mçeftë lidhun më 1915, ndërmjet Qeverisë së Marrëveshjes. Një nyje e atij traktati flet për copëtimin e Shqipnisë. Ne protestojmë me energji vendimin e tij në dam të Shqipnisë“.
(Lef Nosi, Dokumenta Historike, fq. 56, Elbasan, prill 1924).
Sipas jetëshkrimit të tij, Myfid bej Libohova kreu detyra të rëndësishme në shtetin dhe politikën shqiptare; më 30 mars 1924 – Ministër i Drejtësisë, më 27 maj 1924 – Ministër i Financave, më 6 janar 1925 – Ministër i Drejtësisë, Financave dhe i Punëve të Jashtme, më 1 shkurt 1925 – Ministër i Punëve të Jashtme dhe i Financave, më 17 maj 1925 – përfaqësues në Dhomën e Deputetëve”. (AQSH, Fondi 270, dosja 49, fleta 55).
Në vitet e fundit të jetës së tij ai botoi librat “Politika ime në Shqipëri”, 1920, “Kujtimet e mia”, (e pabotuar) dhe “Ali Pashë Tepelena”.
Myfid Libohova vdiq në vitin 1927.