Cikël poetik nga Luan Rama
Pesëdhjetë fretër zbresin të luten në kthinat e ferrit
—
“Për të gjetur të kaluarën ti duhet të ecësh shumë…”
Janis Ricos
—
E habitshme ajo ditë kur pesëdhjetë fretër
zbritën të luten në kthinat e ferrit,
në një sallë betoni të burgut të Spaçit
me mure të bjerrun që ende rënkojnë,
me dritare hekurash që ende brengosen
në zinë që s’ka fund.
Pesëdhjetë engjëj kanë zbritur thjeshtë me sandale
dhe petkat e bardha, aromë qumështi
të luten për jetët që u shuan
dhe britmat e atyre që kërkonin lirinë.
Në lutje e sipër muret fisnikërohen:
“Aleluja!” – thonê njëzëri,
“Kujtohu që jeta ime është vetëm frymë!”
Nuk është një kishë a katedrale
me vitrazhe, afreskë, llampadarë
dhe me fytyrën e Shën Mërisë mbi muret gotike,
është thjeshtë një skutë e lagësht plot mbishkrime të vdekurish
me ëndrrat e tyre më të bukura,
me fytyra grash, nënash, fëmijësh
dhe livadhe të gjelbëruar,
një sallë e vjetër linçimi
ku sot këndohet kantika e dashurisë.
Atëherë të gjitha ëndrrat shfaqeshin aty
në tisin e errët të natës së gjatë,
mbi dyshemenë e errët e të myktë
të prehnin shpirtrat e cfilitur
dhe tu kthenin fjalët ndër buzë
si në një meshë flijimi
e pastaj ti mirrnin tej mureve të ferrit
drejt aureolës dhe dritës së bardhë të jetës,
në dashuritë e munguara.
Fretërit luten në heshtjen e madhe
“ Aleluja ! Për dritën e Zotit që u shfaq sërish!”
Askush nga banorët e dikurshëm të këtij vendi
nuk e ka menduar se kjo fjetore do fisnikërohej
dhe do kthehej një ditë në një altar kujtese.
Veç kujtime…
“ Veçse ti je, ti fati dhe mos-fati im/ e pashtershme, e pastër… ”
Jorge Borges (“I dashuruari”)
—
Veç kujtime, petale purpuri në këtë botë të hirtë
flakëza në muzgun që bie me krahë zogjsh,
lirishta të gjelbërta, fllade, pëshpërima
dhe emblema pikëtakimesh që farfurijnë
buzë të pulpta në dekorin e natës që shuhet
e humbet në liqenin e syve të tu.
Veç kujtime që më zgjojnë
Hire që shndrisin si vitrazhe katedralesh
një det dëshire i paanë
përgjumje mbrëmjesh që zgjasnin gjer në agim
koha kur zbuloja mistered he enigmën njerëzore
ku dy zemra pulsonin
mbi prushet e ekstazës.
Veç kujtime dehëse një mbi një
palimpsest i fshehtë dashurie
ku humbisnim me vrulle të ngjashme
pritje, ankthe, zgjime
dhe gjithnjë këmbët e tua tek nxitonin
me fustanin që të ngrihej në erë
ku fshihej magjia.
Veç kujtime trishti e loti
për të mos harruar se kam dashuruar
për kohën që shkiste aq shpejt nga gishtërinjtë tanë
për vite që ktheheshin në muaj, javë, ditë
në akrepa sahatesh të çmendur që nxitonin,
për errësirën që binte
dhe shndriste nën sytë e një hëne të xhveshur
të netëve pa gjumë.
Veç kujtime pa datë
me një libër të Nerudës me vargje dashurie
kur doja të të dhuroja hënën dhe diellin
por që s’mund ti merrja dot sëbashku,
një diell i flaktë dhe një hënë e ftohtë
zemëruar mes tyre s’di pse,
kohë kur doja ta lija qiellin në errësirë,
veç me yjet e Udhës së Qumështit,
alfabete qumështi, malli e gjaku
dhe një këngë cigane e Lorkës së vrarë
që zgjohej papritur në Fuente Vaqueros të Grenadës së tij,
mërmërima dhe një portokall në duart e tua
që digjte si diell.
Ti rendje si fëmijë me sandale në duar
në të gjelbërtën e jetës që bulëzonte
me buzët e gjakut
me flokët pushpuritur nëpër erë.
Kujtime që s’i humbin shkëlqimet
dhe në netët e zemërimit
kur heshtja dhe trishti thyheshin në qindra kristale
kujtime-lumenj që rrjedhin ende ndër deje
me zogj ndër duar që s’duan të kthehen më
në këto mërgime të largëta
që ikin dhe fshihen tej kufijve të botës.
Veç kujtime larg mistikës e mitologjisë
aromë kurmi dhe gruri
uji, etja dhe buka ime,
mirazhe avulli
dhe shira që bien mbi gjinjtë e tu të nxehtë,
kujtime që djegin…
Pema e Gëtes
—
Gëte nuk mund ta imagjinonte se një ditë
lisi i madh në Ettersberg
ku vinte të prehej në ditët e rinisë
do të vdiste në mënyrë të trishtë
në dekorin e kampit famëkeq të Buchenvald-it,
ku nazizmi do jepte gërhamat e tij të fundit.
Nuk mund ta imagjinonte se në fëshfërimën e gjetheve
do dëgjoheshin mijra krisma e rënkime,
vaje fatesh të humbura që do t’ia thanin trungun përjetësisht
në ato vite holokausti
kodra ku gjelbëronte dikur “ Die Goethe-Eiche ”
do mbante mbi vete hirin e aq shumë vdekjeve
ku jeta shuhej dhe në sytë e një fëmije
në ofshamën e një gruaje lehonë,
në një përshëndetje pezull në ajër.
Jo, Gëte nuk mund ta besonte se një ditë
ajo kodër e gjelbërt ku shkruante vargje dashurie,
ajo pemë shekullore,
zonjë e rëndë e plot hire
do dergjej në zinë e madhe të botës.
Të harrosh urinë
—
Veç dy sy të lagësht,
dy gjinj të njomësht frymojnë mbi telajo
e shoh gjatë dhe harroj kohën, perëndimin,
gjithçka nis e shuhet brenda meje
pulsimet e gjakut
fryma dhe flladet
uria…
Në Paris Heminguei e harronte urinë
tek shihte në muze tablotë e Tizianos
sytë dhe buzët e pulpta të Fornarinës
me dëshirën të pikturonte dhe ai,
në apartamentin e një rruge parisiane “Cardinal Lemoine”,
Modiliani pikturonte nudot e të dashurave
dhe uria nuk trokiste në portën e mbyllur të tij.
Si mund ta harrosh kështu urinë?
Thuamë, si mund?
Kur çdo orë, çdo ditë,
ti humbet në një uri tjetër
nga ajo e dashurisë në atë të dijes,
të librit, odeoneve, artit
himne e mistere të botës që të mbajnë frymën,
kështu buzët të përthahen
e ti zhytesh gjithnjë e më thellë
në palimpsestin e kohës, njeriut,
ku uria e shpirtit të klith në çdo qelizë,
është uria tjetër që të lë pa gjumë,
të harrosh natën dhe të dehesh
nën qiejtë e vjetër ku ka veç dritë.
Si mund ta shuash urinë
në këtë botë të dijes e dashurisë
ku koha rend dhe orët të tërheqin vërtik drejt tyre
në botën e magjisë
gjer në frymën e kësaj dashurie të pashuar ?
Mik i dashur i librit, artit,
misterit dhe mistikës të së bukurës,
një ditë, një stinë, ndër vite
në flladet e përhumbjes
ti do ta harrosh gjithnjë klithmën e urisë së trupit
pasi një uri tjetër të ka bërë të uriturin e përjetshëm
si në një vizatim okër të Da Vinçit.
Lorka i pagjumë në një dritare të Torontos
—
Nga dritarja në Toronto
qielli i përflakur më sjell Garcia Lorkën
dhe dansin spanjoll me gjashtë cigane
që hedhin valle në mbrëmje
mbi një dritë të bardhë.
Ka një shekull që Lorka nuk flë
çdo ditë zgjon botën me vargjet e tij
një tufë karafilësh
jasminë, hënë, kitarrë
vrulle të stuhishme demash
me këngët e vjetra të Kordovës
dhe pastaj një natë e vrarë,
me ëndrrat e tij si shami të bardha
që era i merr për ti sjellë tek ti.
Frederico me sytë e bukur e të zinj
si ullinjtë e Grenadës
etur për dashuri mbi këtë qiell të botës
që këndon këngën e tij,
sa shumë e deshi botën e tij
dhe botën tonë!
Libri i fëmijërisë
—
Libri im i fëmijërisë është një shesh i vjetër i Tiranës
që tashmë nuk ekziston më,
mure të vjetra çerpiçi
si një mirazh që hepohet në mirazhin e nxehtë
ku zemra e këtij shekulli nuk pulson më,
dyert e dritaret kanê mbetur në ajër
në fytyrën e fëmijërisë
muret i kanë vrarë dhe shtëpitë kanë mbetur vetmitare
në dritën e mjegullt të kujtesës
me aromën e gëlqeres dhe jasminit
nën dritën e bardhë,
pemët e kopshteve i kanë shkulur
bashkë me gurët dhe hiret e të vdekurve.
Ai shesh ishte çanta ime e abetares
që hidhja krahëve çdo mëngjes
me përrallat e Gishtos,
tregimet e Pinokut e të Tom Sojerit,
ishte libri im i gjeografisë njerëzore,
ku më pas zbulova kopshtet e dashurisë
ku dielli përthyhej në njëmijë rreze
mbi diskun e vjetër të një biçiklete,
vrapoja zbathur pas tij si i çmendur,
bëhesha fllad, anije kozmike,
udhëtoja në botën e yjeve.
Në fletët e kkëtij libri kanë mbetur çatitë dhe tjegullat,
rrënojat e kishës françeskane prishur me buldozer,
borzilokët, pjergullat dhe hurmat
që si diej të vegjël shkëlqenin në mesnatë
të kuqe si mollët e arta të përrallës,
manjola e lartë më shfaqet sërish krahëhapur
si një vajzë e dashuruar që zbulon bohçen e saj erotike
në një velur të bardhë, me një rrëkezë qumështi.
Mjerisht ai shesh nuk është më,
tashmë është thjesht një libër imazhesh
kaleidoskopi im marramendës shpëtuar nga kataklizma,
ekrani i kinemasë së vjetër
ku përtej luhej jeta dhe vdekja e botës.
Në netët e verës përjetonim « cinema paradiso »,
përgjërime, puthje, gjinj e pëshpërima
kur ende nuk e njihnim ekstazën.
Në librin tim
plakat tiranase kanë mbetur po aty
shamibardha me paqen në sy
ulur pragjeve tek kujtojnë nusërinë,
kasapi i lagjes ka përveshur llërët,
furrtari i vjetër fut tavat në furrë,
këpucari plak mërmërit ende një bejte të vjetër
dhe padashur godit gishtërinjtë e tij,
më së fundi feneri i zbehtë i rrugicës shuhet në ag
është libri, gjithnjë,
ky palimpsest imazhesh
me kambanat e kishës pranë
që binin për meshë
dhe ajo copë e thyer pasqyre
ku e dritën e fortë të diellit
e hidhja në dritaren e të dashurës së parë,
luaja me diellin e picërroja sytë
pa mundur të zbuloj magjinë e tij.
Libri im i fëmijërisë është një libër i çuditshëm
ku gëlojnë njëmijë përralla të jetës njerëzore.
Mjerisht ai shesh nuk është më,
varrmihësit e kohës moderne
ngjan se kanë hapur një varr të thellë
për të ngritur një tjetër grataçielë betoni…
31 tetor 2025.