Albspirit

Media/News/Publishing

Cristian Camiche: Kudret Isaj dhe libri “Dy helvetë nëpër udhët e Ilirisë së vjetër”

Nuk ndodh çdo ditë që një figurë historike zvicerane të nxirret nga harresa nga një studiues kureshtar që vjen nga një vend që nuk është – vërtet- fqinj. Eugente Pittard, pasi për të bëhet fjalë, është një emër i njohur për banorët e Gjenevës; ai është emri i një rruge që ndodhet në një lagje rezidenciale të qytetit ndërkombëtar. Por shumica e gjenevasfe ndoshta nuk e dinë që Eugene Pittard ishte një shkencëtar ndër më të njohurit e gjysmës së parë të shekullit XX-të. Profet në vendin e tij, Pittard, i lindur në vitin 1867 dhe i ndarë nga jeta në 1962, ishte i tillë që në gjallje, si studiues i shquar, por edhe si anëtar apo president nderi i shumë shoqatave shkencore. Gjeneva i detyrohet atij veçanërisht për Muzeun e Etnografisë, një perlë e kulturës. Pittard gjithashtu ishte gjithashtu një filantrop, i cili i kushtoi një pjesë të madhe të energjisë së tij çështjeve fisnike. Një prej tyre ishte angazhimi humanitar në favor të Shqipërisë, ku ai krijoi një degë të Kryqit të Kuq në vitin 1921, përpara se të dërgonte ndihma ushqimore në këtë vend.
Ngarkesa e veprimtarisë së Eugene Pittard i detyrohet pa dyshim edhe bashkëshortes së tij, Nowlle Roger, emri i vërtetë i së cilës është Helene Dufur, gazetare dhe shkrimtare nga Gjeneva, e cila e shoqëroi bashkëshortin e saj në shumicën e udhëtimeve të tij. Rreth pesëdhjetë libra, kryesisht romane, disa prej të cilave flasin për katastrofa, zbulojnë natyrën profetike të autores. Kështu, “Dielli i varrosur”, roman i botuar në vitin 1928, flet për rikthimin e Atlantidës. Fjalori online shkruan se në vitin 1915 ajo u angazhua si infermiere në spitalin e Lionit në Francë ku kujdesej për të plagosurit e luftës. Pa dyshim, zonja Pittard, e njohur si Roger, do ta meritonte gjithashtu që Gjeneva t’i kushtonte një rrugë. Sot, për fat të keq, Eugene Pittard ka rënë në një harresë relative. Ai është zhdukur nga kujtesa kolektive. Por shpirti i tij, që vuan nga mosmirënjohja e bashkëqyetarëve, ringjallet tani falë kësaj mrekullie botuese që përbën biografia monumentale e ndërtuar si një kaleidoskop nga Kudret Isaj. Duhej që një gazetar dhe poet shqiptar, adhurues i muzikës cigane si Pittard, ta rikthente në vëmendje punën e një gjenevasi të madh, këtij shkencëtari që prehet në varrezat e Mbretërve të Gjenevës.
Kur e mban në duar biografinë kushtuar Eugente Pittard, nuk mund të mos mbetesh i habitur nga puna e bërë. Gati 1000 faqe! Një vepër voluminoze, siç thuhet për libra të tillë. Por një vepër që përshkruan ‘vetëm’ përfundimin e një jete, siç tregon titulli: “Udhëtimi i Eugene dhe Helenë Pittard në Shqipëri, Gjenevë -Tiranë. Në gjurmët e Kryqit të Kuq shqiptar në Gjenevë”. Sa vëllime të tjera të kësaj natyre do të duheshin nëse do të trajtoheshin udhëtimet e mëparshme të antropologut gjenevas! Pittard ishte rreth të dyzetave kur kreu gërmime në Shqipëri, ku zbuloi një vendbanim neolitik pranë liqenit të Prespës. Por më parë ai kishte ardhur disa herë në këtë vend, kishte furnizuar popullsinë me grurë dhe kishte themeluar një degë të Kryqit të Kuq. Mbi të gjitha, ai kishte luftuar për pavarësinë e Shqipërisë në një kohë kur kombet europiane përplaseshin me njeri-tjetrin. Shqiptarët nuk janë mosmirënjohës. Ata e ftuan së bashku me bashkëshorten e tij Helenë. Të dy përshkruan vendin. Me një qëndrim krenar, mjekër të dendur kripë e piper, zotëria mbante në dorë një bllok shënimesh, ndërsa zonja një bllok skicash që do ta frymëzonin për romanet e saj. Mund të thuhet se ky çift plot ngjyra nuk kalonte pa u vënë re.
Në botimin e libit shqip, i uroja autorit të gjente shpejt një botues, aq shumë e meritonte. Përkthimin dhe botimin në frëngjisht, falë ‘shkopit magjik’ të botuesit Luan Rama, (poet, skenarist dhe shkrimtar), më dha ndjesinë sikur po përjetoja në një mrekulli të Herkulit. Prisja me padurim të zbuloja librin e Kudret Isajt në versionin frëngjisht dhe të shihja kështu të gjitha hollësitë e tij. Sot kjo është bërë realitet, edhe pse, e pranoj, jam ende larg përfundimit të plotë të leximit, aq shumë pasuri përmban ai.
Humanist, dashamirës i komuniteti rom, të cilit i kushtoi një vepër, Pittard hodhi poshtë nocionin e racës shumë përpara lindjes së hitlerizmit. Gjenevas nga lindja, ishte e natyrshme që ai t’i shtonte krijimin e një Kryqi të Kuq shqiptar realizimeve të tij të panumërta. Lexuesi i biografisë së tij mëson gjithashtu me interes se në vitin 1949, mbretëresha Geraldinë e Shqipërisë kishte zhvilluar një korrespodencë me selinë e komitetit ndërkombëtar të Kryqit të Kuq në Gjenevë, për të krijuar një degë të re të kësaj organiztae në Aleksandri, kur ajo ndodhej në mërgim. Ky kapitull më ka tërhequr vëmendjen, pasi zonja e shoqërimit të mbretëreshës Geraldinë, Antoinette de Vecsey-Szinyei Merse, ishte shumë e lidhur me nënën time për shkak së orgjinës së tyre të përbashëkët humgareze.
Projekti i këtij libri, Kudrat Isajt i ka lindur që në vitin 1989. Rrethanat e jestës bënë që ai të mund t’i përkushtohej seriozisht vetëm pas vitit 2005. Në vitin 2023, ai arriti më në fund të realizonte ëndrrën e tij, duke respektuar kështu angazhimin moral të marrë dikur gjatë një bisede të realizuar me Kryetarin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Zvizra dhe Shqipëria kanë shumë gjëra të bërbashkëta, jo vetëm relevin malor dhe mungesën e burimeve natyrore. Janë vende krenare, të lidhura fort me pavarësinë e tyre. Zvicra ka shumë shqiptarë, prandaj nuk është aspak e çuditshme dhe as e pabesueshme që një shqiptar të interesohet për jetën e një shkencëtari të madh zviceran, duke i bërë njëkohësisht homazh vendit ku jeton miqësisht. Kudret Isaj më shpjegoi se përmes rrugëtimit të Eugene dhe Helene Pittard, “ai ka dashur të tregojë edhe historinë e marrëdhënieve Zvicër-Shqipëri gjatë një pjese të mirë të shekullit të XX-të. deri rreth vitit 1970”. Sprovë që padyshim, ai ia ka arritur.

Dy fjalë për autorin

Kudret Isaj ka lindur në 26 prill 1960, në Cërrik. Ka mbaruar studimet universitare në degën e filozofisë, në Fakultetin e Shkencave Politike të Universitetit të Tiranës në 984. Në vitet 1982-1984 ka qenë kryeredaktor i gazetës “Studenti”, ndërsa në vitet 1984-1992 është kryeredaktor i revistës “Shkenca dhe Jeta”. Më 1990 është dekoruar me Urdhrin “Naim Frashëri”. Në 1982 ka botuar vëllimin poetik “Mëngjese të vrullshme”, botimet Naim Frashëri. Në 1991 ka përgatitur për botim vëllimin me pjesë të zgjedhura nga veprat e Edith Durham, titulluar “Brenga e Ballkanit dhe vepra të tjera për Shqipërinë dhe shqiptarët”, me redaktor prof. Xhevat Lloshi. Ai është bashkautor i vëllimit “Heimat what’s that”, Botimet Sabon Vexer, St. Gallen, 2003. Në 2023-2024 ka botuar në shqip dhe frëngjisht librin “Udhëtimi i mbramë i Eugene dhe Helene Pittard në Shqipëri Gjenevë-Tiranë”, me redaktor prof. Xhevat Lloshi, përkthyese Rina Grasset Çela, botimet “Les livres Rama”. Në 2026 është bashkautor në botimin e albumit fotografik të Eugene Pittard, në shqip dhe anglisht, titulluar “Shqipëria 1921”. Gjithashtu është bashkëautor në botimin e albumit fotografik në frëngjisht “Eugene Pittard, Mon Albanie”. Kudret Isaj ëshë anëtar i Shoqatës së gazetarëve të Lirë Zviceranë, anëtar i Shoqatës së Autorëve Zviceranë. Banon me familjen e vet prej shumë vitesh në Gjenevë.
Cristian Camiche, gazetar, botues dhe shkrimtar zviceran.