Luan Rama: Mimoza Hafizi dhe Romani i Dritës – “Lux lumen”!
Të premten 13 nëntor 2026 në Centre Culturel Albanais 28/11. Paris, ora 19.00.
—-
“Drita, një dhuratë bujare e natyrës. I falemi, e ndjekim nga pas si të magjepsur, për ta njohur e për ta kuptuar. Drita, një krijesë tekanjoze e universit. Na befason, pikërisht atëherë kur mendojmë se e kemi kuptuar. Mbetemi pa fjalë që bijat binjake të dritës rrinë lidhur, edhe pasi ndahen. Sapo ngacmojnë njërën, tjetra reagon në çast, ndonëse qindra kilometra tutje…”. Kështu shkruan shkrimtarja dhe akademikja jonë e hapësirës qiellore Mimoza Hafizi, e dashuruar me kozmosin, astronominë, e cila është e para shkencëtare shqiptare që prej shumë vjetësh e ka afruar publikun, veçanërisht të rinjtë me vëzhgimet qiellore, yjet, galaktikat e shumta dhe Kashtën e Kumtrit ku përfshihet galaktika jonë ku është dhesistemin ynë diellor. Kështu, njerëzit, nëpërmjet “Natës së yjeve” dhe botimeve shkencore, e tashmë romaneve të saj, përjetojnë të rejat e kësaj bote tjetër, jo tokësore, të largët. Çndodh vallë në universin e pafund? Përse është e rëndësishme dhe ekzistenciale ajo ç’ka shkruan shkencëtarja e jonë? Në ç’kohë dhe si ndodhi ajo që shkencëtarët e kozmosit thonë: “Fiat lux – U bëftë Drita…Dhe Drita u bë”!?
Fillimisht, autorja na jep një një informacion të gjerë rreth dritës, forcave quantike dhe ku jeta e personazheve ndërthuret me to. Anjshtanji ishte zbuluesi i parë i kuantit nga e mori nismën dhe shkenca kuantike, kjo shkencë revolucionare që do të zhvillohej me shpejtësi, pasi sot, njeriu i zakonshëm kërkon të dijë se çka ndodhur me “Big-Bang”-un dhe pas tij: “Tani që elektronet hoqën dorë nga liria e tyre, duke u bërë pjesë e atomeve, për fotonet mbaroi dita e skllavërisë. Ata u lanë të lirë dhe e festuan këtë ngjarje duke sjellë kudo shkëlqim. Universi u kthye në transparent dhe një dritë e pamatë ndriçoi. Dhe drita u bë!…”. Personazhet lëvizin, vëshgojnë yjet, analizojnë të rejat shkencore, ndjekin vëzhgimet e teleskopëve gjithnjë e më të fuqishëm, NASA, dhe shpesh gjejmë copëza jetësore të jetës së vetë autores : studimet e saj parisiane, observatorët e Francës, konferencat ndërkombëtare me shkencat e ndryshme që merren me kozmosin në vende të ndryshme të botës, udhëtime shkencore etj. Dhe ajo shkruan: “Jeta ime vërtitet rreth këtyre meridianeve”, duke na tregon njëkohësisht për sallën Cassini në Observatorin e madh të Parisit, ku ai ka shënuar me dorën e tij vijën e meridianeve përmes imazhit të dritës diellore që projektohet nga një vrimë nën kupolë.
Subjekti i këtij romani është historia e një gruaje të re të mbetur shtatzënë dhe që në pragun e kaosit dhe të ndryshmeve politike në Shqipëri, pasi lind dy vajza binjake, Bianka dhe Barda, i lë ato në pragun e një kishe dhe nistet si refugjate drejt Italisë. Vitet kalojnë, binjaket rriten njëra në Itali dhe tjetra e birësuar në Irlandë dhe më së fundi ato marrin vesh ekzistencën e njëra-tjetrës. Takimi i tyre është i përmallshëm dhe fundi i këtij kompozicioni ku ndërthurret jeta shkencore dhe kozmosi me fotionet e tij. Pra nga faqja në faqe ne kuptojmë gjithnjë e më mirë botën qiellore : ç’është një lazer, kjo tufë grimcash drite tejet koherente përkundër dritës që vjen nga burimet natyrore? Ç’janë kometat, asteroidët, eklipset… Lexoj romanin dhe papritur më shfaqet figura e Hasan Tahsinit, rilindasit të madh, shkencëtarit të parë shqiptar të botës qiellore që i ngacmuar nga astronomi francez Camille Flammarion shkroi tekstin “Bazat e astronomisë”. Vite me rradhë ai shkonte në observatorin e Parisit dhe në atë të Sorbonne-s ku studjonte për të shkruar traktatet e tij, studimet për Keplerin, etj.
Bota qiellore sot po bëhet gjithnjë e më e pranishme dhe më interesnate për publikun e gjerë, por dhe më e domosdoshme për ti dalë përpara të papriturave të forcave të mëdha manjetike, shpërthimeve diellore, trajektoreve të asteroideve, dhe të levizjeve së planetëve, siç është dhe lajmi i fundit se dita e planetit Tokë, do të jetë së shpejti me 25 orë, dhe se lëvizja e tokës nëpër hapësirë është pëshpejtuar. Jeta në Tokë varet shumë nga jeta qiellore dhe ajo se ç’ndodh në kozmos, por ne shpesh nuk e mendojmë atë, mendojmë më shumë për luftën dhe marrëzinë e kësaj bote. Ja pse sot mendohet dhe luftohet të gjendet një planet tjetër i ngjashëm me Tokën ku të jenë premisat e jetës.
Lexoj romanin e Hafizit dhe vështroj drejt diellit por vetëm pak çaste. Më kujtohet që dhjetë vjeçar e shikoja diellin si të doja të zbuloja ekzistencën e mistershme të tij. Çarë ishte vallë ? Vetëm dritë ? Mbaj mend që shkoja në tarracën e pallatit ngjitur ku jetonte Skënder Luarasi. Ulesha pranë pëllumbave atje dhe vështroja diellin, picëroja sytë për një kohë te gjaë pa e ditur se kështu sytë e mi vuanin tmerrësisht. Papritur Skënderi ngjitej lart në taracë, pas një pushimi nga tavolina e punës së tij, ku nga taraca e lartë shikonte Tiranën në ditë vere, pishat e larta të bulevardit përballë, kodrinat përreth, sheshin e Tiranës. Ishte vërtet një kënaqësi për të. Dhe ai më thoshte: “Përsëri këtu”? dhe më pëkedhelte kokën me dashuri. E pasi qendronte një copë herë, zbriste përsëri në dhomën e tij të punës për të vazhduar përkthimit e tij, ndoshta Gëte, Shiler, Whitman…
Hafizi nuk mbetet vetëm në gëshetimin e jetës së personazheve me shkencën, konferencat, të rejat e botës qiellore, por dhe me fakte që rrallë ndeshen nëpër libra. Ajo na shpjegon punën e jashtëzakonshme të Leonardo Da Vinçit me ngjyrat e tablosë emblematike të Xhakondës që përdori për ta realizuar. Po kështu për ngjyrat natyrale të Njutonit etj. Një almanak i pasur padyshim. Lexon këtë roman dhe e mbyll librin duke menduar realisht se sa e rëndësishme është kjo botë qiellore të cilën e njohim aq pak.