Albspirit

Media/News/Publishing

Ruzhdi Gole: HARDHI DIELLORE


(Mirush e Guljelm,
Guljelm e Mirush)

Ata nuk frymojnë më
të përkohshëm
erdhën ikën
si të tjerët,
valë-valë në breg
të qetë, të pabindur
në shumë brigje njëherësh.

Tani, zëri i tyre jeton tjetër tingull…
herë asgjëje gjithçka
herë gjithçkaje
asgjë,

në verë pak dimërorë ndillen
diç të ngrohtë në dimër
ndarë përkrah
xixa, llohë
pakogjë.

E përkohshme
jeton vdekja e tyre
si përhera aq e përjetshme
afërlarg, dy pllambë këtu e dikund,
Mos b’zani njitash : ekrani ndrron
stinët me plot rreze përpjekje
ata janë bashkë rendje-etje
tek xhirimi i kësaj kohe
të vërtetë … vërtet
dhe e rrejshme
hardhi diellore
herë krisur
në zemër
në kryq.

Valë – valë në breg
shumë brigje njëherësh…
Ata ndoshta lanë kahera peng
verën për dimrin, për dimërimin
zjarrminë e tyre lanë tek të tjerët.

Hardhi diellore… Krisur kryq e zemër…