Albspirit

Media/News/Publishing

Çerçiz Loloçi: Nëse kërkohet ndryshimi i madh…


Padyshim ka qenë një ngjarje e jashtëzakonshme protesta paqësore e të rinjve shqiptarë dhe jo vetëm, në një periudhë të gjatë kohore, pa kryer asnjë incident, pa dhunuar asnjë institucion, por me kërkesa të qarta: dorëheqjen e qeverisë, krijimin e një qeverie kujdestare për përgatitjen e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare.
Dy shembuj domethënës kanë qenë zgjedhjet parlamentare në Hungari dhe Serbi, ku nuk pati qeveri kujdestare, ku partitë e mazhorancës kontrollonin gjithçka dhe të gjitha pushtetet, megjithatë grumbullimi i pakënaqësive krijoi një realitet tjetër, pra përmbysjen e tyre dhe sjelljen në pushtet të dy forcave të reja.
Tashmë dihet se si në Hungari dhe si në Serbi, opozita tradicionale doli jashtë loje, për shkak të zhgënjimit të madh mbarëpopullor edhe ndaj tyre, por ky mësim mund të shërbejë edhe për ndryshimin e madh në Shqipëri.
Unë kam veçuar një nga protagonistët e protestës së gjatë paqësore, Edison Likën, (lajm i parë në gjithë mediat botërore dhe që mund të propozohet për Nobelin e Paqes), që mund të bashkohen të gjitha forcat opozitare, që nuk duan të rrëzojnë PS e PD, kërkojnë demokratizimin e tyre dhe të largojnë fillimisht liderin e gjithpushtetshëm të mazhorancës që s’pyet askënd, por mund të gjenden edhe protagonistë të tjerë, jo marksistë dhe revolucionarë, që mund të sjellin ndryshimin e madh.
Përpjekjet e tjera me kryekaragjozë për kryeministra dhe lista kinse atdhetarësh, pa përmendur emra se të vjen ndot me risjelljen e tyre, janë për spektaklet e humorit.
Pra ndryshimi vjen edhe nga zgjedhjet e para vendore që janë në majin e vitit që vjen, që edhe brenda këtyre kushteve, brenda këtij kodi zgjedhor, brenda këtij gjithpërdorimi të administratës, të shpërblimit të pensionistëve, të patronazhistëve, brenda thirrjes së kryeministrit “hiqni kapelet e uniformave blu dhe votoni socialistët”… bashkimi i frontit opozitar sidomos në Tiranë mund të arrihet me një kandidat të përbashkët që mund të sjellë edhe fundin e këtij regjimi autokrat.

Post Scriptum:

Një këshillë miqësore për fanatikët e majtë dhe të djathtë në viset tona. Në SHBA që ka edhe një përgjegjësi botërore, presidenti ka vetëm dy mandate dhe pastaj shkon në jetën e vet private. Ndryshe nga Shqipëria, në gjysmëbotën komuniste janë ndryshuar të gjitha elitat politike. Shembujt më domethënës vijnë nga Çekia dhe Polonia, Vaclav Havel dhe Les Valesa, fitues të Nobelit të Paqes, humbën zgjedhjet dhe u larguan nga politika.