Albspirit

Media/News/Publishing

Arben Iliazi: Poezia “epifanike” e Luan Ramës për Ricosin dhe Çamërinë

Rrallë nga poetët tanë bashkëkohës e kanë vështruar historinë më me guxim dhe në mënyrë kaq të dukshme e të pashembullt, sa Luan Rama, krijimtaria e të cilit ka kaluar nëpër një cikël të vazhdueshëm rimishërimesh, që funksionojnë si pasaporta shpirtërore. Kjo duket edhe në poemthin e tij më të fundit, të titulluar “Janis Ricos do zgjohet nga gjumi i gjatë…”, një poezi “epifanike”, me fuqi të madhe shenjuese dhe me ndjesi të holla.

Drejtësia është çështje e shpirtit dhe jo e rrethanave të jashtme. Poeti Luan Rama, njohës i mirë i hermeneutikës biblike dhe i drejtësisë së krishterë, i brujtur me frymën e popullit të cilit i përket, i shpall njerëzit të barabartë si qënie dhe arsye, dhe është për një filozofi tjetër të historisë. Për të nuk ka asgjë më të lartë se shumësia e shpirtrave kolektivë.

Krijimi “Janis Ricos do zgjohet nga gjumi i gjatë…” është i zhveshur nga vlerat mbikombëtare dhe e shtyn vlerën estetike të miqësisë deri në përmasat e amshimit.

Tragjedia e Çamërisë është një e vërtetë që ka tronditur kaq thellë historinë njerëzore. Duke asgjësuar trashëgiminë e saj materiale, por jo atë shpirtërore, Greqia ka bërë një harakiri katastrofik. Poeti përshkruan gjendjen e shpirtit që vuan pafundësisht për lirinë, për “gurët me aromë ulliri e qumështi”, dhe ndodhet në një “ethe” krijuese kaq të madhe, saqë vargjet i burojnë si në jerm, duke e kthyer dhimbjen fizike e shpirtërore në një klithmë kryengritëse.

Poeti flet me një zë modern dhe njerëzor, duke treguar se si dhimbja e tejkalon kufirin e arsyes së zakonshme dhe kthehet në një ekstazë tragjike. Përmes detajeve, kumtohet një e vërtetë universale mbi jetën, vdekjen, kohën ose ekzistencën.

***

Autori përdor epifaninë për të gjetur kuptimin e një bote të shkatërruar, që në këtë rast është atdheu i tij.

(Epifania, prej greqishtes ἐπιφάνεια, epifàneia, do të thotë “përshfaqje, prani hyjnore, ardhje”).

Epifania shfaqet jo vetëm si një peizazh natyror, por edhe si një dhimbje njerëzore, që kthehet befas në një zbulesë filozofike për fatin e ardhshëm të trojeve.

Momenti epifanik shoqërohet shpesh me simbole ose me metafora, që lidhin botën materiale me atë shpirtërore. Në këtë poezi epifania është një çast i papritur ndriçimi, kuptimi ose zbulimi i thellë shpirtëror që i ndodh subjektit lirik, i nxitur nga nga “dhimbjet mbetur pezull në ajër”, nga imazhi i Çamërisë së sotme, me “gurë të vrarë në qemerë përrallash”, ku “flamujt e suliotëve dhe çamëve shpejt u harruan”.

***

Vargjet e poemthit “Janis Ricos do zgjohet nga gjumi i gjatë…” rrjedhin, kryqëzohen, mbivendosen, brambullijnë, vetëm sipas tingujve të dhimbjes së thellë shpirtërore; ritmi bëhet mbizotërues, fijet e mendimit shndërrohen në një shtjellë të shtresëzuar vezulluese, me marramendje ritmike, me shtrirje të madhe shpirtërore, si një zjarr i vetëm poetik, që buron prej resë së zymtë drithëruese e të purpurtë të gurëve e pragjeve të Çamërisë, që “feksin si Kodikë Purpuri/në palimpsestin e kohës dhe historisë”:

“Njëri pas tjetrit evlatët zgjohen

me karafilë ndër duar dhe hapin e rëndë

të shkojnë rrugëve të blerta të Çamërisë

që Greqia të shohë fytyrat e tyre të vrara

sytë e bukur të pafajsisë,

që Greqia të dëgjojë këngën e shtëpive gërmadha,

vajin e pafund të gurëve,

rënkimin e themeleve dhe portave

zërin e shuar të të varurve”.

Kjo sintagmë tragjike, ngritur mbi një kumt orfeik, ku dhimbja njerëzore kapërcen kufijtë e vdekjes, vibron e nxjerr tinguj miqësie, me karakter simbolik dhe ekzaltues. Përballë “siujdhesës” së urrejtjes dhe mërisë, poeti mban në duar “karafilat e kuq të paqes”, me aromën dhe tingujt e ngjyrave, pikërisht ata karafilë që bënë të pavdekshëm poetin e madh grek, Jani Ricos (1909–1990), autor i poemës së famshme “Njeriu me karafil”, e cila u shndërrua në një simbol ndërkombëtar të guximit, sakrificës dhe qëndresës njerëzore kundër padrejtësisë dhe shtypjes politike.

Në këto rrethana, poeti Luan Rama, me besimin e patundur se vargu është shpëtim dhe dritë për njerëzimin, i drejtohet poetit të madh grek Janis Ricos, për përmbushjen eskatologjike të historisë, si të ishte një “hyjni”, në mënyrë të magjishme, si poeti poetit, si mishërim të fjalës së amshuar, me ngrohtësi e ndjesi shpirtërore, për të ndiçuar terrin “në rrugën e korbave, në kryqëzimin e gjëmës”, që ka ndodhur në Çamëri 80 e ca vite më parë, për të qartësuar “miqësinë e tradhëtuar”, “pengun ekzistencial”, për “poemën që nuk shkroi për gjakun e derdhur/ dhe errësirën vrasëse që ra mbi tokën e tij”.

***

Në krijimtarinë e poetit Janis Ricos miqësia dhe solidariteti njerëzor nuk janë thjesht ndjenja romantike, por mjeti kryesor i mbijetesës shpirtërore dhe morale përballë dhunës, dhe shkatërrimit.

Janis Ricos nuk ka shkruar një vepër të veçantë të kushtuar posaçërisht shqiptarëve, por lidhja e tij shpirtërore me popullin shqiptar është ndërtuar përmes idealit të solidaritetit ballkanik, qëndresës së përbashkët antifashiste dhe pranimit të jashtëzakonshëm që vepra e tij gjeti në Shqipëri që prej viteve ’60 e deri në ditët e sotme.

Për Ricosin, kufijtë shtetërorë dhe ndasitë nacionale zhdukeshin përballë vuajtjes dhe dinjitetit të njeriut të thjeshtë, duke e kthyer poezinë e tij në një urë të natyrshme miqësie mes grekëve dhe shqiptarëve.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe Luftës Civile, Ricosi ishte pjesë e lëvizjes së majtë greke (EAM), e cila e shihte luftën për liri si një fat të përbashkët të popujve të Ballkanit. Në frymën e tij poetike, shqiptarët dhe grekët nuk ishin fqinjë të ndarë nga historia, por njerëz të të njëjtit truall mesdhetar që ndanin të njëjtën bukë, të njëjtin gur dhe të njëjtën etje për drejtësi.

Një dëshmi konkrete e kësaj miqësie kulturore është fakti se Ricosi u përkthye dhe u lexua masivisht në Shqipëri shumë herët, duke nisur me vëllimin “Mëhallat e botës” (përkthyer nga Spiro Çomora në vitin 1961). Ndërsa në vendin e tij veprat e tij digjeshin ose ndaloheshin nga regjimet diktatoriale, në Shqipëri ai pritej si zëri i vërtetë i Greqisë mike dhe liridashëse.

Te “Mëhallat e botës”, “mëhalla” është bota e përbashkët ku jetojnë punëtorët, fqinjët dhe shokët e një fati, pa dallim kombi:

“Ne nuk jemi të huaj në këtë tokë,

gurët e rrugëve tona njohin të njëjtat hapa,

këngët tona kanë të njëjtin mall dhe të njëjtën dhimbje.

Kur miku troket në derë,

nata thyhet më dysh dhe lind drita e besës.”

Poema “Letra për Joliot-Curie” (1950), e shkruar në kampin e internimit në Makronisos, u bë simbol i miqësisë mes popujve dhe thirrje për paqe e dinjitet njerëzor. Edhe “Romiosini” (1947) është një himn për qëndresën e përbashkët, ku miqësia mes luftëtarëve në male shkrin kufijtë mes jetës dhe vdekjes për hir të një ideali të përbashkët.

Në poezinë e Ricosit, fjala “shok” dhe “mik” kapërcen etninë.

Poeti i papërsëritshëm grek, Jani Ricos, ka luftuar para së gjithash për idetë e arsyes universale, i çliruar nga autoriteti transhedent, duke u fokusuar te bota e brendshme e njeriut, emocionet e përditshme dhe realiteti konkret, duke u mbështetur vetëm te morali, tek arsyeja dhe përvoja e tij tokësore, duke përfaqësuar më së miri shpirtin unikal të popullit grek, ku përcaktimet empirike mbi etninë, apo dallimet racore, dilnin jashtë loje. Ricosi është shembulli i artistit që nuk ra pre e nacionalizmit të verbër. Përballë gjyqit të vlerave morale, ai zgjodhi të ishte miku i çdo njeriu të ndershëm, duke treguar se miqësia mes popujve nuk ndërtohet nga deklaratat politike, por nga njohja e dhimbjes dhe humanizmit të tjetrit.

Ricosi nuk ishte poet i dogmave kombëtare dhe frymëzimeve nacionaliste, por predikonte shoqërinë e madhe të shpirtrave njerëzorë, sigurinë dalldisëse të të jetuarit me të vëtetën. Dashuria e tij për të vërtetën është tërë zjarrr, është demon i së vërtetës, i qartësisë, një polifoni e jashtëzakonshme që buron nga inteligjenca e kthjellët, nga pastërtia dhje sinqeriteti kundër djallit a demonit të paqartë. I bindur më besnikërisht ndaj asaj arsyeje kombëtare, që nuk ishte gjë tjetër veçse asgjësimi i dogmave individuale, ai respektonte vlerat tradicionale, sensin historik, përdorte shpesh pleonazmin, por jo tautologjinë, duke mos ngatërruar esencën me ekzistencën, të mundshmen me realen.

Kur Janis Ricos shkruan për njeriun e thjeshtë që vuan nën peshën e padrejtësisë apo varfërisë, lexuesi shqiptar e gjeti veten menjëherë brenda vargjeve të tij, sepse kodet e mikpritjes, dhimbjes dhe besës në poezinë e Ricosit janë identike me ato të traditës shqiptare. Edhe pas viteve ’90, kur miliona shqiptarë u vendosën në Greqi, poezia e Ricosit mbeti një pikë takimi kulturor. Përkthyes të njohur si Romeo Çollaku, Iliaz Bobaj, Eleana Zhako apo Pilo Zyba e kanë sjellë vazhdimisht në shqip (me vepra si “Përmasa e katërt”, “Sonatë në dritën e hënës”, “Erotika”), duke dëshmuar se zëri i tij mbetet simbol i mirëkuptimit mes dy popujve.

Në bisedat e tij me shkrimtarë e përkthyes shqiptarë, Ricosi e ka cilësuar popullin shqiptar si mikun më të afërt të grekëve, duke theksuar rrënjët e përbashkëta: “Kemi histori, tradita, kulturë, këngë e zakone të përbashkëta, i kemi me shqiptarët. Nuk kemi me fqinjët e tjerë kaq shumë gjëra të përbashkëta sa kemi me shqiptarët… Ne duhet të shkruajmë shumë për njëri-tjetrin, por edhe të botojmë libra, romane, tregime e poezi të njëri-tjetrit. Unë e dua Shqipërinë, miku im!”

Poema “Paqe” pasqyron besimin e Ricosit se miqësia dhe fjalët e thjeshta të njerëzve të mirë janë më të forta se çdo kufi apo urrejtje politike:

“Paqja është kur dy njerëz ulen në një tryezë,

ndajnë një copë bukë dhe një gotë verë,

pa pyetur se nga vjen tjetri,

sepse sytë e tyre flasin të njëjtën gjuhë.

Paqja është dora e shtrirë e fqinjit,

që mbjell një pemë te kufiri

që hija e saj t’u bëjë fresk të dyve.”

Edhe poemthi i Luan Ramës, “Janis Ricos do zgjohet nga gjumi i gjatë…”, transmeton të njëjtin mesazh, dhe është e njëjta këngë e zërit njerëzor:

“Karafilët e Greqisë dhe të Çamërisë kanë të njëjtën ngjyrë

gjaku ka të njëjtin velur që rrjedh nën tokë

atje ku vajet antike ngrihen në kor,

ku « Njeriu me karafil » këndon këngën e fundit të tij,

deti Jon përqafuar është me Egjeun”.

Janis Ricos do zgjohet nga gjumi i gjatë…

Luan Rama

—-

Gurët janë si zemrat e njerëzve

gurë të latuar shtëpish,

gurë të vrarë në qemerë përrallash,

koka varresh për t’u prehur

dhe shkallare dhimbjesh mbetur pezull në ajër

si shami të zeza që s’dinë ku shkojnë,

gurë si pasqyra të syve që nuk janë më.

Janë gurë me aromë ulliri e qumështi

me gjurmët e duarve të tyre

që ende shkëlqejnë nën një hënë të argjendë,

mbi një portë diku një kurorë e gdhendur

dëshmi e një dasme dhe shtëpie të re

lyer me mjaltë në një blatim gëzimi,

diku, një shqiponjë e gdhendur

krahëthyer qëndron

ende në këmbë

si shatorja e Samothrakës në erën që fryn,

në heshtjen që flet,

ku në mesnatë kënga përcjell krahë xixëllonjash.

Ç’bëjnë vallë xixëllonjat këtë natë të errët

në dritaret e shqyera dhe odat bosh?

– Enden pa zhurmë, – thonë gurët

joshur s’dihet nga ç’zëra hyjnish,

dhomat e zhveshura pëshpërisin emra fëmijësh

ku ninullat prej vitesh nuk dëgjohen më,

xixëllonja që shkojnë në truma,

enden pa zhurmë

mbi mandile nusesh lehonë që presin në vetmi,

në korridor këpucë të vjetra kërkojnë të ecin

të shkojnë ndoshta në krua

në rrugën e korbave,

në kryqëzimin e gjëmës

ku të vdekurit njomin buzët për të mbajtur frymën e fundit.

Në agun e mëngjesit

këta gurë e pragje feksin si Kodikë Purpuri

në palimpsestin e kohës dhe historisë

në flamujt e arvanitasve të Revolucionit Grek

në flamujt e suliotëve dhe çamëve

që shpejt u harruan

por flamujt e tyre s’mund të harrohen.

Njëri pas tjetrit evlatët zgjohen

me karafilë ndër duar dhe hapin e rëndë

të shkojnë rrugëve të blerta të Çamërisë

që Greqia të shohë fytyrat e tyre të vrara

sytë e bukur të pafajsisë,

që Greqia të dëgjojë këngën e shtëpive gërmadha,

vajin e pafund të gurëve,

rënkimin e themeleve dhe portave

zërin e shuar të të varurve.

Janis Ricos do zgjohet nga gjumi i gjatë,

të kuqen e karafilëve të shohë

e me grusht të godasë gjoksin e tij

për revoltën dhe fjalën që nuk e tha

për miqësinë e tradhëtuar,

poemën që nuk shkroi për gjakun e derdhur

dhe errësirën vrasëse që ra mbi tokën e tij.

Pas tij të tjerë do të zgjohen nga varret,

pinjollë të Elitis, Kavafis, Sikelianos, Livadhitis,

poetë të fjalës së praruar të Lirisë,

karafilët e Greqisë dhe të Çamërisë kanë të njëjtën ngjyrë

gjaku ka të njëjtin velur që rrjedh nën tokë

atje ku vajet antike ngrihen në kor,

ku « Njeriu me karafil » këndon këngën e fundit të tij,

deti Jon përqafuar është me Egjeun

bashkë, në të njëjtën tokë dhe qiell pa kufij,

Janis Ricos nesër në ag

do të zgjohet nga gjumi i gjatë

për të më thënë pengun e tij…