Ardian Haziri: T’I SHKRUASH ATDHEUT
T’i shkruash atdheut
është të bartësh peshën e fjalës,
se më të bukurat
mbeten gjithmonë të pathëna.
Atdheu ka fytyrën e nënës,
zërin e babait,
ngjyrat e flamurit,
kujtesën e heronjve.
Atdheu është gjuha
me të cilën po i shkruaj,
fjala që buron nga shpirti.
Asnjë varg nuk e nxë
madhështinë e atdheut.
Libri është streha e shpirtit,
por e vetmja dashuri më e madhe
se dashuria për librin
është ajo për atdheun.