Albspirit

Media/News/Publishing

Paramithi, Paramithi!

 

gjorgj_komninoParamithi, Paramithi

O pellg me gjak,

O vënd fatzi,

Aty ku hyn fashisti grek,

Ku hapen varre me hendek,

Ku çdo hendek është një varr,

Për çdo Çam për çdo Shqiptar,

Ku një zervist, nazist-gjerman,

Një katil, një shpirt katran

Po bën batërdi,

Jo s’është grek

As palikar

Për trimëri,

Po një kusar

Një mercenar

Një faqezi.

Është turp i tokës ku u le,

Një i pabesë, një i pafe,

O dorë mizore me çfarë mënyre

Lakmitë gjaksore t’u ngosën?

Ku janë kufomat të bëra vandak

Të shtrira përdhe pa faj pa gjak,

Ku vallë u groposën?

Paramithi, qivur i mjerë

Ku janë gjashtëqind të nderë me pabesi?

Me gjuhë të kafshuar kërkon të të flasin?

Me fyt të këputur kërkon të bërtasin?

Pa këmbë, pa duar kërkon të lëvizin?

Oh! Ç’farë të padisim?

Dy zgavrat-kokalla t’i njomim me lotë?

Kurrë!!

Se ç’vepër të ndotë, se ç’farë torture

Askush s’mund ta thotë

Shiko kufomat, si qiellin munxosin,

Shiko zervistat, si po na çfarosin

Në befasi!!

Ah! Hesht hipokrit, ç’bën sikur s’sheh

Kur klithma e jonë u ngjit gjer në re

O mershë e fëlliqur në botën e re,

Këlysh i zervës të sulet mbi ne

Si qen i tërbuar dhe s’ka kush e ndal,

Dhe s’ka kush e vret,

U ngjall prapë fantazëm e skelet!

O Çam Martir

O grek i lirë,

Ngrehu dhe zhduki këta vampirë me furri!

Lufto për jetë, lufto për Atdhe,

Ballkan i Ri të jetë për ne,

Një çerdhe e dashuri për Paqe edhe Liri!

Paramithi, Paramithi edhe tani

Po shoh kukudhin si po ha

Eshtra dhe gjak nga im vëlla!!

 

Nga Gjergj Komnino e publikuar në “Zëri i Çamërisë “ 22 gusht 1945.Shkruar për masakrat çnjerëzore të kryera nga bandat greke të gjeneralit famëkeq Zerva mbi popullësinë e pafajshme të Paramithisë më 27, 28 e 29 Qershor 1944

Please follow and like us: