Bugajski: Clinton do të ishte më e mirë për Ballkanin dhe Kosovën
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Janusz Bugajski, nga Qendra për Analiza të Politikës Evropiane, me seli në Washington, thotë se Hillary Clinton do të ishte shumë më e mirë për Ballkanin, për rajonin dhe Kosovën, pasi ajo, jo vetëm që do ta vazhdonte politikën e presidentit Obama, por ajo do të dëshironte që ta arrinte kompletimin e misionit.
Radio Evropa e Lirë: Fillimisht dua t’ju pyes për zgjedhjet presidenciale amerikane. Shumë ekspertë dhe analistë thonë se nuk kanë parë garë të këtillë të ashpër dhe të paqartë, sikur kjo ndërmjet Hillary Clintonit dhe Donald Trumpit. Si do t’i përshkruanit ju këto zgjedhje?
Janusz Bugajski: Janë zgjedhje të pazakonshme sepse të dy kandidatët janë ekstremisht jo të popullarizuar. Mendoj se çfarëdo kandidati tjetër republikan me gjasë do ta mundte Hillary Clintonin, ndërsa nga ana tjetër, pothuajse secili kandidat demokrat do ta mundte lehtë Donald Trumpin.
Ne e kemi një garë që, para së gjithash, është e dy kandidatëve jo të popullarizuar. E dyta, ka shumë sulme personale, në masë të madhe të prodhuara nga Trumpi, dhe e treta, fokus i pamjaftueshëm në çështje politike. Por, mendoj se zgjedhjet aktualisht janë shumë të gjata, pasi po vazhdojnë prej votimeve partiake dhe mendoj se shumë amerikanë janë të ngopur me to.
Radio Evropa e Lirë: Kuptohet, si çdokund në botë, interesim i madh për këto zgjedhje mbretëron edhe në Ballkan dhe Kosovë. Meqë nuk ka pasur deklarata direkte nga të dy kandidatët për çështjen e Kosovës dhe Ballkanit, çka mund të presim nëse Hillary Clinton ose Donald Trump bëhen president të Shteteve të Bashkuara?
Janusz Bugajski: Mendoj se është shumë e qartë se Hillary Clinton do të ishte më e mirë për Ballkanin, për rajonin dhe Kosovën, pasi ajo, jo vetëm që do ta vazhdonte politikën e presidentit Obama, por ajo do të dëshironte ta arrinte kompletimin e misionit. Me fjalë të tjera, ta ndihmojë Kosovën të lëvizë në institucionet ndërkombëtare, të ketë siguri për shtet funksional, përpjekje për luftim të korrupsionit, pastaj përpjekje për kufizim të ndikimit rus në rajon.
Derisa presidenca Trump është shumë e paqartë, shumë e paparashikuar. Besohet se ai kishte lidhje të afërta biznesore me Rusinë, ai u është shmangur kritikave ndaj Putinit, ai e ka përshkruar NATO-n si potencialisht të vjetëruar… Pra, ka shumë frikë se presidenca Trump, aktualisht, do t’i kthente prapa disa nga përfitimet që janë bërë në rajon gjatë 10 viteve të kaluara.