New York Times: Pse fitoi Trump?
Të gjitha mediat perëndimore janë përfshirë 48 orët e fundit nga komentet që ngrihen mbi pyetjen: “Pse fitoi Trump kur të gjitha sondazhet flisnin për triumfin e Clinton?”
Në një përmbledhje analizash të ndryshme për zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara, New York Times, përpiqet të hedhë dritë mbi disa nga arsyet e mundshme për të cilat Trump fitoi por edhe arsyet pse Hillary, e cila kishte një fitore gati të sigurt humbi thellë përpara republikanit. Sipas një prej analisteve të saj, Sarah Jaffe, klasa politike amerikane dhe ekspertët nënvleftësuan shkallën e zemërimit dhe dhimbjes në Shtetet e Bashkuara.
75% e të anketuarve ishin dakord se “ekonomia amerikane është e manipuluar dhe nga ajo përfitojnë të pasurit dhe të fuqishmit” dhe rreth 68% besonin se “partitë tradicionale dhe politikanët nuk kujdesen për njerëzit si ata” thotë analistja për “New York Times”. Dhe në fakt, analizat tregojnë se Trump u mbështet nga moshat e mëdha në votime gjë që i dha mundësinë të fitonte Floridën dhe Pensilvaninë.
Trump e fitoi presidencën me shumicë të votave elektorale ndërsa shënoi një humbje të lehtë në votat popullore. Sipas BBC, 53% e meshkujve kanë votuar për Trumpin ndërsa mes votuesve të bardhë, të cilët përbëjnë rreth 70% të të gjithë votuesve në SHBA, 58% votuan për republikanin.
Sipas analistëve ndërkombëtarë fakti që Hillary Clinton u konsiderua si një pasardhëse e presidentit Obama është një tjetër arsye e humbjes së saj. Një tjetër shkak i humbjes së kandidates demokrate shihet mosarritja e saj për të bindur të shkojnë të votojnë dhe minoritetet. Ra në sy mbështetje më e ulët për të nga votuesit me ngjyrë dhe latino-amerikanët. Madje edhe vetë gratë nuk e votuan masivisht kandidaten demokrate pavarësisht komenteve raciste të Trump në fushatë.