Albspirit

Media/News/Publishing

Ambasadorët e SHBA në Ballkan, kur përfundojnë mandatin…

Në dhjetor 2016, New York Times raportoi që presidenti i zgjedhur i SHBA Donald Trump, do të largonte nga detyra ambasadorët e emeruar politikisht. Por siç raporton European Western Balkans, fakti është se të gjithë diplomatët në vendet e Ballkanit Perëndimor janë diplomatë karriere, të cilët nuk lidhen me administratën e vjetër apo të re të SHBA.

Të gjithë janë konfirmuar nga senati i SHBA rreth fundit të vitit 2014 dhe kanë marrë pozicionet e tyre në fillim të vitit 2015. Sikurse shumica e diplomatëve të karrierës që kanë një mandat tre vjecar, pritet që ata të përfundojnë mandatin në mënyrë të rregullt në fund të këtij viti apo në fillim të vitit tjetër.

Shqipëria: Donald Lu

Ai u betua si ambasador i Republikës së Shqipërisë në 17 dhjetor 2014, dhe mori detyrën një muaj më vonë. Në 25 vitet e karrierës së tij në shërbimin e jashtëm të SHBA, ky është emërimi i tij i parë si ambasador. Përpara se të lëvizte për në Tiranë, Shqipëri, Donald Lu ka punuar për krizën e Ebolas në Afrikën Perëndimore si zv.koordinator për kërkesat e Ebolës.

Bosnje Hercegovinë: Maureen Cormack

Ambasadorja Cormack zyrtarisht u emërua në Bosnjë Hercegovinë në 16 janar 2015. Ajo u bashkua me shërbimin e jashtëm në 1989 dhe në fillimet e punës së saj shërbeu si drejtore e Qendrave amerikane në Korenë e Jugut dhe Poloni.

Kroacia: Julieta Valls Noyes

Julieta Valls Noyes është emëruar nga ish presidenti Obama si ambasadore në Republikën e Kroacisë në 26 mars 2015 dhe u konfirmua nga senati në 24 qershor 2015. Ajo është diplomuar në Wellesley College në 1984 dhe u bashkua me shërbimin e jashtëm një vit më vonë.

Kosovë: Greg Delawie

Zoti Delawie u betua si ambasador në 24 qershor 2015. Ai prezantoi letrat kredenciale tek presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga në 21 gusht. Karriera e tij diplomatike në State Department përfshinte disa ndalesa në Ankara, Frankfurt dhe detyrat në Uashington.

Maqedonia: Jess L.Baily

Ambasadori Jess Baily u konfirmua nga senati për të qenë ambasador në Maqedoni në dhjetor 2014 por prezantoi letrat kredenciale në 12 shkurt 2015. Ai më shumë ka shërbyer si i ngarkuar me punë në Ambasadën e SHBA në Ankara pasi mbërriti atje në korrik 2011 duke shërbyer si zv.shef i misionit.

Mali i Zi: Margaret Ann Uyehara

U konfirmua nga Senati për të qenë ambasadore në Malin e Zi në dhjetor 2014. Ambasadorja Uyehara mori detyrën në 19 shkurt 2015. Ajo është një diplomate karriere në shërbimin diplomatik të SHBA, me gradën Ministër-Këshilltar.

Serbia: Kyle Randolph Scott

Kyle Scott, është një anëtar i shërbimit të jashtëm me gradën Ministër – Këshilltar dhe prezantoi letrat kredenciale si ambasador i Serbisë tek presidenti Tomislav Nikolic në 5 shkurt 2016. Kjo është detyra e tij e parë në pozicionin e ambasadorit dhe është një ekspert i cështjeve të Evropës Lindore dhe Rusisë.

Please follow and like us: