Projekt – rezoluta në PE: Vetting, dekriminalizim dhe zgjedhje
Në Parlamentin Europian, eurodeputetët kanë diskutuar rreth 45 pikave në përmbajtjen e projekt-rezolutës, ku më thelbësoret që kushtëzojnë propozimin e një date për hapjen e negociatave të anëtarësimit mbeten zbatimi praktik i Reformës në Drejtësi dhe mbajtja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme më 18 qershor.
Nga institucionet europiane kërkohet zbatimi i plotë i ligjit të dekriminalizimit, duke përjashtuar nga listat e kandidatëve për deputetë të inkriminuarit, kërkohet transparenca dhe auditi për financimin e partive politike.
Për mbajtjen e zgjedhjeve demokratike më 18 qershor, sipas PE-së kanë përgjegjësi të gjitha partitë politike. Në referencë me zgjedhjet e ardhshme parlamentare inkurajohen autoritetet shqiptare të marrin masa për të lehtësuar votimin e emigrantëve, aty ku jetojnë jashtë atdheut.
Institucionet europiane, ndonëse vlerësojnë operacionet e fundit të policisë për të ndalur kultivimin dhe trafikimin e drogës, vënë në dukje se organet e policisë dhe të prokurorisë kanë dështuar që të identifikojnë grupet kriminale që qëndrojnë pas parcelave të drogës.
Fleckenstein vë në dukje se, kohët e fundit ka një rritje të rasteve të trafikimit të qenieve njerëzore nga Shqipëria, kryesisht fëmijë dhe vajza. Një pikë të veçantë në rezolutë ka zënë dështimi i autoriteteve kompetente për të dhënë drejtësi për viktimat e 21 Janarit 2011.
Shqipëria do të duhet të presë deri në pranverën e vitit 2018, kur të publikohet raporti i ardhshëm i Komisionit Europian.