Qeveria kërkon shkarkimin e imamit të rrugës së Kavajës, Ahmed Kalaja
Videoja e publikuar në rrjetet sociale ku futbollistët e Kombëtares Shqiptare, Armando Sadiku dhe Andi Lila, shfaqeshin në dhomën e një hoteli duke u tallur me përfaqësuesit e klerit ortodoks është bërë objekt debatesh dhe diskutimesh të shumta. Por nëse dy futbollistët ia hodhën “paq”, autori i videos, imami Ahmed Kalaja do të përballet me pasojat.
Komiteti Shtetëror për Kultet iu ka kërkuar zyrtarisht me anë të një letre, shkarkimin e Ahmed Kalasë nga detyra e imamit të xhamisë tek “Rruga e Kavajës” në kryeqytet.
Kërkesa e Komitetit të Kulteve ka për bazë videon, ku shfaqet imam Ahmed Kalaj, që sipas zyrtarëve të qeverisë ka cënuar dhe prishur me dashje harmoninë ndërfetare në vend.
Shumë shpejt do të thirret dhe një mbledhje ku do të merret edhe vendimi për imamin, Ahmed Kalaja, pa saktësuar nëse ai do të shkarkohet apo jo nga kjo detyrë e lartë fetare.
Pas daljes së videos, Kalaja kërkoi ndjesë për gjithçka kishte ndodhur duke thënë se shakatë ishin bërë edhe me priftërinjtë edhe me hoxhët. Ai theksoi se nuk do t’i lejonte kurrë vetes që mendimet dhe bindjet e tij për klerikët apo pjesëtarë të komuniteteve te tjera fetare, të ishin në kundërshtim me mësimet e Islamit.