Kosova i akordon Ismail Kadaresë, çmimin ‘Letërsia Shqipe’
Ministri i Kulturës së Kosovës, Kujtim Shala, në konsultim me Këshillin e Librit, ka vendosur që Çmimi Ndërkombëtar “Letërsia Shqipe” t’i jepet shkrimtarit Ismail Kadare, për kontributin e madh dhënë letërsisë shqipe dhe asaj botërore.
Ky çmim i veçantë, jepet për personalitet, të cilët, me veprën e tyre, kanë ushtruar një ndikim esencial në emancipimin e shoqërisë, ngritjen dhe vetëdijesimin e përgjithshëm për vlerat emancipuese, me theks të veçantë, përmes fushës së letërsisë, duke ndikuar kështu në njohjen e saj në përmasa ndërkombëtare.
Çmimin në fjalë ka vlerë monetare 10 mijë euro, dhe u jepet personaliteteve, shtetas të Republikës së Kosovës, Shqipërisë, apo ndonjë shteti tjetër, që kanë dhënë kontribut të çmuar për letërsinë shqipe.
Ky çmim, sipas Rregullores, jepet nga ministri, në bashkëpunim me Këshillin e Librit.
Shala vlerësoi se laureati Ismail Kadare e vë këtë çmim në një standard të lartë ndërkombëtar.
“Ky çmim, si i tillë, do të jetë një ndihmesë për pranimin, njohjen dhe afirmimin e mëtejmë të letërsisë shqipe”, tha ministri Shala.
Shala më tej shtoi se një çmim dhe vlerësim i tillë i ka munguar letërsisë shqiptare.
Ceremonia e solemne do të zhvillohet në Prishtinë./Koha.net