De Biasi: Harruat Europianin, tani keni marrë fishekët…
Xhani De Biazi është përgjigjur nervoz kur u pyet nëse sheh që për të ka një fushatë për ta larguar nga Shqipëria dhe si për rrjedhojë e thotë hapur që shumë persona presin me padurim që ai të gabojë diku për ta sulmuar.
“Situata të tilla më bëjnë më të determinuar, më pëlqejnë më shumë momente të tilla. I kam kaluar këto momente kur kam qenë në Serinë A, me skuadra që ishin duke rënë nga kategoria dhe kemi shpëtuar.
Dua t’ju them që kur shkuam në Europian ishin të gjithë të kënaqur, të gjithë protagonistë. Kur vjen momenti për të humbur më duhet mua, i duhet trajnerit të japë shpjegime në situata të tilla, por unë jam mësuar me këtë histori, me këtë pozicion. Di të them që kam një grup të shkëlqyer, të bashkuar, perfekt, të jashtëzakonshëm për të punuar bashkë, gjithmonë japin shpirtin dhe 110% në fushë.
Por, ndodh që edhe kur japin 110% nuk mjafton dhe ndodh që të bëjmë 4 humbje rresht. Ata, të cilët deri dje kanë marrë spaletat, presin që të godasin trajnerin në çdo moment dhe i kanë gati fishekët për t’ia drejtuar atij. Një situatë e tillë mua më pëlqen, jam mësuar me të dhe jam shumë i qartë në çështje të tilla” – tha De Biasi në konferencën për shtyp pas ndeshjes me Bosnjen.
Humbja e dytë pas Italisë, a ndodhet në krizë Kombëtarja dhe si pritet të dalë?
“Natyrisht me punë, nga një situatë e tillë mund të dalim duke punuar. Skuadrat e vështira na vënë pak në vështirësi, siç ndodhi edhe sot (dje) me Bosnjën. Nëse dikush fokusohet te 11-metërshi apo te gabimi individual për pësimin e golit të dytë, atëherë kjo është tjetër gjë.
Por, duhet të mbetemi te kontributi dhe te shifrat e lojës ku kemi dominuar gjatë gjithë kohës, edhe në pjesën e dytë ku kemi bërë lojën tonë. Do të përshtatemi me skuadrat e forta që kanë kualitete të mëdha në ekip, por që nuk na vënë në vështirësi, si kjo situata sot (dje)” – e mbyll De Biasi.