Hungari, Orban i vë kyçin universitetit të George Soros?
Universiteti Qendror Europian në Hungari, i themeluar nga filantropi George Soros, duket se është kthyer në shënjestër të një fushate të ndërmarrë nga kryeministri Viktor Orban.
Lajmet vijnë në një kohë kur marrëdhëniet mes kreut të qeverisë dhe miliarderit amerikan me origjinë hungareze janë më të acaruara se kurrë.
Ekzekutivi hungarez ka miratuar një ligj për arsimin, që siç raportojnë mediat ndërkombëtare godet 28 universitetet e huaja që veprojnë në këtë vend.
Por qeveria hungareze ka argumentuar se CEU dhe institutet e tjera të huaja po veprojnë në kundërshtim me ligjin dhe se ligji i ri synon kthimin e tyre në binarët e ligjshmërisë.
“Këtu nuk bëhet fjalë për një hetim kundër CEU-së dhe as kundër zotit Soros”, ka deklaruar ministri i Arsimit, Laszlo Palkovics.
Ai ka shtuar se qeveria në Budapest e mbështet universitetin dhe nuk dëshiron largimin e tij. Miliarderi amerikano-hungarez e themeloi universitetin në vitin 1991 dhe planifikon të vazhdojë financimet.
Ai ka thënë se, dëshiron që CEU të jetë një bastion i mendimit të lirë dhe promovimit të vlerave të një shoqërie të hapur dhe demokracisë, që siç thuhet po goditen nga Orban.
Ndërkohë, studentët dhe stafi i universitetit po protestojnë kundër planit të qeverisë, e cila sipas tyre synon ta mbyllur atë.
Drejtuesit e universitetit deklarojnë se legjislacioni i propozuar nga qeveria e djathtë të martën mbrëma e bën të pamundur funksionimin e tij.