Albspirit

Media/News/Publishing

“Drejtësia”-Rama për Tv francez/Pjesa më e vështirë për t’u kapërdirë

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për France24 gjatë vizitës në Paris. Gjatë kësaj interviste, Rama është ndalur te çështjet e brendshme të Shqipërisë, situatën politike por edhe BE-në, sigurinë dhe rajonin.

Ai është pyetur për protestën e opozitës dhe tha se Shqipëria është një vend me demokraci të re dhe ka ende për të mësuar.

“Unë mund t’ju them vetëm se jemi një demokraci e re dhe kemi ende për të mësuar dhe për të ngritur instrumente për një komunikim normal midis njerëzve dhe partive politike, pa asgjë dramatike”, tha Rama.

I pyetur për reformën në drejtësi dhe kundërshtimet e opozitës, kreu i qeverisë tha se kjo është një situatë paradoksale dhe se kemi ardhur në pjesën më të vështirë të zbatimit të saj.

“Në fakt është disi paradoksale, rrallë ndodh që një qeveri të përcaktohet për një reformë radikale në drejtësi shumë të rëndësishme dhe opozita të jetë kundër.
Është një reformë që e kemi nisur në harmoni me misionin e drejtësisë së BE-së dhe SHBA-së dhe pasi kemi bërë ndryshime në Kushtetutë për një drejtësi të pavarur kemi ardhur në pjesën më të vështirë për t’u kapërdirë”, tha Rama.

Për sa i përket akuzave të opozitës se qeveria do të kapë drejtësinë, kryeministri u shprej: “Jo, nuk besoj se BE dhe SHBA do kishin pranuar që qeveria të kapte drejtësinë. Është një strukturë shqiptare nën monitorimin e gjykatësve dhe prokurorëve europianë dhe amerikanë”.

Please follow and like us: