Miki Lushtaku: Në rrugën si modele më futi Naomi Campbell
Me pamjen e saj tërheqëse, ka arritur të shijojë shumë suksese në fushën e modës, por pavarësisht kësaj Miki Lushtaku nuk e ka objektiv famën. Modelja, e cila prej vitesh tashmë ka një karrierë të suksesshme në Zvicër, ka arritur së fundi të bëhet pjesë e Javës së Modës në Gjenevë, ndërsa më herët është angazhuar në fushata të ndryshme publicitare në Zvicër e vende të tjera europiane.
“Jetës sime do t’i mungojë dimensioni i skandaleve. Sukseset shijohen edhe pa vëmendje, kurse vëmendja pa suksese nuk ka kuptim të mirëfilltë. Prandaj kam pasur synim arritjen dhe jo vëmendjen”, tregon modelja për suplementin “Bluetooth”, e cila është motra më e madhe e Heidi Lushtakut.
Je shumë e angazhuar me punë, por nuk shfaqesh shpesh në media; pse ky vendim?
Unë jam e përkushtuar ndaj pasionit tim me gjithë shpirt, sepse në këtë mënyrë e përjetoj kënaqësinë që më dhuron kjo veprimtari artistike, kjo ndjesi që më bën të ndihem në jetë, më rrëmben gjithë vëmendjen, që në këtë mënyrë justifikohet mungesa e prezencës sime nëpër media. As nuk predikoj që puna ime të jetë me karakter të gjerë publik, por kuptohet që as nuk e shpërfill interesimin e mediave.
Sa kohë ka që punon si modele dhe nga kush je inspiruar në fillim?
Karriera ime e ka zanafillën që nga viti 2004, në evenimentin e “Miss shqiptarja e Zvicrës”, ku edhe jam shpërblyer me kurorën e femrës më të bukur. Ajo që ma ka përforcuar dëshirën për ta nisur këtë udhëtim quhet Naomi Campbell.
Nuk e dëshiron vëmendjen e madhe, skandalet dhe një karrierë të bujshme?
Të jesh modele, do të thotë të jesh në qendër të paragjykimeve për opinionin shqiptar. Dikur më shqetësonin keqkuptimet që krijonin ndaj meje, por me kohën jam mësuar t’i menaxhoj me gjakftohtësi dhe t’i shpërfill. Kurse për skandalet, as që bëhet fjalë! Jetës sime do t’i mungojë dimensioni i skandaleve. Sukseset shijohen edhe pa vëmendje, kurse vëmendja pa suksese nuk ka kuptim të mirëfilltë. Prandaj kam pasur synim arritjen dhe jo vëmendjen.
Kush është Miki Lushtaku, me pak fjalë, për ata që nuk kanë dëgjuar për ty?
Unë vij nga një familje e madhe. Virtytet i kam marrë nga familja, që kur isha fëmijë, e vazhdoj t’i kultivoj. Thjeshtësia, ndjeshmëria, solidariteti, humanizmi, optimizmi dhe dashuria e fuqishme për njerëzit dhe jetën ma formojnë karakterin. Po ashtu, tiparet fizike i kam të trashëguara nga prindërit e mi simpatikë dhe shumë të dashur për mua. Që në fëmijëri i kam dashur fotografitë, veshjet, grimin dhe paraqitjen.
Ke pasur rastin të punosh si modele jashtë Zvicrës. Po ofertat nga trojet shqiptare, kanë munguar?
Edhe jashtë Zvicrës e kam ushtruar profesionin. Në shtetin e Marokos, në qytetin Casablanca kam punuar për dy klinika të njohura, të cilave u kam bërë publicitetin me fotografitë e mia; në klinikën estetike “Guess” dhe në klinikën për dhëmbë “Hollywood Smill”. Po ashtu, kam punuar për revistën e njohur amerikane “Magizia”, kam reklamuar veshje të ndryshme. Kurse në Kosovë kam bërë prezantimin e veshjeve të kreatores së njohur Blerina Kllokoqi.
Krahas punës si modele, ke edhe një punë të rregullt dhe je në vitin e fundit të studimeve. Mund të na tregosh diçka më shumë rreth këtyre aktiviteteve?
Përveçse kam statusin e modeles, i jam përkushtuar edhe arsimimit. Jam në vitin e fundit të studimeve në fushën e komerçit. Po ashtu punoj si asistente në udhëheqjen e një firme komerciale.
Javën që lamë pas ke qenë e pranishme në “Geneva Fashion Week”; si do e përshkruash këtë eksperiencë? Ka pasur interes, ke fituar kontrata të reja?
Përveçse ka qenë një ngjarje mbresëlënëse, ka qenë e mbushur edhe me emocione, sepse ka pasur karakter garues. Për mua, ishte natë përfituese, ngaqë fitova të drejtën për të sfiluar në muajin prill në “Fashion Week”.
Si e sheh veten pas 10 vitesh dhe cilat janë planet për të ardhmen?
Në vizionin tim për të ardhmen, e gjej veten më të angazhuar në disa drejtime të jetës. Por, nuk kam dëshirë të mendoj që, për hir të një statusi tjetër shoqëror, të sakrifikoj pasionin tim, me të cilin jam e lidhur fort emocionalisht. Tashmë identifikohem si modele, megjithatë do të jem edhe një bashkëshorte dhe një nënë shumë e përkushtuar.