Albspirit

Media/News/Publishing

CHRISTOPHER HILL: Tillerson shkon në Azi

Vizita e fundit e Sekretarit të Shtetit të SHBA-së Rex Tillerson në Azi përbënte një mundësi të rëndësishme për të filluar trajtimin e asaj që mund të bëhet sfida më e madhe ndërkombëtare që administrata Trump do të përballë përgjatë katër viteve të ardhshme: puna e pandërprerë e Koresë së Veriut për të realizuar armë bërthamore të transportueshme me raketë. Por ai nuk e kapi këtë mundësi

Vizita në Azinë Verilindore të Sekretarit Amerikan të Shtetit Rex Tillerson përbënte një mundësi të rëndësishme për administratën e Donald Trump për të vënë në zbatim strategjinë e vet për këtë rajon kritik. Në veçanti, ky qe një shans për të filluar trajtimin e asaj që mund të kthehet në sfidën më të madhe ndërkombëtare të administratës së tij për katër vitet e ardhshme: Puna e pandërprerë e Koresë së Veriut për të realizuar armë bërthamore të transportueshme me raketë, pa shkaktuar një luftë konvencionale në Gadishullin e Koresë.

Është e vështirë të thuash me saktësi se çfarë realizoi Tillerson gjatë vizitës së tij të shkurtër. Shtetari fjalëpakë jo vetëm që refuzoi të marrë reporterë në aeroplanin e tij (duke thyer një traditë që vijon prej dekadash) por ai ofroi edhe vetëm deklarata të shkurtra publike që nuk japin ndonjë panoramë të detajuar apo të plotë.

Në Korenë e Jugut, me udhëtimin e kërkuar drejt zonës së demilitarizuar në mendjen e tij, Tillerson deklaroi se politika e ish-Presidentit Barack Obama e “durimit strategjik” i përket tashmë të shkuarës. Duke parë “politikat e dështuara” të dekadave të fundit, ai shpalli se do të ndjekë një “përqasje të ndryshme”. Ai e mbylli me një deklaratë që politikëbërësit amerikanë e pëlqejnë shumë ta thonë kur nuk ka zgjidhje të dukshme: “të gjitha opsionet janë në tryezë”, tha ai, duke nënkuptuar se sulmi ushtarak duhet të merret në konsideratë gjithashtu. Shprehjet e Tillerson mbi Korenë u bënë menjëherë grurë për mullirin e opinioneve. Komenti “të gjitha opsionet” përbën muzikë për veshët e atyre që në një farë mënyre besojnë se nuk ka asgjë më të nevojshme për Shtetet e Bashkuara sot se sa një luftë tjetër – njerëz që janë gjithashtu të sigurt jashtë rrezes së veprimit të artilerisë së Koresë së Veriut. Më në fund, thonë ata, një politikëbërës i lartë amerikan po i sheh gjërat qartë dhe po thotë atë që duhet të thotë.

Por a është kjo e vërtetë? Përqasja në dukje e ashpër e Tillerson nuk qe shumë e dukshme në ndalesën e tij të rradhës: Pekin. Në vend të kësaj, Tillerson tregoi një dozë të madhe durimi me kinezët, duke dhënë shenja për gadishmëri për të punuar me ta mbi Korenë e Veriut, madje duke lënë mënjanë problemet e tjera. Nga sa duket, Tillerson ka pranuar në heshtje përqasjen e Kinës për trajtimin e këtij problemi përmes bashkëpunimit të fuqive të mëdha. Kinezët natyrisht që qenë të lumtur.

Vizita e shkurtër por dukshëm miqësore e Tillerson në Kinë është lavdëruar shumë për kontributin e tij në një tranzicion të butë në marrëdhëniet dypalëshe. Por, në trajtimin e problemit të Koresë së veriut, administrata e Trump është ende dobët. Pa pasur asnjë opsion të vetëm të vlefshëm, administrata duhet të fillojë të ndjekë disa politika njëkohësisht, jo si elementë fillestarë por si pjesë të një strategjie tërësore të vetme.

Një element kyç i një strategjie të tillë shtë një aleancë ushtarake e përforcuar me Japoninë dhe Korenë e Jugut, përfshirë dhënien për këto vende të sistemeve më moderne të luftës kundër raketave balistike. Një tjetër është një përqasje më e drejtpërdrejtë ndaj Kinës, ku SHBA duhet të bindë udhëheqësit e këtij vendi se një bashkëpunim i tillë ushtarak është thelbësor për marrëdhënien mes SHBA-së dhe Kinës.

Në fakt, Kina sakaq ka ndërmarrë hapa për të frikësuar Korenë e Jugut për shkak të vendimit të saj për të blerë sistem antiraketor amerikan me qëllim që të mbrohet nga Veriu. Kina, e cila i sheh këto sisteme si kërcënime për sigurinë e vet, ka kërcënuar se do të bllokojë marrëdhëniet dypalëshe si dhe do të pakësojë marrëdhëniet tregtare.

Lëvizje të tilla janë një ves i vjetër për Kinezët dhe SHBA duhet t’u shtyjë ata ta ndërpresin këtë ves, duke e bërë të qartë se një sjellje e tillë kërcënuese do të cënojë marrëdhëniet e Kinës me SHBA-në. Në të njëjtën kohë, SHBA duhet të angazhohet sinqerisht me Kinën për perspektivën afatgjatë të një ribashkimi të Koresë dhe se çfarë nënkupton kjo për marrëdhëniet e Kinës dhe SHBA-së me Republikën e Koresë.

Tillerson ka të drejtë në argumentin se përdorimi i forcës ushtarake është një opsion që duhet të kihet parasysh. Por SHBA duhet të mbajë derën hapur edhe për bisedime diplomatike me Korenë e Veriut, së paku për të shmangur një rebelim anti-amerikan në opinionin publik të Koresë së Jugut, gjë që ndodhi kur administrata e George W. Bush, në mandatin e tij të parë, dështoi të shfaqë interes për çfarëdolloj negociate.

Por çfarëdolloj negociate duhet të ndërtohet mbi atë që është diskutuar dhe rënë dakord më herët. Koreja e Veriut në mënyrë të njëanshme u tërhoq nga të gjitha detyrimet e saj ndaj marrëveshjes së arritur me pesë palë negociuese. Hedhja mënjanë e kësaj marrëveshjeje dhe nisja nga e para e bisedimeve me Korenë e Veriut – një përqasje që është mbështetur nga disa figura të qeverisë së Kinës si dhe nga disa analistë në SHBA – mund të minojë besueshmërinë e kontakteve diplomatike.

Ka një opsion që nuk duhet të mbahet në tryezë gjithsesi: një marrëveshje e shpejtë me Korenë për të ngrirë testimet e saj bërthamore dhe të teknologjisë raketore në këmbim të, fjala vjen, pezullimit të stërviteve të përbashkëta vjetore mes SHBA-së dhe Koresë së Jugut. Promovuesit e kësaj përqasjeje sugjerojnë se një përqasje e tillë sugjerojnë se kjo do të blejë kohë që vendet kryesore të gjejnë një zgjidhje më të përshtatshme. Por në të vërtetë a do ta pengojë kjo përpjekjen e Koresë për të siguruar armë bërthamore të përshtatshme për raketa? Duke parë mungesën e informacionit mbi programin bërthamor të vendit, kjo është e pamundur të mësohet.

Por ajo që ne dimë është që një moratorium në stërvitjet e përbashkëta mes SHBA-së dhe Koresë së jugut mund të minojë menjëherë këtë aleancë kritike. Sa e vlefshme është një aleancë ushtarake pa kontakte të shpeshta, integrim të vazhdueshëm dhe përgatitje të vazhdueshme?

Tillerson ka të drejtë ta hedhë poshtë nocionin e vijimit të politikës së durimit strategjik ndaj një vend të angazhuar për zhvillimin e armëve bërthamore dhe sistemeve të hedhjes së bombave bërthamore. Por ky është vetëm hapi i parë, Ai dhe kolegët e tij në administratën Trump duhet ta zëvendësojnë këtë politikë me një plan koherent dhe gjithëpërfshirës. Dhe ata duhet të artikulojnë politikën e tyre të re në mënyrë më të gjerë se sa pak fjali./Project Syndicate/

Please follow and like us: