Rama-Markoviç: Të rrisim bashkëpunimin
Shqipëria dhe Mali i Zi do të rrisin bashkëpunimin mes tyre për të zgjidhur sfidat e përbashkëta që kanë përpara.
Ka qenë ky mesazhi që kryeministrat e dy vendeve kanë dhënë në konferencën e përbashkët për shtyp në Podgoricë.
Në fjalën e tij, kreu i qeverisë malazeze Dusko Markoviç ka deklaruar se, me homologun Rama ka biseduar për rritjen e bashkëpunimit për një sërë çështjesh, që nga proceset e integrimit e deri tek ato dypalëshe si lufta kundër krimit ndërkufitar.
Ndër të tjera, Markoviç ka vlerësuar kontributin e komunitetit shqiptar të Malit të Zi në zhvillimin ekonomik të vendit dhe anëtarësimin e tij në NATO.
Ai ka shtuar më tej se, mbledhja e përbashkët mes dy qeverive do të mbahet në tetor, në Shkodër.
Nga ana e tij, kryeministri Rama ka deklaruar se mirëpret anëtarësimin e shpejtë të Malit të Zi në NATO, duke nënvizuar se Shqipëria ka dhënë kontributin e saj për këtë projekt.
“Kjo është një arritje historike për rajonin, pasi faktikisht e gjithë vija bregdetare e këtij krahu, Jonit dhe Adriatikut, është zonë e NATO-s”, ka thënë Rama.
Ai ka vlerësuar qeverinë malazeze për përfshirjen e komunitetit shqiptar në aktivitetet politike, ekonomike, si dhe duke mbështetur pushtetin vendor në komunat me shumicë shqiptare.
“Të intensifikojmë marrëdhëniet në funksion të përmirësimit të jetës social-ekonomike të qytetarëve tanë”, ka shtuar Rama.