Albspirit

Media/News/Publishing

Blushi e krahason Ramën me një bishë: Gjithë kafshët e pyllit po mblidhen për ta vrarë, Rilindja po bie

Në seancën e sotme plenare, deputeti e njëherazi kreu i LIBRA-s, Ben Blushi, bëri thirrje se Rilindja po bie, e ky është një funeral që Rama me Rilindjen e tij e përgatiti vetë.

Duke e krahasuar me një bishë kryeministrin, ai u shpreh se të gjithë kafshët e pyllit janë mbledhur për ta vrarë.

Teksa thekson se LIBRA nuk do të braktisë zgjedhjet, Ben Blushi bën thirrje për bashkim për të mos lejuar Ramën që ndjekë taktikën që ndoqi me referendumin një vit më parë.

Sa për rëndësinë e zgjedhjeve, Ben Blushi bëri thirrje për respektimin e të gjitha elementëve të saj dhe për të bindur Partinë Demokratike që të marrë pjesë në zgjedhje.

“Njeriut që sot duhet të shkruante fjalimet e atyre që mungojnë, sot po i dridhet dora, ministrave po u ngjiret zëri. Ndoshta javës tjetër nuk do jenë aty ku janë. Lajm i mirë për gjithë shqiptarët, Rilindja po bie. Kanabistët dhe krenaristët ishin dy shtyllat e Rilindjes, e bënë vetë këtë funeral.

Disa janë në burg, disa janë në drejtim të burgut, një pjesë u shpërndanë, duke e lënë Rilindjen vetëm. Sot Rilindja është e lodhur, pa frymë.

Mendoni sikur jeni në një pyll, është një bishë e uritur e tërbuar,  që nuk sheh vetëm ha, kafshon, që ka vetëm mllef. Kjo është Rilindja, pa pasion. Gjithë kafshët e pyllit janë mbledhur për ta vrarë. Nëse duam të bëjmë Shqipërinë, duhet ta heqim Rilindjen qafe. Ndodhi për shkak të Edi Ramës që qeverisi në gjithë këto vite me një grup keqbërësish, me mbetje, trafikantë, banditë.

Kjo Rilindje ka kaq shumë xhinde, por jo poet. Edi Rama i qan xhindet. Rilindja kishte një piktor, por që nuk ka aftësinë të vizatojë një njeri. T’i thuash vizato Mark Frrokun, e qan.

Edi Rama për fat të keq i donte të gjitha, qeverinë, partinë, drejtësinë, ekonominë, prokurorinë, tradhtinë, Shqipërinë. Por sigurisht këtë të fundit nuk do ia japim, nuk do lejojmë ta marrë.

Të jeni të bindur që kriza më e keqe është kriza më e gjatë. Libra është e vendosur të hyjë në zgjedhje, jemi në opozitë me të gjitha partitë në parlament, në çadër, por jo me Kushtetutën.

A ka opozitë në botë që nuk do të hyjë në zgjedhje? Çudia më e madhe sot në Shqipëri nuk duan faktorin zgjedhje. Imagjinoni që shqiptarët të shkojnë të votojnë e mos kenë ç’të votojnë.

Dua të shprehem për ata që vënë në dyshim LIBRËN, LIBRA nuk vjen nga paratë e pista. Ata që thonë që Libra nuk duhet të hyjë në zgjedhje, në fakt i bëjnë një nder Edi Ramës.

Nëse PD dhe Libra nuk paraqiten në zgjedhje, Edi Rama mund të kthehet në pronar për një vit. Edi Rama përfundon me 80 mandate, është jashtë kontrollit. Nëse LSI nuk hyn në zgjedhje, Edi Rama hyn në fuqi me 100 mandate, mund të ndryshojë Kushtetutën e Shqipërisë, si ajo e Erdoganit, ose më keq.

Ai do ishte jo vetëm jashtë kontrollit, por jashtë orbitës. Nëse Edi Rama do hynte vetëm, ky do ishte një referendum që e kemi parë. Duhet ta lëmë të bëjë një referendum për vete?

Edhe nëse Edi Rama nuk vjen më 18 qershor dhe kam frikë se po… Por unë iu siguroj, Libra do jetë në zgjedhje. Unë them se duhet të hyjmë në zgjedhje të gjithë, duhet të bëjmë të pamundur për të bindur Partinë Demokratike.

Ky sistem është i pandershëm, mund të ndryshojë, mund të shmangen koalicionet. E dyta, duhet të hiqni dorë nga numërimi militant i votave. Nuk ka pse militantët të numërojnë votat e gjithë shqiptarëve. Monitorimi. Ka ardhur koha të zgjidhet Presidenti. 40 burra e gra duhet të dalin që këtej, kemi parlamentin më të madh. Një parlament më i vogël do ishte më pak injorant, më pak bandit. E fundit, jepini emigrantëve të drejtën të votojnë. Shqipëria do jetë një vend më i mirë. Unë mendoj se rrugë tjetër nuk ka. Çdo minutë që kalon i shtyn zgjedhjet me nga një ditë. Nëse ka zgjedhje ka edhe zgjidhje.”, është shprehur ndër të tjera Blushi.

Please follow and like us: