Pse u krijua “Fronti anti-Rama?” A është Rama një person i rrezikshëm?
Kriza politike e sotme, është në të vërtetë një “Front i përgjithshëm anti-Rama”. Ky “front” shtrihet nga Koço Kokëdhima, Ben Blushi dhe disa deputetë aktualë që janë gati të dalin hapur në momentin e duhur, brenda vetë Grupit parlamentar të PS. Ky “front” përfshin natyrshëm Opozitën dhe është duke tërhequr në brendësi të vet, edhe LSI-në e Ilir Metës.
Çfarë ka ndodhur në të vërtetë? Përse Rama, konsiderohet jo thjesht një kundërshtar i talentuar politik, por një “personazh i rrezikshëm”? Në pak rreshta, kjo është e vështirë, por mjaftojnë pak “kujtesa” për ta vënë në sprovë këtë tezë.
1. Mungesë e plotë qëndrueshmërie dhe luajaliteti ndaj miqve politikë dhe personalë. Lubonja, Blushi, Kokëdhima, Meta, Nano….
2. Mungesë e plotë qëndrueshmërie në parimet politike: “rikthimi i Ligjit të Plehrave” është njolla më e turpshme. Mbrojtja in ekstremis e të korruptuarve dhe sidomos të të inkriminuarve, në rradhët e stafit të vet parlamentar apo në postet kryesore, të cilët kanë rënë një e nga një, falë dokumentacioneve ndërkombëtare, të bëmave dhe krimeve të tyre të kaluara.
3. Mungesa e skrupujve dhe kapërcimi i “Linjës së Kuqe” në lidhjet me përdorimin politik dhe ekonomik të bandave dhe personave me të kaluar të errët dhe të tmerrshme kriminale. Për një grusht votash më shumë dhe si një kërcënim real për kundërshtërët apo konkurentët e tij politikë. Si vrasës potencialë.
4. Mendjelehtësia kriminale e një mendjeje të paekuilibruar, që planifikoi dhe zbatoi kanabizimin total të Shqipërisë, duke përdorur strukturat shtetërore si instrument planifikues, kontrollues apo nxitës. Me të vetmin qëllim, krijimin e një perandorie influencash politike dhe ekonomike, udhëhequr nga pikësynimi i qartë, për kapjen e të gjitha pushteteve të mundshme, në një dorë të vetme, në dorën e tij.
5. Përdorimi mendjelehtë dhe me pasoja të rënda ekonomike, i parave të buxhetit të shtetit, duke e përdorur këtë buxhet si një portofol personal nderesh, rryshfetesh, me qëllim krijimin e aleancave të forta korruptive me biznesin e madh vendas. Për të patur kësisoj, burime të bollshme dhe të lira financiare, për të “sponsorizuar” me shifra të mëdha që nuk lenë gjurmë, nëpërmjetë bizneseve të parapaguara në formë “konçesionesh”, eskponentë të politikës së brendshme dhe madje edhe eskponentë të huaj të rëndësishëm, në raportimet e tyre për Shqipërinë.
Këtu pra nuk bëhet fjalë për një korrupsion episodik individësh me pushtet, por për shumë më tepër, bëhet fjalë për një skemë dhe një projekt të mirëfilltë politik dhe financiar, që synon krijimin e një “principate” të gjithëkontrolluar, me një despot të vetëm në krye, që është pra sipas këtij “projekti”, Edi Rama. Dhe sigurisht kjo skemë e përligj padyshim “Frontin e përgjithshëm anti-Rama”. /360grade.al/