Nikollë Lesi: Ja ku është pronar mediash Edi Rama
Nuk thonë kot që nëse nuk shkëlqen në një drejtim, jeta do të jap tjetër fat, në një udhë tjetër. Edi Rama njihet si intelektual i orëve të para të demokracisë, analist dhe ku pena e tij mbetet brilante. U bë kryeministër dhe drejtoi disi mirë, kurse ka pak kohë që ndjeu, me finesën e një Komandanti të Legjionit të Nderit të Francës, që edhe puna si kryeministër është në orët e fundit ndaj ka krijuar një televizion privat “ERTV”, dy “gazeta”; njërën politike si “Mirëmëngjez” dhe një tjetër kulturore “AMARCORD”. Natyrisht që përdor teknologjinë e fundit të bërjes televizion apo gazetë, e jo si dikur kur punonte si gazetar te gazeta “AKS” në vitin 1995 me drejtor Teodor Kekon dhe kryeredaktor Andi Bejtjen. Duhet pranuar se televizioni “ERTV” është gjetje e kohës dhe shikohet shumë. Po konkuron Klan dhe Top Channel, sepse Edi Rama ecën me shpejt se koha në këtë drejtim. Fatmirësisht nuk ka nevojë për liçensë nga AMA, sepse mund t’ia bllokonin dy pronarët e dy televioneve kombëtare, pasi e ka në facebook dhe akoma mbetet pa licensë, si ligj. Pra Edi Rama po shkëlqen në “ERTV”, me një staf të vogël e ku Endri Fuga mbetet administratori i televizionit, një djalë i edukuar, pa hile dhe që për dreq fati, nuk e bëri ministër të kulturës.
Pra televizioni i Edi Ramës, ERTV, ramë dakort se mbetet gjetje, një zgjidhje larg urdisë së pronarëve mediatikë që për të dalë në një emision apo në lajme nga fillimi deri në fund, të vijnë në zyrë për leje ndërtimit apo leje kioskash. Rama ka shpëtuar me ERTV.
Por si një njeri i sprovuar në pushtet, me pushtet, nuk mund të rrijë pa folur edhe me lexuesit e tij. Shpiku “gazetën” private: “Mirëmëngjez”. Çdo mëngjez shqiptarët marrin në “dorë” një mesazh apo minishkrim konciz nga “Mirëmëngjezi”. Mund të jetë spitali i rrënuar, dikur, por i zbukuar tashmë nga Ilir Beqja; mund të jetë komisariat policie pa derë, dikur, por sot i rrethuar gjelbër nga pemë të hijshme prej Saimir Tahirit; mund të jetë një serë pa plastmas, dikur, por tani me rreze dielli nga Edmond Panariti; mund të jetë një shkollë pa kompjetar, dikur, por tani me kompjetura të rinjë, por pa internet nga Lindita Nikolla; mund të jetë pamje nga Korça e dikurshme franceze e viteve ’30, por tani e ndriçuar nga rrezet e Perendisë prej Niko Peleshit; mund të jetë Elbasani i shekullt të II- te ku njihej me emrin “SKAMPA” e më vonë me emrin “SKAMPINI” në varësi administrative të Durrahut, por sot ka shpëtuar se nuk ka deputet Ben Blushin; mund të jetë pamje nga repartet ushtarake të kohës së Saliut, por sot janë topat ngrehur me tytat lart; mund të jetë shtyllë tensioni e pa lyer, por sot është Damian Gjiknuri që i ka lartësuar drejt qiellit; mund të jetë pamje nga Tirana e Lulit, por sot Tirana bërtet: Rroftë Lali Eri.
Kjo është gazeta “Mirëmëngjezi”. Gazetë që po ecën. Bravo!
Ndërsa në darkë Edi Rama ka gazetën “AMARCORD, gazetë e shkëlqyer. Nuk ka nevojë për koment. Urime!
Edi Rama tashmë është pronar mediatik, me dy gazeta e një televizion privat. Pa licensa, por licensën e jep publiku.
Rama mbetet kryeministër, që edhe kur ikën, di të bëjë gjëra të bukura