Mbështetje e gjerë në Kongres për sulmin amerikan në Siri
Vendimi i Presidentit Trump për të autorizuar goditjen e një baze ajrore të ushtrisë siriane gjeti mbështetje të gjerë në radhët e anëtarëve të Senatit amerikan nga të dyja partitë, megjithëse pati edhe anëtarë që shprehën shqetësim që presidenti nuk kërkoi autorizim nga Kongresi për një veprim të tillë ushtarak.
Disa nga kundërshtarët më të fortë politikë të presidentit e mbështetën sulmin. Udhëheqësi i pakicës demokrate, Senatori Chuck Schumer tha se goditja amerikane ishte veprimi i duhur pas sulmit shokues të ushtrisë siriane ku mendohet se janë përdorur armë kimike. Udhëheqësja e demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Nancy Pelosi e cilësoi si “përgjigjja e duhur”.
Udhëheqësi i shumicës republikane në Senat, Mitch McConnell tha se kjo goditje u dërgon një mesazh të fuqishëm miqve dhe kundërshtarëve të Amerikës.
“Sulmi siguron aleatët suni në vendet arabe se Amerika është aktive, se do të luajë një rol udhëheqës dhe se po përpiqet të jetë konstruktive në disa arena në botë, si dhe u përcjell një mesazh Iranit, Koresë së Veriut, dhe rusëve se Amerika synon të udhëheqë përsëri,” tha Senatori McConnell.
Ligjvënësit kishin mendime të ndryshme për rolin e Kongresit.
Administrata Obama si dhe administrata Trump janë mbështetur në autorizimin që ka dhënë Kongresi pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, për të përdorur forcën për të goditur grupe terroriste si ISIS dhe al-Kaida. Por disa ligjvënës ngritën sot argumentin se goditja e trupave qeveritare siriane kërkon një akt të ri nga Kongresi për të autorizuar këto masa.
“Nëse presidenti ka në plan të shkallëzojë angazhimin ushtarak amerikan në Siri, ai duhet të vijë para Kongresit për të marrë Autorizim për Përdorim të Forcës Ushtarake. Kjo është një masë e nevojshme për të parandaluar hapjen e një konflikti të ri në Lindjen e Mesme,” tha udhëheqësja e demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.
Republikani Rand Paul kritikoi sulmin në Siri, duke thënë se ndërhyrje të mëparshme amerikane në konflikte në Lindjen e Mesme “nuk kanë bërë asgjë për ta bërë Amerikën më të sigurtë”. Presidenti duhet të marrë autorizim nga Kongresi për veprime të tilla ushtarake. Këtë e kërkon Kushtetuta, tha Senatori Paul.