Basha dhe Rama keni të drejtë, por pse ikin shqiptarët nga vendi?!
Ben Andoni
Po vijon një fushatë e stërgjatur e kryeministrit të vendit Edi Rama dhe mëtonjësit të postit të tij, kreut të opozitës Lulëzim Basha sa i përket uljes së njëri-tjetrit dhe përbaltjes së gazetarisë vendase. Jo se nuk kanë argument, pasi lëmi i gazetarisë t’i jep në çdo moment argumentet me servilët, të papërgatiturit dhe përfituesit e pashoq. Por objekti i dy primatëve po bëhet qesharak në këto ditë, kur vendi po jeton një krizë politike të jashtëzakonshme, falë tyre dhe e cila tashmë me zgjatjen e pafundme po humbet dhe fillin dhe fajtorin e vërtetë. Me shumë të drejtë kryeministri i vendit kërkon respektimin e datës së zgjedhjeve. Por, me një të drejtë tjetër opozita i kërkon që të prishet status quo e deritanishme dhe i ashtuquajturi kanabizimi i vendit, me ngritjen e një ekzekutivi teknik. Sido që i vihet emri zgjidhjes prej tyre, ai është larg përfundimeve që del nga retorika e shpalosur Rama-Basha. Teksa, opozita po merr sinjale nga të gjithë institucionet se duhet të futet në parlament dhe në zgjedhje, ajo po refuzon duke kërkuar fillimin e një të ashtuquajturi republikë të re, të shqiptarëve!
Konfuzionin e shtyjnë edhe më shumë aktorët e rreshtit të dytë në politikë, që në prononcimet e tyre mediatike (mu tek ata që i urrejnë, por edhe nuk bëjnë dot pa ta) vetëm i hedhin benzinë zjarrit që mban ndezur Opozita kundër Maxhorancës dhe anasjelltas. Basha po mundohet të bëjë vizionarin, teksa i duket se po zbaton idenë e Ortega Y Gasset, që shkruante dikur se shtetit të pavarur më së pari duhet t’i paraprijë ideja, ideali ynë për shtetin, pastaj vjen radha ”që shteti të flasë vetë” dhe të ndërtohet. Por, ideali i republikës së tij duket qesharak në ligjërimin dhe argumentim e dobët populist. Ca më tepër me mungesën e ndjesës për drejtimin katastrofik të vendit dhe të atij vetë të Bashkisë dhe dikastereve.
Edi Rama i tregon me fakte reformat dhe nuk lë rast me gjestikulacione që ta stigmatizojë. Ofendon gazetarët, përqesh çadristët. Vetëm se nuk shpjegon dot një pyetje të thjeshtë: pse shqiptarët janë më të varfër nën drejtimin e tij. Ashtu si nuk shpjegon dot as humbjen e shpresës por edhe mungesën e investimeve të huaja.
Të lodhshëm, por më shumë patetikë të dy, objektin e vrerit tashmë veçmas njëri-tjetrit e derdhin te gazetarët. Në këto ditë, këta të fundit kanë marrë të gjithë baltën e hedhur nga krerët, por edhe kërcënimet e tyre. Një arsye kuptohet lehtë: Një pjesë e madhe e medias së portaleve tashmë ka dalë jashtë kontrollit të tyre dhe njerëzit janë më të predispozuar të kapin çfarë të munden nga perceptimi që vjen prej tyre, qoftë dhe i mangët. Dhe, për hir të së vërtetës, përveç pjesës shumë bruto, në median sociale të përplasen realitete të frikshme. Më së shumti janë ato të gjendjes në biznes, bujqësi, shëndetësi, arsim, shërbime qoftë aktuale por edhe të trashëguara.
Është një mal i tërë problemesh që shqetëson njerëzit, por problemi më i madh për Ramën dhe Bashën është se emrat që akuzohen gjenden o në njërin kamp o në tjetrin, ndërsa nuk e kuptojnë se populli i thjeshtë nuk mund të durojë që njerëzit që fitojnë më shumë janë ata që kanë lidhje me pushtetin e tyre. Të dyve. Mos prisni për shembuj, sepse janë fare të hapur. Thelbi i krizës është pra në elitat politike në panginjen e tyre për pushtet. Mu atë që bashkautorët Daren Acemoglu dhe James A. Robinson, e rrëfejnë jo shumë ndryshe në librin e tyre “Pse dështojnë kombet”: Ata bëjnë fajtor institucionet specifike që shpronësojnë dhe varfërojnë popullsitë dhe bllokojnë zhvillimin ekonomik. Në rastin e vendit tonë, mjafton të shikoni shumë nga njerëzit që kanë përfituar në kurriz të të tjerëve apo dhe si nuk marrin dot pronat pronarët e vërtetë, apo të konsideroni masën e madhe të shqiptarëve që po e lënë vendin apo sesi shqiptarët nuk lindin më si më parë, kur krenoheshim për nivelet më të larta të lindshmërisë, të kuptoni realisht se cilët janë fajtorët.
Ndaj z. Rama dhe z.Basha që po bëjnë garë ligjëratash është më mirë, që ta lënë baltosjen pa kriter të gazetarëve dhe t’u thonë me fjalë të thjeshta e me fjali me sintaksa klasike njerëzve: pse nën pushtetin e partive të tyre shqiptarët po bjerren, po largohen dhe nuk shpresojnë nga mrekullia e tyre që u propozohet.