Albspirit

Media/News/Publishing

Mund të mos kesh respekt për Bashën apo Ramën, por nuk ke asnjë të drejtë etike t’u drejtohesh pa edukatë

Zamira Çavo

Edhe njëherë për median shqiptare dhe per drejtuesit e disa emisioneve.

“Askush nuk mund ta vërë në diskutim – thoshte Xhovani Sartori, që në sistemet diktatoriale media monopolizohet në dorën e diktatorit”. Kjo është e qartë pasi media është lavatriçja më e mirë e trurit njerëzor.

Sot mediat shqiptare në mjaft raste dëshmojnë se janë prekur thellë nga sistemi i kastës sunduese! Media është në dorën e një pakice që shtrembëron, shpif dhe hedh në treg çdo lloje informacioni që i shërben kësaj pakice pa pyetur për të vërtetat që i duhen opinionit publik.

Unë jam e bindur se mediat kanë luajtur dhe po luajnë me interesat e popullit në favor të interesave të tyre. Ka prej tyre që që me emisionet përkatëse bëjnë “shantazhe” të hapura ndaj x apo y, dhe pasi marrin ç’ka kërkojnë, kthejnë drejtimin duke ç’orientuar opinionin! Ka prej tyre që nëpërmjet këtyre shantazheve janë bërë milionerë dhe tani guxojnë të sillen sikur “kanë në dorë” gjithçka! Dhe në njëfarë menyre e kanë, pasi asnjë qeveri, asnjë kryeministër, asnjë institucion nuk u kërkon llogari se si e vunë pasurinë marramendëse, sepse vetë ata ia dhanë të drejtën për të ndërtuar një pallat, për të blerë toka, për të fituar tendera me synim përdorimin e tyre!

Duke qenë në shërbim të interesave të pakicës jo rrallë opinionistët shndërrohen në nxitës negativë të opinionit publik, duke u bërë kështu ura lidhëse e kalimit të krizës politike në krizë sociale. Ata janë bërë jo rrallë nxitës të përçarjeve tona dhe në këtë mënyrë nxitës të konflikteve.

Këta lloje “gazetarësh” që paguhen shumë mirë nga pronarët e mediave për të bërë misionin që u ngarkohet prej tyre, kanë rrënuar imazhin e çdo institucioni duke pretenduar te ngrihen mbi to! Vërtet mund të mos kesh respekt për Lulzim Bashën apo Edi Ramën, por nuk ke asnjë të drejtë etike t’u drejtohesh pa edukatë dhe me shumë përçmim. Do apo nuk do gazetari, ata përfaqësojnë institucione, të cilat populli i shikon si shpëtimin e tyre. E njëjta gjë edhe për presidentin apo kryetarin e parlamentit. Të zhvlerësosh institucionin si të tillë do të thotë të kesh kryer një akt të pashembullt në shkatërrimin e shtetit. Ka njëmijë mënyra se si mund të kritikohen liderët e institucioneve, ka miliona pyetje që mund t’u bëhen për t’i nxjerrë “zhveshur” para opinionit publik, por etika është në thelbin e komunikimit.

Media në përgjithësi, sot është bashkëfajtore e gjendjes sonë politike e sociale dhe ekonomike. Madje disa mund të akuzohen si ndotësit më të mëdhenj të mjedisit social.

Sa kohë AMA apo ndonjë institucion tjetër nuk e vë ujin në zjarr për ç’ka ndodh, na duhet të themi ”Zot shpëtona nga këta trushplarës të medias!”.

Please follow and like us: