Hamza Jusuf: Biografia, vepra dhe aktivizmi i një intelektuali të madh mysliman
Besart M. Dovolani
- Kush është Mark Henson, jeta e hershme e tij si dhe sfondi e formimi intelektual në familje.
Hamza Jusuf konsiderohet si njëri ndër intelektualët, dijetarët dhe aktivistet më të mirë të Islamit ortodoks (sunni) në Perëndim, një zë i arsyes dhe i palodhshëm për të drejtat e njeriut, dialogut ndërfetar dhe solidaritetit, bashkëjetesës dhe mirëkuptimit mes komuniteteve.
I lindur si Mark Henson më 1958 në Ualla Ualla të Uashingtonit në SHBA dhe i rritur e i edukuar në Kaliforninë Veriore, ishte fëmija i mesëm nga shtatë dhe i dyti djalë, ku familja e nënës së tij jetonte aty prej më shumë se 100 vitesh, rrjedh prej një familje e shtresës së mesme, por intelektuale, me prejardhje të përzier dhe atë irlandeze, skoceze, saksone dhe arvanitase (nga gjyshi i nënës) dhe kjo qe arsyeja pse Shejh Hamza u rrit si i krishterë ortodoks dhe në një familje praktikantësh po aq sa akademikësh. Babai i tij, Dejvid Henson, ishte profesor në Universitetin e Bërkëllit të Kalifornisë, si ligjërues i letërsisë dhe poezisë angleze dhe një studiues i veprës së Shekspirit dhe Xhejms Xhojsit, ndërkohë nëna e tij, Elizabet Enn Xhorxh Henson, e shkolluar në Bërkëlli dhe një aktiviste e paepur e lirive dhe të drejtave të njeriut dhe me një vetëdije të spikatur e përkujdesje për mjedisin, ushqimin organik dhe planetin tonë. Dy prindër shumë mendjehapur dhe me një qasje tejet filozofike për botën dhe vizionin për të, që ndikoi ndjeshëm në formimin e hershëm të Markut, sidomos ndikimi i babait në poezi, histori, psikologji e filozofi dhe ndikimi i nënës së tij, një kundërshtuese e flaktë e Luftës së Vietnamit, aktiviste e shoqërisë civile në lëvizjet për të drejtat qytetare, në një kohë kur bëheshin gjykimet si në rastet e Soledad Bradhërit apo Xhorxh Xheksonit, ku Markun e merrte me vete që të mësonte për padrejtësite sociale e politike, sidomos për shtresat dhe komunitetet e marxhinalizuara, segreguara dhe nëpërkëmbura.
- Rrugëtimi i parë shpirtëror i Markut të ri dhe arsyet që e çuan në pranimin e fesë Islame.
Eksperienca e parë spirituale e Markut të ri ishte një udhëtim pelegrinazhi bashkë me të motrën në një ishull grek (Zakinthos), ku gjyshi i tyre nga nëna ua rekomandoi për të parë një shenjtor të krishterimit më të hershëm (Shën Gjergji) se si trupi i tij ishte i padekompozuar. Mirëpo, ajo që e shtyu atë të bëhet një studiues dhe më i thellë i religjionit dhe spiritualitetit ka qenë aksidenti i rëndë në moshën 17-vjeçare, ku ka përjetuar një gjendje afër vdekjes dhe me lëndime të tilla që ka qënë mrekulli se si ka shpëtuar. Këtu nis dhe rrugëtimi shpirtëror i tij, ku në fund fare ia nis të lexojë për Islamin, të lexojë Kuranin dhe jetën e Profetit Muhamed dhe gjëja që e ka prekur më së shumti kanë qenë formula e dëshmisë (s’ka zot përveç Zotit, që fillimisht i është dukur pa sens) dhe qortimi e dënimi i Zotit ndaj çdo ekstremizmi, fanatizmi dhe ndarje për shkak të besimit, por jo vetëm. Dhe ky studim autodidakt zgjati për dy vjet, derisa vendosi të shkonte të studionte arabishten fillimisht e mandej edhe shkencat islame në Londër, Andaluzi të Spanjës dhe më pastaj në Emiratet e Bashkuara Arabe, nga ku përfundimisht vendos të studiojë për Islamin dhe sidomos gjuhën arabe, historinë dhe traditën profetike dhe të gjeneratave të para, eksegjezën kuranore (komentimin e kuptimeve të vargjeve kuranore) doktrinën (akaidin) islame të shkollës esharite, jurisprudencën islame (fikhun) të shkollës malikite dhe rrugën mistike tradicionale (tesawufin) të urdhërit shadhilit, nën përkujdesjen dhe tutelazhin e një sërë dijetarësh të rangut botëror si Murabbit el-Haxh, Abdullah bin Bejjah, Muhamed Ahmed el-Shejbani, Abdullah Uld Salik, etj., në mesin e të cilëve jetoi dhe studioi për 10 vite duke udhëtuar kështu në më shumë se 7 shtete të ndryshme dhe kryesisht në Afrikën Perëndimore dhe atë në Mauritani, Saharën Perëndimore, Marok, Algjeri, Tunizi, Emiratet Arabe e Egjipt, si dhe fillimisht në Angli e Spanjë, derisa u rikthye në qytetin e tij, Bërkelli (KA).
- Rikthimi i tij në Amerikë: veprimtaria, aktivizmi, pikëpamjet dhe ligjërimi i tij fetar e publik
Me rekomandim edhe të mësuesve të tij, sapo u rikthye në Kaliforni, që nga viti 1987 deri në vitin 1990, studioi edhe per Infermieri dhe Gjuhë Angleze. Pasi punoi për një kohë në klinikën kardiologjike të një spitali lokal, iu rikthye përsëri universitetit, ku më 1997 përfundoi dhe studimet komparative të religjioneve në Universitetin Shtetëror të San Hozesë (KA). Ndërkohë më 1991, ai u laureua dhe pranoi një Doktoraturë Nderi në Universitetin Zejtuna të Tunizit. Në vitin 2011 nisi studimet e PhD-së në Universitetin e Stenfordit për studime islamike.
Pas shumë përpjekjesh dhe afrim të një stafi të dalluar akademik, arriti të mbledhë mjaftueshëm fonde për të themeluar kolegjin e parë universitar islamik në Amerikë dhe atë në njërën nga 5 kryeqendrat universitare amerikane si Bërkëlli i Kalifornisë i quajtur Zaytuna College, i cili shumë shpejt u vu në funksion të edukimit të grupmoshave dhe komuniteteve të ndryshme të atij regjioni për të mësuar më shumë për kompatibilitetin e Islamit dhe shkencat humane, por jo vetëm dhe duke u bërë një promotore dhe avokate e një Islami ndryshe nga çka u krijua si perceptim publik sidomos pas ngjarjeve në Amerikë, një Islam që bazohet, thirret dhe jetohet në paqe, liri, harmoni dhe solidaritet të plotë me veten, rrethin dhe komunitetin ku jeton, duke refuzuar me gjithë forcën intelektuale e humane çdo lloj devijimi, sektarizimi dhe ekstremizmi fetar. Duke qënë dhe këshilltar i Presidentit Bush II, pas sulmeve të 11 shtatorit, ai kishte dhe mundësinë direkte që të kontribuojë në përmirësimin e klimës së tensionuar e plot paragjykime nga të dyja anët duke kundërshtuar fuqishëm përdorimin e dhunës dhe shfaqjen e tensioneve dhe krizave nga të gjitha palët. Është një mbështetës i prerë i rendit kushtetues që kundërshton fort çdo lloj histerie, revolucioni dhe përdorimi të dhunës dhe të popullit si mish për top për të arritur qëllime politike, duke potencuar idenë e tij se diktaturat, luftërat dhe krizat e sidomos ato në vendet me shumicë myslimane kanë më shumë nevojë për libra se për armë, për edukim e punësim sesa për luftë e histeri. Ligjërues dhe debatues, i ftuar shpesh nëpër universitetet më prestigjoze të botës si Yale, Oxford, Berkely, Toronto, Paris, Kajro, etj., apo forumet e seminaret ndërkombëtare, si ajo në Davos e Kombet e Bashkuara apo ngjashëm ku proklamon gjithmonë zërin e arsyes, intelektualizmit dhe bashkëjetesës, në panele të një relevance të lartë, ku për shembull spikati mjaft debati i viti të kaluar në Davos me ish-kryeministrin britanik, Toni Bler, apo debatet e tij teologjike, etike, estetike, sociologjike dhe filozofike me dekanin e katedrës të studimeve religjioze pranë Universitetit të Jejllit, profesor emeritus Miroslav Volf, një teolog dhe filozof i krishterë katolik. Më poshtë mund të ndiqni disa video regjistrime të ligjeratave, debateve dhe forumeve të kohës së fundit ku Shejh Hamza ka qenë i ftuar dhe pjesëmarrës.
https://www.youtube.com/watch?v=ttF45s-Ikb8 (debat mbi të drejtat e grave ne Davos)
https://www.youtube.com/watch?v=j7UGwqhwGZ0 (debat mbi ekstremizmin me T.Bler)
https://www.youtube.com/watch?v=ssc_dJjcnv8&t=303s (ligjëratë në Universitetin e Jejllit)
https://www.youtube.com/watch?v=xI_yrkmOLQc&t=418s (debat me Prof. Miroslav Volf)
https://www.youtube.com/watch?v=RivCb5BOrnc (ligjeratë në Universitetin e Santa Klarës)
https://www.youtube.com/watch?v=LGYYv6rjFQM (ligjeratë mbi ISIS-in, mbajtur në Malajzi)
https://www.youtube.com/watch?v=hRPBXNtcmhU (intervistë: dija, sektarianizmi & qeveritë)
https://www.youtube.com/watch?v=8NCM97NOp7g (ligjeratë: rëndësia e edukimit të lartë)
https://www.youtube.com/watch?v=qY17d4ZhY8M (tryezë mbi reformimin e Islami, Oksford)
https://www.youtube.com/watch?v=mRhbSdbwKlM&t=410s (Shejkspiri dhe Islami, në 3 pjesë)
- Mesazhet kryesore të Profesor Hamza Jusufit mbi dinamikat e kësaj epoke të globalizmit.
Hamza Jusuf ngelet prej intelektualëve më të zëshëm në kundërshtimin e çdo përpjekjeje e teze për ta përzier Islamin tradicional me çfarëdolloj doktrine politike e aq më tepër kur këto risi dhe sektarizma të rrezikshme sjellin devijime e monstra të tipit të ISIS-it e simotrave të saj, duke i dhënë botës jo vetëm një imazh të rrejshëm të islamit, por duke u kthyer në një problem dhe hall të madh dhe për vetë shumicën e myslimanëve. Injoranca dhe djallëzia e tyre nuk po kursen askënd, andaj dhe Shejh Hamza, njëlloj si shumica dërrmuese e intelektualëve dhe dijetarëve myslimanë nga Lindja e gjer në Perëndim, po bëhen çdo ditë e më aktivë në publik, jo vetëm thjesht për të dënuar çdo doktrinë, tendencë dhe akt dhune e terrori, por edhe për t’ua shpjeguar sa me pastër e shkoqur mesazhin e vërtetë Islam që nuk është tjetër veçse një thirrje universale për një komunitet të madh global, të lirë, qytetar dhe kur diversiteti është vlerë e shtuar dhe asssi një pengesë e aq më pak një shkas për kriza e konflikte të çfarëdolloji. Janë mbajtur shumë forume kohën e fundit dhe janë nënshkruar disa deklarata ku kanë vënë firmën e tyre me qindra autoritete akademike e fetare botërore si një garant shtesë se këto monstra me gjasme puritanistë dhe këto përçudnime proto-primitiviste të mos gjejnë kurrë terren në masat e gjëra, që duhet pranuar se me gjithë problemet, ngelen shumë më liberale dhe më paqedashëse se çka iu servir realiteti i hidhur politik, social dhe ekonomik ne vatrat e krizave, por jo vetëm, sidomos tani që këta psikotikë po përhapen dhe veprojnë dhe në vendet e BE-së.
Mesazhi kryesor është dhe do ngelet: Islami ka ardhur për të ndriçuar mendjen dhe për të shpëtuar shpirtin e njeriut dhe jo t’i errësojë dhe vrasë ata. Liria dhe dinjiteti i gjithsecilit është e drejtë fondamentale e doktrinës Islame dhe korruptuesit e çdo koncepti të lirisë duhen ndjekur, dënuar dhe izoluar me çdo mjet e forcë, nëse vërtet duam që çmenduria të mos bëhet normë dhe të rrezikojë sigurinë, të ardhmen dhe qetësinë e të gjithëve ne. Kjo ka vetëm një mënyrë realizimi. Ajo është edukimi i mendjes dhe shpirtit dhe pranimi me zemër dhe me trup se çdo njeri është i barabartë dhe duhet respektuar e trajtuar si i tillë. Ndryshe triumfojnë delet e zeza dhe injorantët arrogantë që i shohim dhe në mesin tonë e që i hapin rrugë terrorit nesër!