Albspirit

Media/News/Publishing

Iluzionet perandorake të Mbretërisë së Bashkuar

Perandoria 2.0 është vetëm një mënyrë për të shmangur të menduarit për sfidën e vërtetë që paraqet Brexit: shpëtimi i marrëdhënieve tregtare, diplomatike, ushtarake dhe kulturore me Europën. Por kjo fantazi postperandorake ka rrënjë të thella



Rregulli i Anton Çehovit thotë se gjatë aktit të parë shfaqet në skenë një pistoletë, deri në të tretin, duhet të jetë shtënë me të. Ky parim bazë i dramaturgjisë vlen edhe për diplomacinë: më mirë të mos bësh premtime që nuk mund t’i mbash, apo kërcënime që nuk mund t’i çosh deri në fund. Eshtë një parim që konservatorët britanikë, të cilët shfryjnë për një luftë kundër Spanjës për Gjibraltarin, bëjnë mirë ta studiojnë.
Në 2 prill, ish udhëheqësi i Partisë Konservatore Britanike, Majkëll Hauard, duke përmendur Luftën e ishujve Falkland në vitin 1982 kundër Argjentinës, tha se ishte “absolutisht i sigurtë që Kryeministrja May do të jetë po aq e vendosur, që të qëndrojë në krah të popullit të Gjibraltarit”. Nuk ishte një keqkuptim. Ideja për një luftë mbi Gjibraltarin nuk është e re mes konservatorëve britanikë. Që përpara referendumit për Brexit, Ljuk Kofej, i qendrës konservatore të studimeve Heritage Foundation, ka kërkuar që të dërgohet marina britanike për të mbrojtur territorin, dhe përgatitur një urë ajrore që ta lidhë atë me tokën mëmë, në rast se Spanja do të mbyllë kufirin.
Por një ide e tillë ka kuptim, vetëm nëse pranohet ideja themelore: që e ardhmja e Mbretërisë së Bashkuar pas daljes nga Bashkimi Europian, varet prej rindërtimit të perandorisë së saj koloniale, në nivel ekonomik dhe diplomatik.
Ekonomisti euroskeptik, Endrju Liliko, ka propozuar krijimin e një aleance të quajtur Canzuk, e përbërë nga Kanadaja, Australia, Zelanda e Re, dhe Mbretëria e Bashkuar. Tregtia me këta vend zë 3 përqind të GDP së Britanisë (ndërsa ajo me BE zë 40 përqind), por nuk është vetëm një çështje ekonomike: Liliko do një aleancë ushtarake me vende anglishtfolëse dhe me shumicë të bardhësh, që do të mbështetet prej një marrëveshje të re mbi lirinë e lëvizjes. Propozimi i Lilikos bazohet në “afërsinë kulturore” mes vendeve të Canzuk, që sipas tij, do të rezultojë më e rëndësishme se sa afërsia e Australisë me Kinën, apo Kanadasë me SHBA. Sado që tingëllon një idiotësi, ky propozim është më realist se sa plani i qeverisë britanike, që vetë funksionarët e saj e quajnë me shaka, “Perandoria 2.0”.
Ministri për tregtinë e jashtme, Lajëm Foks, dëshiron të bindë 52 vendet e Komonuelthit – që përfshin gjigandë si India e Nigeria – të firmosin një marrëveshje të tregtisë së lirë me Mbretërinë e Bashkuar. Problemi është që në 32 prej tyre, kanë bërë të ditur se kanë tashmë marrëveshje të tregtisë së lirë me Bashkimin Europian, falë marrëveshjeve speciale me Mbretërinë e Bashkuar. Nëse Londra do të dilte nga BE, përpara se të arrinte një marrëveshje me ish kolonitë e saj, këto do të kishin marrëdhënie më të ngushta me Unionin, se sa me Mbretërinë e Bashkuar.
Perandoria 2.0 është vetëm një mënyrë për të shmangur të menduarit për sfidën e vërtetë që paraqet Brexit: shpëtimi i marrëdhënieve tregtare, diplomatike, ushtarake dhe kulturore me Europën. Por kjo fantazi postperandorake ka rrënjë të thella, jo vetëm në krahun e djathtë të Partisë Konservatore, por edhe në atë pakicë britanikësh ksenofobë dhe nostalgjikë, për të cilët marrëdhënia me Bashkimin EUropian ka qenë gjithmonë një formë mosmarrëveshjeje konjitive: fati i Mbretërisë së Bashkuar ishte të dominonte botën.
Eshtë kjo domethënia e vërtetë e luftës me ishujt Falkland dhe përplasjes me Islandën, mbi të drejtat e peshkimit. Eshtë për këtë arsye që ushtria britanike ka ende baza në Belize, në Nepal, në Brunei, në Qipro dhe në Gjibraltar. Kjo prani ushtarake kishte kuptim, si trashëgimi e peokës perandorake. Por në vitet e fundit, konservatorët kanë përshtatur një doktrinë jorealiste të “shtrirjes globale”, që rimerr parimet e imperializmit. Ideja është që të vazhdohet të armatosen diktatorë dhe të projektohet forca ushtarake përtej Lindjes së Mesme dhe krahut lindor të NATO-s, ku Mbretëria e Bashkuar është përqëndruar në dekadat e fundit.
Kjo strategji ka qenë paraqitur si alternativë ndaj linjës më racionale: bashkëpunimi ushtarak me vendet europiane. Por sot, sistemi shumëpalësh global është duke u fragmentuar dhe Mbretëria e Bashkuar gjendet përballë sfidave serioze. Nga njëra anë është Rusia, që po rindërton fuqinë e saj ushtarake, nga ana tjetër është rreziku global i xhihadizmit: duhet të jenë këto, shqetësimet parësore të Mbretërisë së Bashkuar sot. “Shtrirja globale” dhe Canzuk janë vetëm fantazi postperandorake, si ideja e një përplasjeje me SPanjën. Sovraniteti i Gjibraltarit është ndarë me Madridin në momentin kur, përkatësia e përbashkët në Bashkimin Europian solli integrimin ekonomik. Duhej pritur që përballë rrezikut të një shkëputjeje mes Europës dhe Mbretërisë së Bashkuar, qeveria e djathtë spanjolle të shfrytëzonte fuqinë negociuese të fituar. Dhe mosmarrëveshja për Brukselin është shndërruar në një kartë, që Brukseli mund ta luajë në tratativat për Brexit.
Por siguria e Mbretërisë së Bashkuar varet nga siguria e Europës. më mirë t’ua lëmë fantazitë perandorake konservatorëve niçeanë, të bindur se vullneti mund të mposhtë realitetet objektive të fuqive globale.
* Pol Mejsën është gazetar britanik, ekspert i ekonomisë. Ai bashkëpunon me “The Guardian” dhe Channel Four”./bota.al/

Please follow and like us: