Albspirit

Media/News/Publishing

George Soros: Shkaku, kura dhe viktima, e sëmundjes politike të kohës sonë

Dag Sondërs

“Globe and Mail”

Nëse doni të diagnostikoni sëmundjen politike të epokës sonë, thjeshtë përmendni George Sorosin. Në një farë mënyre, filantropi miliarder është njëkohësisht shkaku, kura dhe viktima e saj.

Kjo gjë doli në pah qartë në Budapest këtë javë. Një prej institucioneve më të rëndësishme të arsimit të lartë në Europë, Universiteti i Europës Qendrore, është në prag të detyrimit për të mbyllur dyert, si dhe të ndalë dhënien e diplomave për 1500 studentë. Presidenti i Universitetit, Michael Ignatieff, ish udhëheqësi liberal kanadez, po lufton për mbijetesën e institucionit pasi parlamenti i Hungarisë, i udhëhequr prej populistit të ekstremit të djathtë, Viktor Orban, miratoi një ligj që praktikisht do i mohojë Universitetit, të drejtën për të vazhduar aktivitetin, bazuar në faktin që është “i huaj”.

Universiteti i Europës Qendrore u krijua kryesisht nga, dhe financohet kryesisht nga George Sorosi. Investitori amerikano-hungarez e hapi universitetin, pikërisht në momentet kur regjimet komuniste të rajonit po shembeshin në vitin 1989 – një prej përpjekjeve të tij më të hershme, për të mbrojtur vlerat demokratike dhe ndërtuar institucione, në vende të pastabilizuara post-autoritare.

Orbani nuk e ka fshehur aspak urrejtjen e tij për Sorosin. Kryeministri hungarez e ka denoncuar në fjalime, si “grabitqarin” që udhëheq një “perandori pa kufij” dhe që, në një farë mënyre, krijoi krizën e refugjatëve sirianë. Këtë lloj karakterizimi të Sorosit – si mishërimi i një komploti global hebre që po kanoset – e ndajnë edhe deputetët e tij.

Denoncimi i komplotit të udhëhequr nga George Sorosi është shndërruar në një lloj riti, për politikanët e ekstremit të djathtë. Ashtu si personazhi i Emmanuel Goldsteinit tek libri “1984”, Sorosi është guri simbolik i provës, për politikën e intolerancës: Mjafton të përmendësh emrin e tij, apo të postosh emrin e tij në Twitter a Facebook, për të ringjallur menjëherë komplote të lashta antisemite.

Këtë u akuzua se po bënte fushata e Donald Trumpit në nëntor, ku bëri shpenzimin më të madh në një reklamë të vetme televizive, në të cilën denonconte Sorosin dhe hebrenj të tjerë të njohur si “interesa speciale globale” që “kontrollojnë levat e pushtetit” dhe “nuk kanë në mendje të mirën tuaj”. Reklama u kritikua nga Lidhja Kundër Shpijes, për ngjashmëri me propagandën antisemite.

Që atëherë, Sorosi është akuzuar se ka financuar protestat kundër Trumpit dhe fushatat elektorale. Gjë që është pjesërisht e vërtetë: Eshtë e vështirë të gjesh një fondacion bamirës pro demokracisë apo të drejtave të njeriut, apo organizatë që bën thirrje për të votuar, që nuk ka marrë para nga Sorosi (ndonëse këto organizata kanë protestuar edhe kundër Barack Obamës). Sorosi e ka denoncuar Trumpin si autokrat. Megjithatë, në të njëjtën kohë, ai edhe e ka financuar duke i dhënë hua miliona dollarë, për të ndërtuar kullat e tij në Chicago e New York.

Dhe këtu qëndron paradoksi i George Sorosit: Ai nuk është vetëm shënjestër e politikanëve si Orban dhe Trump, ai është në të njëjtën kohë, edhe “mundësuesi” i tyre.

Eshtë e drejtë të themi se Orbani është krijuar prej Sorosit. Fondacionet për Shoqërinë e Hapur të tij kanë qenë forca udhëheqëse prapa lançimit, në vitet 1980, të partisë së Orbanit, Fidesz, e cila nisi si një lëvizje rinore antikomuniste, përpara se një grant disa miliona dollarësh i George Sorosit e shndërroi në një parti të madhe. Sorosi pagoi për arsimimin e Orbanit në Oxford, si dhe i dha atij një pagë mujore prej pothuaj 2 mijë dollarësh, gjë që i mundësoi të ndiqte një karrierë politike.

Sorosi vetë e ka pranuar ironinë e pozicionit të tij, 22 vjet më parë: Duke përdorur paratë e tij të pakufishme për të nxitur lirinë politike, ai gjithashtu ka fuqizuar ata që përdorin imazhin e tij, për të promovuar të kundërtën. “Unë jam bërë shënjestra kryesore e versionit aktual të teorisë konspirative antisemite. Nëse ka patur ndonjëherë një njeri, që do i shkonte fiks stereotipit të komplotuesit botërore judeo-plutokrato-bolsheviko-sionist, ky jam unë – dhe në fakt, gjithnjë e më shumë kështu po më përshkruajnë”, shkruante ai në librin e vitit 1995, “Sorosi për Sorosin”.

“Qëllimi im fillestar… ishte të krijoja një shoqëri ku kjo lloj teorie konspirative nuk do të lulëzonte; por ndërkohë që mbroja një shoqëri të hapur, unë grumbullova atë lloj fuqie mistike, që në fakt e ushqeu këtë teori konspirative. A nuk e shihni ironinë?”

Po, e shohim. Dhe shohim gjithashtu një ironi më të thellë – atë që biografja e tij, Anna Porter e quan “kontradikta e qenësishme mes Sorosit miliarder dhe Sorosit filantrop”.

Në rastin më të keq, Sorosi ka gjetur limitet e blerjes së një shoqërie më të barabartë, me pasurinë e një njeriu. Në rastin më të mirë, ai është vetëofruar si një test litmusi për intolerancën. Përmendni emrin e tij – dhe dëgjoni përgjigjen. / Përgatiti: bota.al

Please follow and like us: