Trump pranon ftesë për vizitë shtetërore në Pekin
Presidenti Donald Trump ka pranuar një ftesë nga Presidenti i Kinës Xi Jinping për të zhvilluar një vizitë shtetërore në Pekin. Vizita do të zhvillohet këtë vit, por nuk është dhënë një datë e saktë.
Njoftimi u bë në kompleksin e pushimeve Mar-a-Lago në Florida, gjatë një sesioni informimi të tre sekretarëve të kabinetit të zotit Trump dhe u konfirmua nga media shtetërore kineze.
Sekretari i Shtetit Rex Tillerson tha se presidentët Trump dhe Xi kishin diskutuar mbi Korenë e Veriut dhe ishin të një mendjeje se rendja e Phenianit pas armatimit bërthamor është një problem shqetësues. Sekretari Tillerson tha se Shtetet e Bashkuara dhe Kina kanë një angazhim të përbashkët për çarmatosjen bërthamore të Gadishullit Korean dhe se do të bashkëpunojnë më ngusht për këtë synim.
Nuk është e qartë sa u fol gjatë takimit për çështjen e të drejtave të njeriut, një temë që është ngritur në takime të mëparshme mes udhëheqësve të dy vendeve.
Ndërkaq, Shtëpia e Bardhë tha se Presidenti Trump kishte ngritur “shqetësime serioze për ndikimin e politikave industriale, bujqësore, teknologjike dhe kibernetike të Kinës tek tregu i punësimit dhe vëllimi i eksporteve amerikane”.