Albspirit

Media/News/Publishing

Tensionet Uashington-Moskë në prag të vizitës së Sek. Tillerson

Sekretari amerikan i Shtetit Rex Tillerson shkon në Moskë më 12 prill në një vizitë të planifikuar që para sulmit kimik të forcave siriane dhe kundërpërgjigjes amerikane të së premtes. Zyrtarët amerikanë thonë se Sekretari Tillerson do t’u bëjë thirrje rusëve të reflektojnë thellë në lidhje me mbështetjen që i japin regjimit të Bashar al Asadit.

Në komentet e tij pas goditjes amerikane të së premtes, Sekretari Tillerson u shpreh hapur se administrata amerikane është e bindur që qeveria siriane e Presidentit Asad ishte përgjegjëse për sulmin me agjent kimik ndaj popullatës civile.

Analistët thonë se përdorimi i armëve kimike është një faktor i rëndësishëm që do të ndikojë tek marrëdhënia e administratës amerikane me Kremlinin. Administrata e re do të duhet të bëjë të qartë qëndrimin e saj ndaj një sulmi të tillë që kërcënon paqen dhe sigurinë botërore.

Ukraina është gjithashtu një temë që do të ngrihet gjatë vizitës së sekretarit të shtetit. Administrata aktuale e ka bërë të qartë se mbështet sanksionet deri kur Moska t’i jape fund agresionit të saj në Ukrainë.

Zyrtarë të lartë të administratës, ndër ta Ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Haley, janë shprehur se Shtetet e Bashkuara do ta vënë Moskën para përgjegjësisë kur shkelen normat ndërkombëtare.

Please follow and like us: