Atentati në makinë/ I zbrazën 15 plumba, Elidoni kërkoi ndihmë
Ekzekutohet me breshëri automatiku një 35-vjeçar në Vlorë. Viktima, i identifikuar nga Policia është Elidon Mehmeti, drejt të cilit janë zbrazur rreth 15 plumba kallashnikovi.
Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmë në zonën e Skelës, kur persona ende të paidentifikuar qëlluan në drejtim të mjetit që i ishte zënë pritë, tip “Ford”, me targa AA 709 HM.
Për pasojë, drejtuesi Elidon Mehmeti, që ka qenë edhe shënjestra e këtij atentati, gjeti vdekjen. Policia bëri të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:00, në rrethrrotullimin e Skelës, kur 35- vjeçari ndodhej i vetëm në mjetin e tij dhe, sipas të dhënave, ai po kthehej në banesë.
Dyshohet se Mehmeti është ndjekur nga autori dhe është qëlluar në një moment kur makina, për shkak edhe të punimeve që po bëhen në zonë, ka qenë në limitet e shpejtësisë.
Pasi ka ikur për rreth 50 metra me makinën ndezur, mjeti është ndalur dhe 35-vjeçari ka tentuar të dalë për të kërkuar ndihmë.
Breshëria ka terrorizuar banorët e paktë që janë gjendur afër vendit të ngjarjes në ato momente.
Kalimtarët janë afruar për ta ndihmuar ndërsa autoambulanca, e cila ka mbërritur në një kohë të shpejtë, e ka shoqëruar në spital.
Por, me gjithë ndërhyrjen e shpejtë të mjekëve, Mehmeti nuk ka mundur të shpëtojë. Sipas mjekëve, ai kishte marrë disa plumba, çka e bën të pamundur shpëtimin e tij.