Albspirit

Media/News/Publishing

PDIU jashtë komisioneve të vettingut, Idrizi kërcënon Ramën me largim nga koalicioni

Formula e përzgjedhur nga Partia Socialiste për të përfaqësuar maxhorancën në komisionin e verifikimit të kandidatëve për vettingun nuk përfshin tre partitë kryesore të koalicionit qeveritar.

Për 3 vendet që i përkasin maxhorancës janë propozuar 4 emra. Socialistët propozuan Ulsi Manjën dhe Vasilika Hysin, LSI-ja Luan Ramën dhe PDIU-ja kryetarin Shpëtim Idirizi.

Por propozimi zyrtarisht nga Partia Socialiste i dy emrave do të thotë se në komisionin e vettingut nuk ka vend për të gjithë aleatët.

PDIU-ja, si partia më e vogël mund të përjashtohet nga përfaqësimi në komisionin për vettingun, çka do të thotë se tre vendet do të zihen dy nga Partia Socialiste dhe një nga LSI-ja.

Propozimi i dy emrave nga partia më e madhe qeverisëse ka krijuar pakënaqësi tek PDIU-ja. Burime të afërta me kryetarin Shpëtim Idrizi thanë për Top Channel se “kjo nuk është mënyra për të mbajtur aleancën” dhe se “një veprim i tillë e shtyn PDIU-në një hap tjetër larg qeverisë”.

Partia Socialiste nuk ka dhënë asnjë shpjegim përse ka zgjedhur një formulë që nuk i lë vend PDIU-së të përfaqësohet si pjesë e koalicionit qeveritar në komisionet e vettingut, një formulë për të cilën PDIU thotë se ishte rënë dakord.

Por cilido që të jetë shpjegimi, dhe nëse PDIU, zyrtarisht me 6 deputetë, mbetet jashtë, kjo mund të jetë një tjetër arsye për tronditjen e koalicionit qeveritar.

Që edhe kështu siç është ka plasaritje të forta, që duken të vështira për t’u riparuar deri më 20 prill, kur të skadojë afati i regjistrimit të koalicioneve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Please follow and like us: