Samiti i G7-ës/ Tillerson: SHBA do sulmojë të gjithë ata që vrasin njerëz të pafajshëm
Siria dhe qasja ndaj konfliktit ka qënë tema kryesore në tryezën e bisedës mes Ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të G7-ës, teksa palët do të synojnë që të konsolidojnë një qëndrim të përbashkët rreth kësaj çështje.
I pyetur mbi situatën, Sekretari amerikan i Shtetit Rex Tillerson, deklaroi se SHBA do të përballet gjithmonë me ata që sulmojnë të pafajshmit. Ndërkohë, Sekretari britanik, Boris Johnson, ka propozuar idenë e shtimit të sanksioneve ndaj Rusisë.
Në mbledhjen e Ministrave të Jashtëm të G7 që po zhvillohet në qytetin e Luccas në Itali, përfaqësuesit vendeve anëtare të këtij grupimi kanë diskutuar me prioritet çështjen e Sirisë, ndërsa kanë theksuar rëndësinë e mbajtjes së një qëndrimi të unifikuar në kushtet kur situata duket mjaft e tensionuar.
Takimi mes shefave të diplomacisë është zhvilluar me dyer të mbyllura, por në deklaratat e tyre, zyrtarët kanë rënë unanimisht dakord se palët gjendet përpara një nevoje unanime për zgjidhjen e konfliktit.
Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, i pyetur nga gazetarët rreth bombardimit të bazës siriane, tha se Shtetet e Bashkuara do ngrenë gjithmonë krye ndaj atyre që kryejnë krime ndaj personave të pafajshëm.
Më i ashpër ka qenë në qëndrimin e tij Sekretari i Jashtëm i Britanisë, Boris Johnson, i cili ka prezantuar në tavolinën e dialogut idenë e shtimit të sanksioneve ndaj Rusisë.
Megjithatë, për të parë nëse çështja e shtruar prej tij do të konsiderohet nga palët, do të duhet të pritet deri në përfundimin e mbledhjes dy ditore.
Ndërkaq, Ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel, deklaroi se gjëja më e rëndësishme në këtë moment është që të ruhet uniteti nga rradhët e boshtit perëndimor.
Sa i përket zgjidhjes së konfliktit, përfaqësuesi i Berlinit tha se ky proçes duhet të vijë përmes një proçesi paqësor negociatash, e cili të kulmojë me vendosjen e demokracisë në Siri.
Mbledhja e Ministrave të Jashtëm të G7 vjen në një moment të tensionuar pas bombardimit të amerikanëve në Siri, pasi Rusia dhe Irani kanë paralajmëruar një kundërpërgjigje, në rast se do të tejkalohen edhe njëherë vijat e kuqe.
Gjatë mbajtjes së punimeve të mbledhjes në qytetin italian të Lukas janë shënuar edhe protesta, ku pati përplasje mes demonstruesve dhe forcave të policisë.
Megjithatë, gjatë tyre nuk janë regjistruar incidente madhore.