Tri shpërthime ndaj autobusit të Dortmundit, lëndohet Bartra. Shtyhet ndeshja
Ndeshja mes Borussia Dortmundit dhe Monacos, e vlefshme për çerekfinalet e Champions League, është shtyrë për ditën e nesërme, pas një sulmi ndaj autobusit që ishte duke transportuar për në stadium lojtarët e ekipit gjerman.
Nga shpërthimi i një bombe ka mbetur i plagosur mbrojtësi spanjoll i Dortmundit, Marc Bartra, si dhe janë shkaktuar dëme të konsiderueshme në autobus.
Policia ka konfirmuar se në afërsi të autobusit, pas nisjes nga hoteli ku ishte akomoduar ekipi, kanë ndodhur 3 shpërthime të fuqishme. Agjencitë e lajmeve theksojnë se mbrojtësi Bartra ka marrë lëndime në duar dhe këmbë nga thyerja e xhamave të autobusit, ndërsa është transportuar menjëherë për në spital për trajtim mjekësor.
Sipas informacioneve të deritanishme, lëndimet nuk rrezikojnë mbrojtësin spanjoll. Ndërsa policia shton më tej se nuk ka rrezik për ndonjë sulm në stadium, por organizatorët e ndeshjes, përfaqësuesit e të dy klubeve dhe delegatët e UEFA-s kanë vendosur që ndeshja të shtyhet për ditën e mërkurë në orën 18:45.
Duke cituar arsyet e sigurisë dhe shokun e thellë të lojtarëve të Dortmundit, u përcaktua se në të tilla kushte nuk mund të zhvillohej një ndeshje normale. Ndërkohë, tifozëve të pranishëm në stadiumin “Signal Iduna Park” iu kërkua të ruanin qetësinë, ndërsa më pas, përmes ekranit gjigant të stadiumit u informuan edhe për shtyrjen dhe vlefshmërinë e biletave edhe për ndeshjen e ditës së nesërme.