SHBA, akuza ndaj Rusisë për sulmin në Siri
Shtetet e Bashkuara refuzuan ashpër pretendimet ruse se gazi kimik sarin, i cili vrau dhjetra njerëz në Siri javën e kaluar, erdhi nga një sulm ajror i ndërmarr në një depo municionesh të kontrolluar nga rebelët dhe nuk ishte një sulm i qëllimshëm nga ana e luftëtarëve sirianë mbi civilët.
Zyrtarët e sigurisë kombëtare në një konferencë në Shtëpinë e Bardhë akuzuan Moskën, një aleate e presidentit sirian Bashar al-Assad, për “një fushatë shumë të qartë për të errësuar natyrën e sulmit.” Ata thanë se armët kimike në sulmin e 4 prill u lëshuan në mes të një rruge – siç tregohet nga zhuritjet në rrugë – dhe jo në një ndërtesë.
Zyrtarët, duke folur në kushte anonimiteti, thanë se Siria “nuk ka treguar të vërtetën” për grumbullimin e armëve kimike, pavarësisht një marrëveshjeje të vitit 2013 për të shkatërruar rezervat e saj.
“Ne dimë se regjimi sirian ka gaz sarin”, tha një zyrtar. “Kemi besimin se rebelët nuk e kanë gazin sarin”.
Zyrtari e quajti provën “një mundësi për Rusinë t’i jap fund fushatës së saj dezinformuese”.
Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë folën disa orë pasi Turqia njoftoi se provat kanë konfirmuar se gazi vdekjeprurës sarin është përdorur në sulmin e dyshuar me armë kimike në Siri mbi rebelët, duke vrarë dhjetra persona dhe duke lënduar qindra të tjerë.
Konfirmimet për shkakun e vdekjeve vijnë ndërsa presidenti rus Vladimir Putin bëri thirrje për një hetim të OKB-së për sulmin me armë kimike i cili nxiti presidentin amerikan Donald Trump të urdhëronte lëshimin e 59 raketave mbi një bazë ajrore siriane që Uashingtoni beson se u përdor për të kryer sulmin.
Putin, aleat i presidentit sirian Bashar al-Assad, akuzoi Shtetet e Bashkuara për “provokime” duke akuzuar Sirinë për sulmin me armë kimike. Pa ofruar asnjë provë, zoti Putin tha se Uashingtoni po planifikon një sulm të ri me raketa, përfshi pranë kryeqytetit Damask pas sulmeve të sajuara kimike atje.
“Ne kemi informacione se po përgatitet një provokim i ngjashëm … në pjesë të tjera të Sirisë përfshi rrethinat në jug të Damaskut ku ata po planifikojnë të hedhin përsëri disa substanca dhe të akuzojnë autoritetet siriane për përdorimin e armëve kimike”, tha zoti Putin.
Udhëheqësi rus shtoi, “Më kujton ngjarjet e vitit 2003 kur i dërguari amerikan në Këshillin e Sigurimit demonstroi atë që ata thanë se ishin armë kimike të gjetura në Irak. E kemi parë këtë tashmë.”
Kritikat vijnë ndërsa Sekretari amerikan i Shtetit Rex Tillerson mbërriti në Moskë për bisedime të mërkurën me homologun e tij rus Sergei Lavrov. Tillerson, zyrtari më i lartë amerikan që takohet me zyrtarët rusë që kur zoti Trump mori presidencën në janar, tha se shpreson që Moska do të braktisë mbështetjen e saj për Asadin pas sulmit kimik vdekjeprurës të javës së kaluar.