Albspirit

Media/News/Publishing

Kohë përplasjesh në gadishullin Korean, Pekini drejton thirrjet për dialog

Në një kohë që Uashingtoni ka dërguar një flotë të Paqësorit drejt gadishullit Korean, të drejtuar nga aeroplanmbajtësja Carl Vinson, Pekini nisi në kryeqytetin jugkorean, diplomatin e posaçëm për çështjet e gadishullit, Wu Dawei.

Diplomati kinez mbërriti në Seul të dielën për të diskutuar çështjen bërthamore, por edhe dislokimin e sistemin amerikan të mbrojtës nga raketat, THAAD.

Seuli druan zhvillimin e një prove tjetër bërthamore me rastin e festimeve të 105-vjetorit të lindjes së themeluesit të Koresë së Veriut, Kim il-Sung. Presidenti në detyrë i Koresë së Jugut, Hwang kyo-ahn, tha se provokimet e Penianit mund të përsëriten.

 

 

Provat e fundit të raketave balistike të Penianit e detyruan presidentin amerikan Donald Trump t’u kërkojë zyrtarëve të mbrojtjes t’i paraqesin alternativa për të eliminuar kërcënimin bërthamor të Koresë së Veriut. Këtë e konfirmoi të dielën këshilltari i tij për sigurinë kombëtare, Herbert Raymond McMaster.

Zoti McMaster i tha televizionit Fox News se dërgimi i aeroplanmbajtëses Carl Vinson drejt gadishullit Korean është një vendim “i matur” për të mbrojtur interesat e Shteteve të Bashkuara në Paqësorin Perëndimor. Por disa analistë thonë se tregimi i forcës nënvizon mungesën e alternativave të tjera të presidentit Turmp.

Zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes të Koresë së Jugut, Moon Sang Gyun, tha të hënën se dislokimi i aeroplanmbajtëses USS Carl Vinson dhe i disa luftanijeve mbështetëse në rajon erdhi në përgjigje të “gjendjes së rëndë” në gadishull.

 

 

“Komanda e Paqësorit e ShBA-së njoftoi më 8 prill se kishte dislokuar aeroplanmbajtësen ‘USS Carl Vinson’ dhe disa luftanije mbështetëse në rajonin e Paqësorit Perëndimor në vend të Australisë, destinacionit fillestar. Ne mendojmë se ky është një veprim i bërë duke marrë në konsideratë gjendjen serioze në Gadishullin Korean. Kjo do të thotë se Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut janë plotësisht të përgatitur për ndonjë provokim të mundshëm të Koresë së Veriut, në një kohë kur provokimet e strategjike të Penianit, duke përfshirë provat bërthamore dhe balistike po rriten.”

Koreja e Veriut po përpiqet të prodhojë një raketë me rreze të gjatë veprimi, me mbushje bërthamore që mund të godasë territorin e Shteteve të Bashkuara, një distancë prej rreth 8,000 kilometrash. Peniani deri më tani ka bërë pesë prova bërthamore dhe mund të jetë duke u përgatitur për provën e gjashtë. Të gjithë këto prova kanë shkelur rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Në këtë gjendje të krijuar në gadishull Pekini ka marrë një qasje më të butë. I dërguar i posaçëm Wu Dawei, u takua veças me ministrin e Punëve të Jashtme Yun Byung-se dhe Përfaqësuesin e Posaçëm për Paqen dhe Sigurinë në gadishullin Korean, Hong-kyun.

Gjatë takimeve Wu, ra dakord për të forcuar sanksionet ndaj Penianit nëse përsërit provat bërthamore të raketave balistike me rreze të gjatë veprimi.

Pas takimit me përfaqësuesin e posaçëm të Kinës, përfaqësuesi i posaçëm për Paqen dhe Sigurinë në gadishullin Korean, Hong-kyun, u shpreh se të dy palët ranë dakord për të forcuar sanksionet nëpërmjet Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

“Të dy palët ranë dakord se pavarësisht paralajmërimeve të vazhdueshme të bashkësisë ndërkombëtare, nëse Koreja e Veriut bën provokime strategjike si për shembull ndonjë provë bërthamore apo me raketa balistike, atëherë do të ketë masa të forta sanksionesh në përputhje me rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Në këtë drejtim të dy palët ranë dakord të ruajnë komunikimin e ngushtë,” tha Hong.

Wu gjithashtu, ripërsëriti qëndrimin e Kinës për kthimin e palëve në tryezën e bisedimeve gjashtëpalëshe dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve nëpërmjet dialogut. Që prej disa vitesh Kina ka kërkuar vazhdimisht rifillimin e bisedimeve.

Edhe zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Kinës, Hua Chunying, tha se Kina është e vendosur për çarmatimin bërthamor të gadishullit Korean.

“Gjatë takimit midis presidentëve të Kinës dhe të ShBA-së në rezortin Mar-a-lago, ata shprehën qëndrimin për çarmatimin bërthamor të gadishullit Korean si dhe u zotuan të zbatojnë rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Ata gjithashtu ranë dakord të ruajnë komunikimin dhe koordinimin mbi çështjen koreane. Pala kineze ripërsëriti qëndrimin se është e vendosur për të kryer çarmatimin bërthamor të gadishullit Korean dhe është e vendosur për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në rajon. Pala kineze bë thirrje për gjetjen e një zgjidhjeje nëpërmjet dialogut dhe konsultimeve si dhe ka propozuar qasjen e ‘Dy ndalimeve’ për zgjidhjen e problemit bërthamor korean: ndalimin e provave bërthamore nga Koreja e Veriut dhe ndalimin e manovrave të përbashkëta amerikane-koreanojugore. Shpresojmë se palët e ndryshme do të marrin parasysh sugjerimet e Kinës,” theksoi zëdhënësja Hua Chunying.

Kohët e fundit Peniani bëri një provë me raketë balistike, duke shkelur rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që ndalojnë këto lloje provash.

 

 

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i presidentit amerikan, Herbert Raymond McMaster, tha se presidenti Trump dhe presidenti kinez Xi Jinping janë pajtuar në takimin e tyre në Florida javën e kaluar se “sjelljet provokuese” të Penianit dhe përpjekjet për të prodhuar armë bërthamore janë të papranueshme.

Presidenti Trump i ka bërë thirrje Kinës, aleatit kryesor të Koresë së Veriut, që të marrë masa më të forta për të frenuar ambiciet bërthamore të Penianit.

Please follow and like us: