Rama: Jam gati për dialog pa kushte, vendin ta zgjedhë Basha
Kryeministri Edi Rama ka pranuar se është gati të dialogojë me opozitën në një përpjekje të dytë këtë herë me nismën e presidentit Nishani për t’i dhënë fund krizës politike që ka përfshirë vendin prej thuajse dy muajsh.
Ai ftoi opozitën dhe kreun e saj Basha që të mos kenë frikë nga dialogu. Rama u shpreh se është i shqetësuar për të nxjerrë PD-në nga kjo krizë që e ka përfshirë, por nga ana tjetër pohoi se është gati të të marrë pjesë në zgjedhjet e 18 qershorit edhe pa të.
“Është momenti për të këmbëngulur për dialog. Ka një nismë të presidentit që ne e kemi përkrahur pa asnjë ngurrim, duke nënvizuar se jemi gati të ulemi në tryezën e dialogut pa kushte. Siç ndodhi në përpjekjen e mëparshme, ka sërish një vonesë që shpresojmë të mos jetë vonesa që paralajmëron dështimin e kësaj përpjekjeje dhe të gjithë ta kuptojnë, se për sa më takon mua dhe PS, dialogu është preferenca e parë, – tha Rama. – Koha nuk pret, PD dhe kreu i aj nuk duhet të kenë frikë nga dialogu dhe tryeza ku të gjitha partitë mund të flasin dhe këmbimi i opinioneve që mund të sjellë progres. Nuk kam asnjë shqetësim nëse vendi do të mbetet pa opozitë dhe si psojë nëse nuk hyn në zgjedhje.
Rama nënvizoi se faktori ndërkombëtare ka një shqetësim në rritje për situatën politike në vend, për faktin se nuk po arijnë të kuptojnë se çfarë po ndodh: “Jam i shqetësuar, sepse jemi në një situatë ku është rritur shumë vëmendja e miqve të huaj, jo për mirë, por për faktin se asnjë nuk arrin ta kuptojë se çfarë dmth e gjitha kjo dhe kur të gjithë presin të bëjmë zgjedhje në 18 qershor”.
Por, a është gati kreu i qeverisë, ashtu siç u shpreh eurodeputeti Kukan pak ditë më parë, të mbyllet në një dhomë me Bashën dhe Metën?
“I bie që dhoma të jetë me oxhak. Unë nuk vë këtë kusht, unë jam i gatshëm të shkoj në çdo godinë dhe dhomë që kreu i PD ndihet në komoditetin e tij për të zhvilluar dialog”, u përgjigj Rama.
Ai vijoi se është shumë i qetë, pasi nuk shikon asnjë krizë politike-shoqërore, por “një krizë dramatike të PD-së”.
Sa i takon zgjedhjes së presidentit të ri, Rama shpjegoi se i takon koalicionit PS-LSI të vendosë se kush është zgjedhja më e mirë, “që t’i japim vendit një president sa më dinjitoz e përfaqësues”.