Albspirit

Media/News/Publishing

Letra e Zogut drejtuar Lidhjes së Kombeve

 

 

Follorinë (Greqi) më 9 Prill 1939

Shkëlqesi,

Qysh prej Konferencës së Londrës të vjetëve 1912-1913 dhe ma vonë prej Konferencës Ambasadorëve në Paris në vjetin 1921, që e njoftnë Independencën e Shtetit Shqiptar, tue i a caktue edhe kufit definitive dhe qysh prej pranimit solemne të tij si anëtar në Shoqënin e Kombeve, Shqipnija, si Shtet i lirë për 18 vjet rresht ka mbajt marrëdhënje ma korrekte dhe ma të përzemërta me çdo Shtet, e sidomos me fqinjt e vet, tue u afirmue si një faktor i vërtet paqi, aqe sa në vjetin 1927 gjithënjë si Shtet Independent ka lidhë traktatin e alliancës defensive me Italinë të regjistruem në Shoqënin e Kombeve.

Italia, në kundërshtim ma të hapët në këtë traktat, si edhe me çdo parim që rregullon marrëdhënjët ndërkombëtare, me paktin e Shoqënis së Kombeve dhe me atë të Kellog-ut pa qenë e provokueme me asnjë vepër dhe as me një gjest prej Shqipnis ka perdhunue territorin e Shqipnis së lirë më parë më 6 Prill 1939 me fluturimin e aeroplanëve ushtarake në qiellin e Shqipnis dhe pastaj më 7 Prill me prezencën e një sasie të madhe anijesh lufte në ujnat dhe gjat të tanë breg detit shqiptar, tue bombardue qytetet detare të pa fortifikueme dhe tue zbrit ushtrin në tokën e Shqipnis së lirë. Fuqit shqiptare, të pakta në sasi dhe të vobekta në material dhanë me armë kundërshtimin që duhet të baj çdo popull independent për të ruajtur sovranitetin e vet.

Populli shqiptar prej një milioni bani çdo sakrificë për të shmangë violencën e Italisë dhe për me mbrojtë indipendencën, por qëndrimi i Tij nuk mujt me u zgjat kundrejt sulmit të pa pritun të bame me të gjithë mjetet ma moderne prej një Shteti 44 miljonësh të parapregatitun për të.

Tue protestue me mënyrë ma kategorike kundra violencës së Italis dhe çdukjes së Independencës së Shtetit Shqiptar që asht anëtar i Shoqënisë së Kombeve.

Ju lutem që ky fakt t u njoftohet Shteteve anëtare dhe Assamblesë të Shoqënisë së Kombeve tue kërkue që akti i kryem prej Italisë me violencë e gjak të mos njihet dhe Shqipnija, me zbatimin e dispozitave relative të paktit të Shoqënisë së Kombeve të rivehet në gjendjen e ma preshme.

 

 

 

ZOG I                                                Shkëlqesis së tij

Mbret i Shqiptarëve                          Zotit Joseph Avenol

Sekretar i Përgjithëshëm i Shoqënis së Lidhjes Kombeve

Geneve

Please follow and like us: