Albspirit

Media/News/Publishing

Ohrida Jacelli: Reflektim studentor

Një sjellje e përbashkët, një mendësi e një grupi të caktuar, me peshë në numër individësh, me peshë në marketing domosdoshmërish kthehet në model. Ndryshe do ta quaj parti politike. Ky model mund të edukojë ose të keqedukojë. Të dyja rastet bëhen të dukshme.
Në Shqipëri po keq edukohet! Ka një dallim shumë të madh mes dukjes dhe thelbit dhe kjo është arsyeja e keqmodelimit të shoqërisë sepse ndryshe mendojmë për shkak të marketingut dhe ndryshe veprojmë për shkak të mundësive. Media luan rol kyç në informimin e qytetarëve ndaj duhet theksuar se qëllimi i saj është komercial dhe si i tillë gjithçka krijohet mbi baza interesi. Por një mendim i gabuar mund të kushtojë zgjedhje të gabuara. Për të vërtetuar se modelet ndikojnë në edukim do të marr në shqyrtim dukurinë e korrupsionit dhe meritokracisë. Ishte ajo sjellje brenda partive që udhëhiqej nga dëshira për pasurim individual e cila u pasqyra mbi institucionet. Institucionet janw jetike dhe si të tilla e bënë dukurinë e korrupsionit të prekshme nga të gjithë e cila u kthye në kulturën e Shqiptarit. U kthye në idenë se çdo gjë mund të blihet. Ata ishin shkaku që vlera monetare cenoi vlerën e dijes. Kësisoj merita e dikujt prej kohësh i shitet dikujt tjetër. Secila parti politike aktuale ka vërtetuar se synimet i ka individuale dhe keqbërëse ndaj popullit. Pra, nuk ka një model të mirë. Edhe pse e dukshme, e përjetuar, e prekshme turma përsëri brohoret për partitë, rinia akoma më shumë! Rinia anëtare e çdo lloj partie që ekziston nuk ka dhe nuk do ketë pjekurinë e duhur për t’i dhënë zgjidhje vendit sepse po ta kishte nuk do të ndiqte shembujt negative prej vitesh. Minimalisht duhet t’i kundërshtonte edhe pse kundërshtimi është vetëm një qëndrim kritik. Veç kësaj, Shqipërisë tonë të bukur i nevojitet një zgjidhje ku mjedisi natyror dhe ai human te harmonizohen. Do të fajësoj prindërit që ndikojnë në këto anëtarësime. Këta janë prindër me karakter servilash, sepse dhe lufta që bëjnë i përket kreut e këta do kënaqen si gjithmonë me fare pak. Prindër që si produkt do sjellin një brez me mendësi të vogël i cili do vetëkënaqet me një vend pune paralel me një botë ku mundësia për të zhvilluar intelektin është e pafundme. Shikoj, bisedoj me miq e mikesha. Flasim për ekranin, flasim për median. Dhe pothuaj të gjithë vijmë në një mëndje: Po na çorientojnë! Dhe media është po kaq bashkëfajtore për të krijuar modele të gabuara. Dhe ne shikojmë, dëgjojë dhe përsërisim në mënyrë edhe më të shëmtuar modelin që na ofrohet. Nuk kemi një model të mirë vlerash dhe besimi!Bashkëmoshatarë të vendit tim ndërgjegjësohuni se politika duhet t’iu shërbejë e jo ti shërbeni! Ndërgjegjësohuni se jeni përgjegjës ndaj planetit, shtetit, atdheut, kombit tuaj. Nëse është e pamundur të kontribuoni mos keqmodeloni të ardhmen!
Studente viti III Shkenca Politike në Universitetin “Marin Barleti”
Please follow and like us: