Mehmet Ali Pasha, shqiptari modernizues i Egjiptit
Enver Robelli
Historiani austriak Jakob Philipp Fallmerayer ka qenë i pamëshirshëm jo vetëm ndaj grekëve, për të cilët thoshte se nuk kanë asnjë lidhje me helenët: «Fisi i helenëve është shfarosur në Europë. Në damarët e popullsisë së sotme të krishterë të Greqisë nuk qarkullon asnjë pikë gjak fisnik dhe i papërzier i helenëve». Sipas Fallmerayerit banorët e shtetit grek janë shqiptarë dhe sllavë të helenizuar.
Në shënjestër të përshkrimeve të tij pothuaj mizore ai para 150 vjetësh vuri edhe shqiptarët, të cilët, sipas tij, nuk ishin «popull kulture», sepse «në fushën e mendimit, përgjatë një ekzistence mijëvjeçare, nuk kanë dhënë as gjënë më të vogël dhe kanë paraqitur kësisoj dëshminë e gjallë se një popull, kur u nënshtrohet vetëm kushteve të përgjithshme të shoqërisë zakonore dhe është njëkohësisht burrëror e luftarak, mund të jetojë edhe pa shkencë, pa arte, madje dhe pa abc e mund ta ruajë fuqinë e vet zanafillore të pazvogëluar deri dhe në mes kombesh me kultivim të lartë».
Me këtë ton që s’lejonte kundërshtim ai vazhdonte: «Shqiptarët çmojnë kudo qëndrimin në vend, masën e vetëkufizimit dhe konservatorizmin më të ngulmët, siç e kupton atë vetëm Orienti i palëvizshëm, i ngrirë në vetvete.
Shqiptarët, sa herë që mund ta shpalosin natyrën e tyre, janë kudo egoistë, rebelë, të paqëndrueshëm e mizorë edhe si të krishterë, nga ana tjetër zejtarë, detarë, bujq e ushtarë energjikë, të patrembur, kursimtarë e rezistentë, të cilëve nuk mund t’ua gjesh anën me ide të përgjithshme, me politikë ndjenjash, me dituri specialisti e me teori filozofike të lumturisë botërore.
Askush deri më sot nuk e ka ndjerë në Shqipëri nevojën për të mësuar ndonjë njoftim të sigurt mbi të shkuarën e vet kombëtare. As në politikë e as në dituri nuk ka patur ndonjëherë ky popull një mendim të përbashkët e nuk duket se shqiptarët kanë patur ndonjëherë nevojën që të kapërcejnë horizontin e kufizuar të familjes dhe të klanit, të pronës private, të egoizmit, të mllefit dhe hakmarrjes. Shqipëria është vendi i mendimit të shkurtër, magazina e fuqisë fizike, vendi që me dashje nuk i bindet as vetvetes e as të tjerëve; Shqipëria është elementi që mohon gjithmonë, e ku anarkia dhe mungesa e ligjit janë njëkohësisht shpirt dhe frymë e jetës.»
Një mendim të dyzuar Jakob Philipp Fallmerayer e kishte edhe për Mehmet Ali Pashën, sundimtarin osman me origjinë shqiptare të Egjiptit.
«Kujt t’i besohet tani, kur disa e përshkruajnë Mehmet Aliun si përbindësh, si bërrylaxhi dhe frymëzënës të hekurt, si vampir gjakpirës i luginës së Nilit, por të tjerët te po ky burrë shohin heroin e shekullit, Trajanin e sundimtarëve myslimanë?» I lindur më 1770 apo 1771 në Kavallë të Greqisë së sotme në një familje shqiptare, Mehmet Ali Pasha administroi Egjiptin për më tepër se 40 vjet. Në të vërtetë pushteti i Mehmet Aliut shtrihej edhe në Sudan, Siri, Palestinë dhe Kretë.
Duke parë fuqinë e tij Sulltanët osmanë në Stamboll filluan ta kundërshtojnë, madje edhe ta luftojnë me armë sundimtarin shqiptar të Egjiptit. Në vitin 1832 i biri i Mehmetit, Ibrahimi, mposhti trupat osmane në një betejë në Konia të Turqisë së sotme. Vetë Mehmet Aliu mësoi shkrimleximin tek në moshën 40-vjeçare, andaj Fallmerayer, ky tallës kujdestar, theksonte se në krahasim me Sulltanët e arsimuar Mehmet Aliu vështirë mund të dallohet nga një grahës i deveve.
Mehmet Aliu u dërgua në Egjipt për të luftuar praninë e francezëve, të cilët të prirë nga Napoleon Bonaparti synoni t’ia gllabëronin Perandorisë Osmane këtë trevë të rëndësishme. Në Kavallë Mehmet Aliu ishte zëvendëskomandant i një njësie të përbërë nga shqiptarët. Në Kajro ai shkoi si pjesë përbërëse e shoqëruesve të Hüsrev Pashës, i cili u dërgua atje për të marrë postin e guvernatorit të Egjiptit. Helmut von Moltke, njëri prej gjeneralëve më të njohur të Prusisë, i cili kishte shërbyer si këshilltar ushtarak i Perandorisë Osmane, më 1836 shkruante: «Kur e dërguan Hüsrev Pashën në Egjipt në mesin e shoqëruesve të tij ishte një dyfekçi i quajtur Mehmet Ali, i cili u bë guvernator i përgjithshëm, duke ngjallur zemërimin e Hüsrev Pashës. Po ta kishte parandier këtë Hüsrevi, ai nuk do të kishte aq frikë po të mbeste në këtë botë një shqiptar më shumë apo më pak». Me fjalë të tjera: po ta dinte Hüsrev Pasha se shoqëruesi i tij shqiptar do të bëhej sundimtar i Egjiptit, me gjasë do ta vriste.
Mehmet Aliu u shqua me shkathtësitë e tij në botën e intrigave orientale, fundja ai ishte rritur në një ambient të tillë në Greqinë e atëhershme të sunduar nga Perandoria Osmane. Një ndër veprimet e para që bëri në Egjipt ishte eliminimi i elitës vendore të mamelukëve. Më 1 mars 1811 ai i ftoi dinjitarët lokalë për të marrë pjesë në një paradë ushtarake.
Një kronist shkroi: «Emirët hynë në shtëpinë e Pashës, i thanë mirëmëngjesi dhe qëndruan për një kohë bashkë me të, duke pirë kafe, ndërsa ai bënte përzemërsisht shaka me ta». Kur dolën për të parë paradën, ushtarët e Mehmet Aliut hapën zjarr ndaj tyre dhe nuk e kursyen asnjë. Kjo ngjarje të kujton masakrën e Manastirit të gushtit të vitit 1830, kur në një përpjekje brutale për pacifikim të trojeve shqiptare, guvernatori Mehmed Reshid Pasha i ftoi në një banket të madh krerët e fiseve shqiptare, të cilët pastaj i masakroi deri në burrin e fundit. Kjo plojë inspiroi Ismail Kadarenë të shkruajë novelën «Komisioni i festës». Historiani izraelit Ehud Toledano ka lavdëruar sidomos aftësinë e Mehmet Aliut për të mbajtur baraspeshën e duhur, për të krijuar koalicione afatgjata, për të vlerësuar si duhet interesat e palëve dhe për të manipuluar me grupet e armiqësuara mes vete.
Si guvernator Mehmet Aliu ndërmori reforma të thella ekonomike, centralizoi buxhetin, monopolizoi blerjen dhe shitjen e grurit, orizit dhe panxharsheqerit. Më 1820 u hap kanali mes Nilit dhe Aleksandrisë, një ndër investimet kryesore të pushtetit në infrastrukturë. Sipas historianit gjerman Klaus Kreiser Mehmet Ali Pasha ishte më shumë se autokrat ushtarak dhe ekonomik. Ai mbështeti shtypjen e librave në gjuhën turke dhe dërgoi mbi 100 studentë egjiptianë në Paris.
Mehmet Aliu vdiq më 12 shtator 1849 në Aleksandri dhe u varros në Xhaminë e Alabastrit në Kajro. Udhëheqjen e Egjiptit e mori familja e tij. Nën drejtimin e nipit të Mehmet Aliut, Ismailit, më 1869 u hap Kanali i Suezit. Sipas historianit Klaus Kreiser gjuha turke ishte gjuhë zyrtare deri në vitet ’70 të shekullit të ’19, në oborrin mbretëror ajo ishte e pashmangshme. Vetëm mbreti i mëvonshëm, dembeli Faruk, i cili më 1952 u dëbua nga pushteti pas një puçi, refuzoi të mësojë turqisht. Kur e pyetën si nxënës përse nuk mësonte turqisht, ai tha se s’shihte ndonjë arsye, sepse «unë jam shqiptar».