Albspirit

Media/News/Publishing

Xhevahir Hasanaj: Të shpallesh kadeti më i mirë i huaj në Britani dhe të nderohesh nga Theresa May

13 prilli i vitit 2017 padyshim se do mbetet çdo herë në kujtesën e tij. Kjo pasi arriti të nderohet me çmimin “kadeti më i mirë i huaj në Britani të Madhe”, çmim që ia ndau kryeministrja britanike, Theresa May. Bëhet fjalë për kadetin e FSK-së, Xhevahir Hasanaj, i cili dje përveç që bëri emrin e tij të njohur në mbarë botën, bëri krenar dhe familjen e shtetin.

Kadeti Hasanaj, në një intervistë ekskluzive për tesheshi.com një ditë pas marrjes së çmimit përveç që shpreh gëzimin për triumfin, flet për sfidat që ka kapërcyer për të qënë më i miri, për kohën e shkollimit ku tregon diç të veçantë, jep një mesazh për të rinjtë kosovarë si dhe flet edhe për themelimin e ushtrisë.

Intervistoi: Blendi Gashi

Kadet Hasanaj, a mundesh për fillim të flisni pak për vetën tuaj, pra një CV të shkurtër?

Jam Xhevahir Hasanaj nga fshati Abri e Epërme, komuna e Drenasit. Kam filluar akademinë ushtarake në Forcën e Sigurisë së Kosovës në vitin 2011 dhe jam certifikuar si nëntoger në vitin 2015 pas katër vjet studimesh. Në të njëjtën kohë kam ndjekur studimet në Universitetin Amerikan në Kosovë ku kam diplomuar si baçelor në degën e Politikave Publike si dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare. Pas përfundimit të studimeve në vitin 2015, jam sistemuar në Batalionin e 2-të të Reagimit të Shpejt si komandant togu për 8 muaj derisa më është dhënë mundësia të vijoj studimet e larta ushtarake në Akademinë Mbretërore në Sandhurst.

Ju dje u zgjodhët “Kadeti më i mirë i huaj” në fushën ushtarake, akademike dhe praktike. A e keni pritur këtë çmim?

Qysh nga fillimi i trajnimit kam pasur gjithmonë raporte dhe rezultate të mira dhe pastaj ato rezultate më kanë shtyrë që të punoj edhe më shumë. Konkurenca ka qenë shumë e madhe dhe deri në momentin e fundit nuk ka qenë e qartë se kush do të shpërblehet, mirëpo kam qenë shumë optimist se nga kjo akademi do të dal me sukses e një prej arsyeve është shkollimi shumë i mirë që ofrohet nga FSK dhe njohuritë që i kam marrë atje duke pasur parasysh që si ushtri e re me një akademi të re jemi model në rajon e për këtë e dëshmojnë edhe rezultatet e treguara.

Si u ndjetë kur morët çmimin nga kryeministrja britanike, Theresa May?

Ka qenë një ndjenjë e veçant, moment madhështor për mua e besoj edhe për vendin e familjen. Jo gjithmonë një figurë aq e lartë shtetërore është prezent në ceremoni të tilla, e këtë rast e ka bërë special vetë prezenca e saj e pastaj edhe prezantimi i denjë i Republikës sonë. Gjithashtu për nder të çmimit të fituar dhe prezencës se presidentit të Republikës sonë, është kënduar edhe himni i Republikës së Kosovës gjë e cila ka ndodhur për herë të parë në këtë akademi që përveç himnit të Britanisë të këndohet edhe himni i një shteti tjeter. Krenari e madhe me të vërtetë.

Ju keni diplomuar në Akademinë Ushtarake Mbretërore “Sandhurs” në Britani të Madhe. A mund të na tregoni sa e keni pasur të vështirë të arrini këtë sukses?

Trajnimi në këtë akademi ka qenë shumë sfidues si në aspektin akademik po ashtu edhe në atë taktik dhe fizik. Mirëpo të shkollohesh në këtë akademi është privilegj i veçant dhe nder i madh, një mundësi që të ipet vetëm një herë në jetë. Prandaj motivi për të punuar shumë nuk ka munguar asnjëherë me ç’rast edhe suksesi ka ardh në fund. Si një kadet ndërkombëtar më së shumti ndihesh nga vendi se nga vjen sesa nga emri që mban, e kjo ishte një shtytje e madhe për punë të palodhshme në mënyrë që vendi ynë të prezantohet siç është më së miri.

A mund të ndani diç të veçantë me lexuesit që vlen të përmendet gjatë studimeve atje?

E veçanta e këtij shkollimi pos një diplome unike nga një prej akademive më të mira në botë, poashtu të veçant e bën edhe historia që kjo akademi mban, duke pasur parsysh që të tre princat anglez kanë ndjekur po të njëjtin trajnim siç kam ndjekur unë, e gjithashtu edhe mbreti i Jordanisë e shumë e shumë figura tjera të larta shtetërore e botërore. Kjo të bën mu ndi krenar dhe i privilegjuar që si Kosovë kemi mundësi ta shfaqim potencialin tonë dhe unë personalisht ta kem këtë privilegj shkollimi në një akademi kaq prestigjioze.

Pas këtij çmimi ndërkombëtar, cilat janë synimet tuaja?

Synimi im është të kthehem në FSK, të vazhdoj punën dhe përpjekjet për të ardhmen e këtij vendi. Është nder i veçant me shërby për Kosovë e mbi te gjitha me qenë pjesë e një institucioni si është Forca e Sigurisë së Kosovës.

Cili është mesazhi juaj për të rinjtë, a ju rekomandoni që të bëhen pjesë e FSK-së?

Patjetër se po. Mundësitë e shkollimit që t’i ofron ky institucion janë unike dhe shumë të mira, e çka e bën edhe më special FSK-në është prejardhja dhe zanafilla e cila mishërohet me vlerat e UÇK-së dhe gjakun e atyre që kanë derdhur për lirinë e Kosovës e që ne sot e gezojmë. Vendi më i mirë për t’i shërbyer këtij vendi të shenjtë për mendimin tim është FSK-ja, prandaj i inkurajoj të rinjtë që t’i bashkohen sa më shumë që këtë vend ta dërgojmë përpara dhe t’i tregojmë botës aftësitë tona profesionale dhe taktike.

Për fund, a pritni që vendi të bëhet me ushtri sivjet?

Patjetër se po. Jam shumë optimist se shumë shpejt do të bëhemi me ushtri, ëndërr kjo e imja e kahmotshme. Motivi për të punuar do të rritej edhe më shumë si dhe mundësia për ta shfaqur profesionalizimin tonë si shtet do të ishte edhe më e madhe. Shpresoj dhe besoj që Kosova shumë shpejt do të bëhet me ushtri moderne dhe profesionale me standardet më të larta të NATO-s.

Please follow and like us: