Albspirit

Media/News/Publishing

Mashtrimi i platformave online të palicencuara, ja si bien shqiptarët viktima

Investigimi i “Monitor”: Platformat online të palicencuara, ndonëse mbyllen nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) gjejnë shtigje për të vazhduar punën. Si i joshin klientët dhe si po maskohen agjentët e bursës pas call center.

Nga Ledina Loga

Investigimi-1-300x197

Denis H, në mesin e të tridhjetave dhe i papunë, ka dëgjuar për “fitimet marramendëse” në platformat e tregtimit online. Një miku i tij e ka ftuar të investojë, duke e joshur se në fund të ditës do të bëhet i pasur. Me 50 euro të marra borxh, Denisi vendosi që të kryente transaksione me një nga platformat online, reklama e së cilës i shfaqej pafundësisht teksa lundronte në internet. Duke mos pasur asnjë njohuri për tregjet online, për mënyrën se si ndryshojnë çmimet e mallrave apo se si lëviz kursi i këmbimit, Denisi i humbi paratë. Ekspertët e tregut pohojnë se në të tilla platforma, 90% e individëve që vendosin të marrin pjesë në bursat online humbasin, ndërsa 10 përqindëshi “fatlum” vazhdon të joshë klientë të rinj. Në fakt, sapo të hapësh një faqe web-i është e pamundur që të mos shfaqen reklamat e kompanive të tregtimit online, të cilat premtojnë fitime të larta, si një “deja vu” e firmave piramidale. Padyshim që njerëzit janë të lirë që fondet e tyre t’i investojnë në mënyrën që iu duket më e drejtë, por problemi fillon kur këto kompani të tregtimit online nuk janë të licencuara dhe as të kontrolluara, dhe në një moment, individët mbeten të zbuluar ndaj rreziqeve.

Që nga janari, “Monitor” ka vendosur komunikim përmes email-it me një nga platformat e palicencuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, FxLider, duke u shfaqur si një klient i interesuar për të investuar në platformën e tregtimit, që pavarësisht se nuk është e licencuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, vazhdon të operojë në treg. E. B., menaxhere llogarie në këtë kompani, për të cilën thotë se nuk ka zyra në Shqipëri, këmbëngul se nuk e kanë të nevojshme që të licencohen, për sa kohë nuk kanë një seli brenda territorit shqiptar, duke u mbrojtur me anë të ligjit të tregtimit online. Megjithatë, sikurse ka njoftuar dhe me anë të një email-i në datë 22 shkurt, kjo kompani e palicencuar në Shqipëri zhvillonte një seminar informues në lidhje me veprimtarinë e saj në një Hotel në Tiranë.

Në komunikimin e datës 13 janar me anë të email-it, E.B. na dërgon një format kontrate me këmbënguljen tonë. Kontratës i mungonin elementet kryesore, pa një numër NIPT-i, pa vulë institucioni, pa logo, e pafirmosur, në gjuhë të huaj dhe për më tepër në rast mosmarrëveshje nuk përcaktohej se cilës gjykate (apo gjykatë arbitrazhi) do t’i drejtohen palët. Në përgjithësi, platformat online funksionojnë me anë të kontratave elektronike, ku individi pranon të gjitha termat dhe kushtet (shpeshherë dhe pa i lexuar fare ato). Gjatë gjithë kësaj periudhe, nga janari deri në mars, vazhdimisht vinin email-e dhe telefonata ku menaxherja në emër të FxLider na ftonte që të bëheshim pjesë si investitorë.

Të interesuar për ecurinë e tregtimit në bursat online, kërkojmë që të aksesojmë në faqen fxlider.com, ku më parë ishim regjistruar si përdorues demo. Kjo faqe, në prill rezultoi e bllokuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), në zbatim të ligjit nr. 9879, datë 21.02.2008 “Për Titujt”, transaksionet me titujt, si veprimtari tregtare, të cilat mund të ushtrohen në territorin e Republikës së Shqipërisë vetëm pas miratimit të AMF-së dhe AMF nuk ka licencuar/miratuar asnjë subjekt për të operuar me anë të kësaj platforme (fxlider.com). Megjithëse AMF-ja ka bllokuar aksesin në FxLider-i nga shfletuesi elektronik “Google Chrome”, menaxherja sjell instruksione të sakta se si të aksesosh në faqe nëpërmjet një browseri tjetër. Nëse ndjek instruksionet faqen mund ta hapësh nga Shqipëria.

AMF, raste të depozituara në prokurori

Drejtues të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se janë në një luftë të vazhdueshme me kompanitë e palicencuara, të cilat duke shfrytëzuar hapësirat e internetit, vazhdojnë që të operojnë në treg. Erda Cani, drejtore e Departamentit të Zhvillimeve Strategjike IT dhe Statistikë, tha se Autoriteti i ka në monitorim të vazhdueshëm këto platforma të tregtimit online dhe se kanë marrë masa të vazhdueshme për ndalimin e aktivitetit të tyre, madje e kanë depozituar rastin e FXLider në prokurori dhe në Drejtorinë e Krimit Ekonomik. Mirëpo vështirësia e punës qëndron se këto kompani nuk janë fizikisht në Republikën e Shqipërisë. Autoriteti vazhdimisht bllokon domainet, por kompanitë hapin adresa të reja, si në rastin konkret. “Jemi në luftë të vazhdueshme, tha zonja Cani, qytetarët janë të lirë që të investojnë në bursa, por duhet të sigurohen që këto të jenë të licencuar, pasi kështu mund të sigurohen që këto kompani janë nën mbikëqyrje. Deri më tani nuk kemi pasur asnjë rast ku individë të vijnë të ankohen tek Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare”. Në faqen zyrtare të AMF-së janë të publikuara të gjitha kompanitë e brokerimit, të cilat janë të licencuara dhe kontrolluara nga ne, tha zonja Cani.

“Të maskuar” si Call Center

Kohët e fundit është shfaqur dhe një fenomen tjetër, ku këto kompani maskohen si call center me pretendimin se po bëjnë fushata marketingu. Mirëpo këto qendra telefonike po bëjnë marketing për shitjen e produkteve financiare. E. K., në fillim të vitit të shkuar, nisur nga një lajmërim në internet, aplikoi për t’u punësuar në një kompani si agjente burse. Në njoftimin në internet, kompania premtonte një pagë të lartë, plus komisione dhe me kontratë pune. Pa kaluar shumë kohë E.K filloi të kuptonte se diçka nuk shkonte me aktivitetin e kësaj kompanie. Për “Monitor” ajo rrëfeu se kompania nuk ishte e licencuar në Shqipëri për tregtimin e aksioneve në bursë. Nga kërkimet na rezulton se ky biznes është i regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit si call center. “Ne punonim me një faqe keystock.com, në të cilën gjendeshin informacionet bazë të kompanisë sonë. Në këtë faqe ishin të dhënat se ku mund të investonin klientët si p.sh., në valutë, në naftë apo në flori etj. Gjithashtu, kompania kishte përgatitur video informuese për t’ju shpjeguar klientëve se si mund të investonin në platformë. Në përgjithësi, klientët ishin të huaj, italianë apo anglezë, por kishte edhe shqiptarë. Avantazhet që ne i jepnin klientit ishin që nëse investonin online me kompaninë tonë përfitonin konsulentin ‘falas’. Ai i udhëheq gjatë gjithë kohës dhe i jep informacion klientit se ku duhet të investojë dhe mënyrën si online klienti nuk paguan taksa dhe as për shërbimin e konsulentit. Klienti mund të nisë investime edhe me shuma të vogla duke filluar nga 250 euro deri në shuma ekstreme 300 mijë euro”. “Ndërsa, klientët që bëjnë investime nëpërmjet bankës duhet të paguajnë taksa dhe për shërbimin e konsulentit. Shuma minimale për të investuar ishte 5 mijë euro”, tregon E.K., dikur e punësuar agjente burse. Pastaj nëse klienti ka dëshirë të bëhet ‘milioner’, hapte një llogari në kompanitë tonë me të dhëna të sakta, na dërgon ID, numrat e kartës dhe një faturë me adresë të saktë, shpjegon ajo. E pyetur nëse kishte pasur klientë që kishin humbur para në këto investime gjatë periudhës kur ajo kishte qenë e punësuar, E. K. u përgjigj se klienti gjithmonë humbiste. Konsulenti duhet të njohë mirë bursën, lëvizjet që ndodhin në grafik brenda sekondave, sepse bursa bie edhe ngrihet. Objektivi ishte që një agjent nga ne duhet të bënte 10 klientë secili për një muaj. Në atë kompani, ishin rreth 20 vetë të punësuar si agjentë burse. Klientët që ne fusnim në lojë i merrnin përsipër konsulentët, të cilët duhet të ishin gjatë gjithë kohës shumë të informuar me atë çka ndodhte në tregje dhe që kishin për detyrë të rrisnin fondet që vinin në lojë klientët si investim. Fondet shkonin në 100 ose 200 mijë euro, por ka pasur raste kur shuma për investim ka arritur deri në 300 mijë euro. Në fakt, konsulentit nuk i intereson lloji i transaksionit që klienti kryen, nëse është me humbje apo me fitim, atij i intereson që të kryejë një numër sa më të madh transaksionesh. Për çdo transaksion që kryen klienti, konsulenti merr një përqindje fitimi mbi shumën e futur në lojë.

Si funksionojnë platformat e tregtimit online dhe pse janë të rrezikshme

Le të supozojmë se ju keni vendosur një depozitë 100 euro në tregtimin e një malli të caktuar (ar, naftë apo çdo gjë tjetër të kuotuar në bursë) ose në tregtimin e monedhave të ndryshme. Këto lloj kontratash, ku ju përfitoni nga diferenca në çmim, bëhen për produkte të cilat mbështeten në leva financiare dhe mbajnë një nivel të lartë rreziku për kapitalin. Pra ju bletë një mall (apo valutë) me 100 euro dhe nga diferenca në çmim (bletë më lirë dhe shitët më shtrenjtë) ju fituat 2 euro. Për shkak të levës financiare, që mund të ketë një normë tepër të lartë, të cilën po e supozojmë 10:1 (në tregjet aziatike leva financiare mund të jetë dhe 500:1) fitimi juaj për këtë transaksion do të jetë 20 euro. Por, situata mund të kthehet dhe në të kundërt. Tregjet financiare janë tepër të paparashikueshëm, ndodh që çmimet për një mall të caktuar të përmbysen dhe nga transaksioni që kryem humbëm 12 euro, nën veprimin e levës (*10) shuma totale shkon 120 euro, pra më shumë se sa shuma që ju depozituat fillimisht. Humbjet mund të kalojnë në depozitat tuaja dhe nga ju mund të kërkohet që të bëhen pagesa shtesë.

Mekanizmi i levës

Edhe kur kushtet e tregjeve janë relativisht të qëndrueshëm, leva mund të sjellë fitime apo humbje të mëdha shumë shpejt. Kjo mund të bëjë që brokeri (konsulenti) të ndërmarrë veprime që llogaria juaj të mos kalojë me bilanc negativ Pra leva financiare, sikurse premton fitime të shpejta, mund të sjellë humbje katastrofike. Tjetër rrezik i blerjeve në bursa është edhe rreziku i çmimeve. Si në shumë tregje, çmimet nxiten nga kërkesa dhe oferta, gjë që mund të shkaktojë lëvizjen e shpejtë dhe të çrregullt të çmimeve. Rreziku i tretë vjen nga normat e interesit të një vendi. Nëse një vend vendos që të rrisë normat e interesit, rrjedhimisht do të forcohej dhe monedha vendase. Pak kohë më parë, Rezerva Federale shpalli rritjen e normës së interesit dhe dollari thuajse u barazua me monedhën euro. Kjo lëvizje solli tronditje në bursë.

AMF: Bëni kujdes!

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) ka tërhequr vazhdimisht vëmendjen e publikut se investimi në aksione, tituj të borxhit, valuta, etj., përmes platformave të tregtimit online shoqërohet me rrezikun e humbjes së plotë të vlerës së investimit, ndaj publiku i interesuar duhet të tregohet i kujdesshëm dhe t’i realizojë ato vetëm nëpërmjet subjekteve të licencuara, të cilat plotësojnë kërkesat rregullative lidhur me aftësitë profesionale, administrimin e rrezikut dhe transparencën ndaj klientit. Në çdo rast, investimi duhet të kryhet mbi bazën e një informacioni të plotë dhe vetëm kur ekziston kultura e nevojshme financiare që lejon njohjen dhe ndërgjegjësimin rreth rreziqeve që shoqërojnë këto investime; AMF kërkon që përpara se të bëhet regjistrimi si “biznes” i subjekteve të tilla që kryejnë veprimtari financiare online apo në çdo formë tjetër, të kërkohet informacion pranë autoritetit mbikëqyrës përkatës, për të siguruar zbatueshmërinë e plotë të kërkesave ligjore; Autoriteti fton publikun dhe autoritetet e tjera të interesuara të konsultojë në vazhdimësi listën e subjekteve të licencuara, të cilët veprojnë si agjentë të platformave të investimit online, të cilat gjenden në faqen zyrtare të Autoritetit; Autoriteti, si ent rregullator që licencon dhe mbikëqyr veprimtarinë e subjekteve në fushën e titujve, ka vepruar në përputhje me kërkesat ligjore respektive për mbrojtjen e konsumatorëve dhe ruajtjen e stabilitetit financiar. Në zbatim të këtyre kërkesave, Autoriteti ka mbështetur diskutimin mbi potencialin dhe rreziqet e investimeve të publikut përmes portaleve të tregtimit online, në mbledhjen e janarit 2016 të Grupit Këshillimor të Stabilitetit Financiar (GKSF). Njoftimin për shtyp të kësaj mbledhjeje mund ta lexoni të plotë në linkun e mëposhtëm: Autoriteti thekson se do të vijojë të ndjekë këtë çështje me përparësi, në zbatim të kërkesave ligjore dhe duke nxitur bashkëpunimin efektiv me autoritetet e tjera publike të interesuara, përfundon deklarata për shtyp e Autoritetit. Monitor

Please follow and like us: